Berisha: Ja plani i plotë i puçit

 

Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se disponohen të dhëna se grupet 5 ose 10 vetë u stërviten ditë të tëra në zona të ndryshme për të ndërmarrë sulmin.

Dy orë përpara nisjes së protestës homazh të opozitës kryeministri Berisha ka zbuluar edhe planin e sulmit puçit të 21 janarit.

Në një konferencë për shtyp kryeministri Berisha theksoi se janë mbledhur të dhëna të shumta nga burimet më të besueshme lidhur me gjithë planin e detajuar për të përmbysur qeverinë me dhunë e për të marrë institucionet. Duke iu drejtuar qytetarëve të Shqipërisë Berisha tha se ka dalë për të informuar gjithçka për dy ditët e fundit, rreth përpjekjeve të pucit që dështoi, për të marrë me dhunë Këshillin e Ministrave.

“Gjatë kësaj periudhë janë mbledhur të dhëna nga burimet me të besueshme, se banditëve dhe kriminelëve iu është dhënë deri në 200-300 euro për të përmbysur institucionet me dhunë. Synohej të merrej pushteti me dhunë. Disponojmë të dhëna për sasi eksplozive, tritolit dhe kallashnikollëve që kanë pasur demonstruesit”, tha kryeministri .

Ai bëri me diej se në 21 janar kishte njerëz të pajisur me armë të sofistikuara në atë protestë. Ai tha se njerëzit ishin të pajisur me çadra –pistoletë. “Ka të dhëna se ky puç, u financua me 2 milionë dollarë, në të gjitha përgatitjet, disponohen të dhëna përgjithçka ndodhi në 5 orë. Çdo gjë është bërë në ato pesë orë do të zbardhet e gjitha”, tha Kryeministri. Madje ai bëri me dije se ishin caktuar edhe postet për ministrat e qeverisë së re. Ai tha se qeveria ka të gjitha të dhënat çfarë është biseduar në 21 janar. “Ndrikullën e pucit do rrëzojnë hetimet. Faktoj vendosmërinë time se gjithçka do të hetohet.”, nënvizoi Berisha

Lidhur me Prokurorinë Berisha tha se të gjithë e kuptuan çfarë kërkohej me arrestimin e oficerëve të gardës. “Prokurorja bëri arrestime pa hetime. Prokurorja Rama tregon se nuk respekton asnjë norma morale. Oficeret e gardës u paraqiten me dinjitet ne prokurori”, tha Berisha.

Ai theksoi se mbetet i vendosur që çështja të trajtohet në institucione.

Me tej kryeministri ka vlerësuar mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe në veçanti të SHBV-ve. “Vlerësoj faktin se do të ketë edhe prokurorë edhe nga një vend mik, si SHBA. Duhet të dalë e vërteta e kësaj ngjarje të shëmtuar”, tha kryeministri duke shprehur mirënjohje për SHBA, për ndihmën që iu jep shqiptarëve.

Ai i ka bërë ftesë qytetarëve të denoncojnë gjithçka. “Ftoj çdo qytetar të kontribuojë, me ato çka di për këtë puç të shëmtuar që ka fytyrën e Edi Ramës. Garantoj qytetarët se rendi kushtetues ekziston dhe nuk përfaqëson ata që përdhosën Kushtetutën”, tha Kryeministri.

Duke iu referuar protestës homazh që do të zhvillohet sot, Berisha tha se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, por nënvizoi se Rama po përdor dhimbjen e familjeve të viktimave.

“Sot kryepuçisti Edi Rama ka thirrur sërish protestë. Pasi iu përgjigj kundër, ftesave dhe thirrjeve të miqve ndërkombëtar për të anuluar protestën, ai thirri popullin në këtë protestë. Kërkoj të garantohet e drejta e protestës, do të respektohet kjo e drejtë”, tha Kryeministri. Sipas tij qytetarët kanë të drejtë të protestojë për protestë paqësore, sikundër garantoi se aktet e dhunës dë të përballen me ligjin.

“Nëse kryepuçsti do të tentojë një herë të dytë do të përballet me
pasojat. Ai që ka përvetësuar të shtatat e një akti makabër, duhet ta dijë se të shtatat janë të familjeve. Unë bashkohem me familjet e viktimave me ngushëllimin tim. Por veprimi i Edi Ramës, është një zhvarrosje e viktimave, por kjo është një zgjedhje e tij. Por unë garantoj qytetarët se do të zbatohet çdo e drejtë”, ka deklaruar kryeministri.

I pyetur nëse ka të dhëna se do të ketë dhunë për gjatë protestës homazh, Berisha tha se: “Të dhënat e mia janë të shumta, të shumëllojshme, qytetarët denoncojnë çdo gjë. Thirrja ime është të mos bëhet dhunë. Protesta paqësore dhe garantim i saj është detyrim”.

Me tej nënvizoi se ky shtet ka institucione dhe u shpreh se do të bëjmë gjithçka që të nxjerrim nga paraliza këto institucione, jo vetëm me ekspertë por edhe me prokurorë. “Deri tani gjithçka kemi bërë, e kemi bërë në mbështete të Kushtetues. Zgjidhja është, që pa ndëshkimin e puçit, krizat do ekzistojnë. Sali Berisha nuk bën kompromis me puçistët. Puçistët do të marrin përgjegjësitë ligjore dhe situata do shkojë drejt normalizimit”, tha Berisha. Duke nënvizuar se opozita i ka rrugët e hapura për bashkëpunim, nënvizoi se zgjedhjet do të jenë në vitin 2013.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni