Kryeministri Berisha priti sot në një takim Sekretarin e Shtetit të Zvicrës për Punët e Jashtme, z. Peter Maurer.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme dhe shumë të çmuar që Zvicra i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë gjithë kësaj periudhe, në veçanti, përmes një sërë projektesh të suksesshme të financuara nga qeveria zvicerane.

Nga ana e tij, sekretari i Shtetit të Zvicrës për Punët e Jashtme, z. Maurer, pasi e falënderoi Kryeministrin për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, i rikonfirmoi atij vendosmërinë e vendit të tij për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë shqiptare dhe me Shqipërinë, si dhe për ta forcuar më tej marrëdhënien e suksesshme të ndërtuar deri më tani.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes dy vendeve dhe u ripohua vendosmëria për të ndërtuar një bashkëpunim të ngushte edhe në planin shumëpalësh, në veçanti në kuadër të marrjes nga ana e Shqipërisë së kryesimit të radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, por edhe kryesimit të radhës së OSBE-së nga Zvicra.

Gjatë takimit u vlerësuan gjithashtu një sërë fushash me potenciale të rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit midis dy vendeve dhe promovimin e investimeve zvicerane në Shqipëri, si ndërtimi i infrastrukturave të rëndësishme hidroenergjetike, sektori i turizmit bregdetar dhe atij malor, sektori i arsimit, etj.

Sekretari zviceran i Shtetit Maurer e siguroi Kryeministrin Berisha se Zvicra do të vijojë të mbështesë fuqishëm Shqipërinë, edhe si presidencë e radhës së OSBE-së, në të gjitha aspektet e bashkëpunimit shumëpalësh dhe integrimit evropian të Shqipërisë.

Më tej, z. Maurer i shprehu mirënjohjen Kryeministrit Berisha për mbështetjen që ai dhe qeveria shqiptare po i japin projektit Trans-adriatik, i cili konsiderohet si projekti më efikas dhe me shumë leverdi ekonomike për furnizimin me këtë lloj energjie të rajonit, çka do të sjellë një dimension të ri në zhvillimin ekonomik të të gjithë këtyre vendeve.

Në përfundim të takimit, Sekretari i Shtetit të Zvicrës për Punët e Jashtme, z. Maurer, i shprehu Kryeministrit Berisha ngushëllimet më të sinqerta, edhe në emër të qeverisë dhe qytetarëve të vendit të tij, për rënien në krye të detyrës të kapiten Feti Voglit, gjatë misionit të tij në Afganistan, duke vlerësua kontributin që Shqipëria po jep në përpjekjen ndërkombëtare për të luftuar terrorizmin dhe për paqen dhe ndërtimin e demokracisë e lirisë në Afganistan.
Ne takim nuk munguan dhe diskutimet për zhvillimet e fundit në rajon.

SHPËRNDAJE