Berisha prezantoi objektivat qeveritare për 2011-ën

(AIK-Presheva Jone)

 


Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha paraqiti sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, një përmbledhje të objektivave e qeverisë për vitin 2011, në disa prej fushave më kryesore. Kryeministri kërkoi nga secila ministri, që brenda një afati 5 ditor të paraqesin objektivat specifike për secilën ministri, të cilat më pas do të bëhen të ditura për qytetarët.

Kryeministri theksoi se qeveria do të dalë para qytetarëve me objektivat më të qarta, duke i informuar ata dhe duke iu dhënë mundësinë të kontrollojnë një për një zbatimin e tyre. “Të nderuar zotërinj ministra është e domosdoshme që të riformulojmë edhe njëherë objektivat e kristalta, të cilat ju dhe unë do ti shpallim para mediave, në mënyrë që çdo qytetar shqiptar të njihet me detyrimet që merr përsipër qeveria, në interesin e tyre më të mirë gjatë viti 2011.”

Kryeministri nënvizoi se objektivat duhet të jenë të tilla që të konsolidojnë themelet e objektivit historik dhe madhor “Shqipëria vend i zhvilluar brenda vitit 2017”.

Kryeministri u shpreh se shtylla kryesore, objektivi më madhor i këtij viti mbetet përmbushja e detyrimeve në procesin e integrimit evropian. Duke theksuar se qeveria do të bëjë gjithçka që varet prej saj, kryeministri ftoi opozitën që të bashkëpunojë në këtë agjendë jashtëzakonisht të rëndësishme.

Duke folur në veçanti për objektivat e secilës Ministri, kryeministri u shpreh se objektivi kryesor i diplomacisë është që së bashku me ministrinë e Integrimit të ecë përpara drejt integrimit në BE, “Orientimi i diplomacisë sonë është drejt një diplomacie ekonomike. Ne besojmë se lidhjet më të mira politike realizohen nëpërmjet konsolidimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve ekonomike”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri theksoi se Ministria e Brendshme ka detyra shumë të rëndësishme. Një kompleks i tërë detyrash, treguesi evropian dhe konsolidimi i tyre në të gjitha fushat, garancia e jetës, e veprimtarisë së qytetareve shqiptarë, luftë me zero tolerancë, krimit të organizuar, janë dhe mbeten objektiva të kësaj Ministrie.

Kryeministri u ndal në prioritet e këtij viti për arsimin, duke bërë të qartë se tashmë e gjithë vëmendja do të përqendrohet tek cilësia.”Në fushën e arsimit është bërë një progres shumë i madh, i jashtëzakonshëm do ta cilësoja, në rrafshin e treguesve të ndjekjes së shkollës së mesme dhe të lartë, internetit. Por tani përqendrimi ynë total do te jete tek cilësia. Kam insistuar dhe insistoj që universitet të mos kenë asgjë të përbashkët me repartet ushtarake. Një frymë shumë e gjerë lirie duhet të fryjë tek universitet tona, por kriteret duhet të jenë gjithnjë e më të rrepta dhe më të qarta”, u shpreh kryeministri Berisha.

Për sa i përket infrastrukturës, kryeministri u shpreh se vetëm një Shqipëri, me një rrjet rrugor të ri dhe modern mund të konsiderohet Shqipëri Evropiane. “Kemi 91 komuna të palidhura me rrugë automobilistike me akset kombëtare. 45 do të lidhen brenda këtij viti. Ky është një objektiv madhor që nuk lëviz“.

Duke u ndalur tek shëndetësia, kryeministri u shpreh se objektiva madhore janë vendosja e sigurimeve të reja shëndetësore, për të cilat do të miratohet dhe ligji, si dhe kompletimi sa më shpejt i reformës në shëndetësi “Vetëm me një sistem shëndetësor eficent që i ofron ndihmën çdo qytetari, Shqipëria mund të jetë një vend i zhvilluar”, tha ai.

Lidhur me prioritetet në fushën e mjedisit, kryeministri tha se objektiva kryesore mbetet mbrojtja dhe zhvillimi i tij. “Mbrojtja e mjedisit është mbrojtja e jetës”, u shpreh Berisha.

Kryeministri u ndal në mënyrë të veçantë në objektivat sociale, ku më e rëndësishmja do të jetë “Asnjë familje shqiptare në mjerim”. “I kemi hedhur bazat e forta, kemi bërë një punë shumë të mirë gjatë këtij viti. Kalojmë së shpejti dhe ligjin dhe ne në emër të asaj që quhet një shpërndarje më e drejtë e të ardhurave do të bëjmë që shqiptarët të mos jetojnë më në mjerim”, tha kryeministri Berisha.

Gjithashtu, kryeministri u ndal edhe në objektivat në fushën e kulturës, turizmit, financës, etj, duke theksuar që të gjitha së bashku përbëjnë ambiciet më të mëdha të qeverisë shqiptare për vitin 2011.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni