http://www.botasot.info/img/December-1-14-40-39klik.JPGKryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha priti sot, një grup përfaqësuesish të rreth 400 kompanive që morën pjesë në Panairin Klik Expo Klik dhe përfaqësuesin e Klik Expo Grup, Luan Muhametaj.
Muhametaj i dorëzoi kryeministrit Berisha, Shqiponjën e Artë të biznesit, si dhe medaljen e Klik Expo Grup si anëtare e Qendrës Botërore të Panaireve, në shenjë falënderimi për mbështetjen e madhe dhënë bizneseve dhe organizimit të panaireve ndërkombëtare.
Kryeministri Berisha e falënderoi Muhametajn për punën e shkëlqyer në këtë drejtim, organizimin e panaireve ndërkombëtare në mënyrë të vazhdueshme dhe periodike, si ngjarje që promovojnë Shqipërinë dhe potencialet e tjera për investim. Puna juaj dhe aktivitetet që ju organizoni, tha kryeministri Berisha, është shumë i rëndësishëm dhe kontribuues në tërheqjen e investimeve të huaja.

Kryeministri theksoi që është në qendër të vëmendjes së tij dhe qeverisë që ai drejton edhe ngritja e një qendre ndërkombëtare panairesh, për të mundësuar organizimin e të tilla aktiviteteve të standardeve ndërkombëtare, shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.
Përfaqësuesi i Klik Expo Grup dhe përfaqësuesit e bizneseve nga 20 vende thanë se tashmë, Kryeministri i parapriu kërkesës së tyre dhe ata ishin të mendimit që tashmë janë pjekur kushtet dhe është bërë e domosdoshme ngritja e një qendre ndërkombëtare panairesh.

Duke e falënderuar përzemërsisht kryeministrin Berisha për mbështetjen e vazhdueshme në punën e tyre, si dhe për vizionin në lidhje me zhvillimet e ardhshme, ata bënë të njohur se për të realizuar projektin e qendrës ndërkombëtare të panairit kanë tashmë bashkëpunimin e dy partnerëve, panairin e Mynihut dhe atë të Expo Shangai.
Ata, gjithashtu, shprehën kërkesën për t’u përfshirë në programin e aktiviteteve madhore që do të zhvillohen me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, duke dashur të japin kontributin e tyre në këtë ngjarje të rëndësishme për kombin.
Kryeministri Berisha i falënderoi edhe një herë për kontributet e dhëna dhe për ato që do të vazhdojnë të japin në të ardhmen, duke i siguruar për mbështetjen e qeverisë së tij në realizimin e këtyre projekteve madhore.

SHPËRNDAJE