Berisha pret Zëvendësministrin e Tregtisë së Kinës

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha priti sot në një takim Zëvendësministrin e Tregtisë së Republikës Popullore të Kinës, Zhong Shan.

Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, bazuar në miqësinë tradicionale midis të dy popujve, si dhe u rikonfirmua vullneti i të dy qeverive dhe vendeve për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin, në veçanti në fushën e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare dhe investimeve kineze në Shqipëri, në shërbim të interesit më të mirë reciprok të dy popujve dhe vendeve. Në këtë kontekst, u vlerësua si një bazë e shkëlqyer dhe shprehje e vullnetit politik, marrëveshja e Partneritetit Strategjik që u nënshkrua mes dy kryeministrave, Berisha dhe Wen Jiabao, gjatë vizitës së fundit të Kryeministrit Berisha në Kinë.

Pasi vlerësoi këtë vizitë si kontribut të ri në marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin mes dy vendeve, Kryeministri Berisha e falënderoi Zëvendësministrin e Tregtisë së Republikës Popullore të Kinës, Zhong Shan, për ndihmën prej 10 milionë yen që qeveria kineze i ka akorduar Shqipërisë edhe këtë vit, si dhe i shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare në mbështetje të investitorëve kinezë për të sjelle investimet e tyre në Shqipëri, në fusha si; industria e minierave, ndërtimi i hidrocentraleve, turizmi, si dhe infrastruktura të rëndësishme ekonomike në vend.

Zëvendësministri i Tregtisë së Republikës Popullore të Kinës i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e përzemërta të Kryeministrit kinez Wen Jiabao, duke theksuar se Kina dhe qeveria e saj e konsiderojnë Kryeministrin Berisha një mik të vjetër të Kinës dhe popullit të saj.

Duke vlerësuar arritjet dhe sukseset e rëndësishme të qeverisë shqiptare në të gjitha fushat e reformave, gjatë kësaj periudhe, Zëvendësministri kinez Zhong Shan, i shprehu Kryeministrit Berisha urimet më të përzemërta për këto suksese dhe e garantoi atë se qeveria kineze është plotësisht e vendosur të nxisë dhe inkurajojë zhvillimin dhe intensifikimin e shkëmbimeve ekonomiko- tregtare mes të dy vendeve, të nxisë importimin e mallrave shqiptare për tregun shqiptar, në dobi të prosperitetit të të dy popujve. Në veçanti, Zëvendësministri kinez, Zhong Shan, vlerësoi politikat e drejta ekonomike të qeverisë shqiptare, të cilat bënë të mundur që Shqipëria të përballojë krizën globale financiare dhe të shënojë, edhe në kulmin e kësaj krize, rritje pozitive të ekonomisë së saj.

Në takim u diskutua gjithashtu edhe qëndrimi i të dy vendeve për nevojën e reformimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila do të çojë në fuqizimin e vendeve të vogla në vendimmarrjen e kësaj organizate.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni