Berisha: Mirënjohje policit që shpëtoi flamurin

(AIK-Presheva Jone)

 

 

Efektivi i FNSH-së, Amarildo Yzeiri, i dorëzon flamurin Kryeministrit. Yzeiri: Për këtë flamur kemi luftuar

Efektivi i Forcave Speciale FNSH 712, Amarildo Yzeri është polici që u fiksua në sytë e mijëra shqiptarëve duke ngritur flamurin ditën e demonstratës, kur një prej protestuesve e hodhi në këmbët e policëve. Ai i ka dorëzuar sot Kryeministrit Sali Berisha, flamurin kombëtar, duke u shprehur se ai flamur i dha forcë për të qëndruar.

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar më pas se Amarildo: “U bë simboli më i shkëlqyer i mbrojtjes të rendit kushtetues, i institucioneve kushtetuese të vendit. Në një moment të caktuar një horr, një rrugaç, një bandit, që flamurin kombëtar e kishte për leckë, e vërviti atë tek këmbët e policëve.

“Amarildo e mori flamurin dhe e ngriti.”, ka deklaruar kryeministri, duke shprehur mirënjohjen për efektivin e Repartit të Forcave Speciale.

“Flamuri i kombit nuk mund të ishte kurrë një leckë që të flakej. Flamuri i kombit shqiptar, është flamuri i më i bukur, por edhe flamuri kombëtar shtetëror më i vjetër në Europë. Është flamuri kombëtar, në qelizat e të cilit prehen martirët e kombit, që nga koha e Skënderbeut deri më sot. Në të prehen të gjitha ata që kanë luftuar për liri dhe dinjitet njerëzor si dhe të ata që luftuan për liri të Kosovës”, ka nënvizuar kryeministri Sali Berisha.

Kryeministri tha se ky është flamuri që në dallim nga kombet e tjera, edhe himnin e kombit e ka të qëndisur rreth tij dhe betimi solemn e ka mbi të .Kryeministri ka përgëzuar afektivin e gardës Amarildo Yzeiri për gjestin dhe kurajën.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni