Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha theksoi sot rëndësinë e zhvillimit të teknologjisë digjitale për të rritur transparencën ndaj qytetarëve për një qeverisje më të mirë.

http://www.botasot.info/img/berisha3666.jpgGjatë punimeve të konferencës dy ditore të vendeve pjesëmarrëse në iniciativën rajonale e-SEE, (Electronic South Eastern Europe), organizuar nga Ministria e Inovacionit dhe TIK, në bashkëpunim me Këshillin e Kooperimit Rajonal (RCC) dhe UNDP, Berisha u shpreh se “teknologjia digjitale është leva e Arkimedit për të kapërcyer kohën, për t’u ofruar qytetarëve shërbime më të mira të kohës dhe për të vendosur gjithashtu në themel të veprimtarisë tonë transparencën për një qeverisje të mirë”.

Kryeministri Berisha tha se për qeverinë e tij, një nga objektivat më ambicioze ishte Shqipëria në moshën digjitale.

“Në një hark kohor të shkurtër vendi ia doli që të jetë në mesataren evropiane. Shqipëria është vendi i vetëm në rajon me 4 operatorë celularë. Ka dhënë dy licenca për 3G dhe parashikohet që në vitin 2012 të avancojë me teknologjinë 4 G”, tha Berisha.

Sipas tij, “zhvillimi i teknologjisë digjitale është jetike që vendet të ecin së bashku me tik-tak-un e kohës globale”.

Berisha theksoi se është rritur penetrimi i internetit dhe i telefonisë celulare që nga viti 2005. “Në vitin 2005 niveli i penetrimi të internetit në vend ishte ndër më të ulëtit, 4.8 %. Penetrimi i telefonisë celulare sërish ishte ndër më të ulëtit vetëm, 30 %, ndaj dhe për qeverinë një nga objektivat më madhorë, më ambiciozë, por dhe më të vështirë, ishte Shqipëria në moshën digjitale”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, “në një hark të shkurtër kohor vendi ia doli që sot të jetë në mesataren evropiane të penetrimit të internetit, e ka mbi 50 %”.

Ndërsa, për sa i përket telefonisë celulare, Berisha u shpreh se “Shqipëria renditet ndër vendet më të larta për shkallën e penetrimit të telefonisë celulare. Sot ka penetrim 142 %”.

Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria ka 10 fishuar fluksin e internetit. Sipas tij, “në kohë të shkurtër po punohet që të mund të furnizojë internet me bandë super të gjerë në të gjithë vendin”.

Buxheti i vitit të ardhshëm, i cili është planifikuar në kushte jo aq të favorshme evropiane dhe botërore, sërish ka përcaktuar një nga tre drejtimet themelore të tij, mbështetjen e Shqipërisë digjitale, tha Berisha, i cili bëri të ditur se “janë 125 projekte që do zhvillohen gjatë viti të ardhshëm”.

“Synojmë që gjatë vitit të ardhshëm të kapim një kthesë të re vendimtare në Shqipërinë digjitale. Mbyllim këtë vit duke u renditur të dytët në botë, sipas raportit të Forumit të Komitet Global për gatishmërinë e rrjetit. Ambicien tonë ne e kemi të kapim një nga nivelet më të larta”, tha Berisha.
“Jemi vendi i 100 % i prokurimeve elektronike. Këtë gjë e kemi realizuar që në vitin 2009. Po avancojmë për të kompletuar në këtë sistem të gjitha blerjet e vogla. Jemi vendi me “One Stop Shop” për regjistrimin e bizneseve dhe dhënien e lejeve. Panelet universitare pak vite më parë ishin panele korrupsioni, ndërsa sot janë panele me zero korrupsion falë digjitalizimit të sistemit universitar. Gjenda civile, taksat , doganat, sistemi i patentave janë elektronike. Po punojmë edhe në shumë projekte të tjera, që do bëhen realitet gjatë vitit 2012”, tha Berisha.

Por vijoi ai, “Shqipëria është shumë mbrapa në numrin e specialistëve në këtë fushë. Kemi krijuar qendrën e inovacionit. Do bëjmë gjithçka për të nxitur inovacionin për të gjitha kompanitë shqiptare të ICT që operojnë në këtë sistem.

SHPËRNDAJE