BRISHA: Haga dhe Eulex te hetoj ndaj shpifjeve raciste te Dick Marty

Berisha: Marty akuzat ai i ka mbledhur nga analet e Beogradit e nga lobet ruse

Dick Marty shkulës të veshkave i quan shqiptarët ndërsa marrës hebrenjtë. Por a nuk mund të ishte ndonjë rus për të marrë veshka të trafikuara, por duhet të ishte hebre?! Ky fakt shpreh racizmin e Dik Martyt.

Kryeministri Berisha priti sot në takim Presidentin në detyrë të Republikës së Kosovës, zotin Jakup Krasniqi. Takimi u përqendrua në forcimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve, zhvillimet e fundit në Kosovë pas zgjedhjeve të përgjithshme. Një vend i veçantë në bisedime iu kushtua çështjes së raportit të raporterit të Këshillit të Europës Dick Marty. Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe zoti Krasniqi bënë të ditur për median çështjet e diskutuara dhe qëndrimin e tyre në lidhje me raportin e Dik Martiyt.

Shoqëria shqiptare nuk është ajo që e përshkruan Dick Marty e Çubrilloviçi

Me Presidentin e Republikës së Kosovës dhe Kryetarin e Parlamentit z. Jakup Krasniqi dhe delegacionin që e shoqëron, patëm një takim të përzemërt dhe vëllazëror, në të cilin ne diskutuam para së gjithash mbi rrugët dhe mënyrat e intensifikimit të gjithanshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, në të gjitha fushat dhe konstatoj me kënaqësi se këto marrëdhënie po njohin gjithnjë zhvillime më të mëdha dhe këto marrëdhënie janë të një rëndësie shumë të veçantë për qytetarët e të dy vendeve. Në këtë kontekst, Kosova do të institucionalizojë institucionet e reja dhe natyrisht, është në prag të zhvillimeve të tjera të rëndësishme si është fillimi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, një dialog i domosdoshëm ky për paqen, stabilitetin e të ardhmen e rajonit.

Natyrisht, në takimin tonë u diskutua edhe problemi i raportit të senatorit Dick Marty. Ne besojmë dhe mendojmë se përgjigja më e mirë ndaj këtij raporti fund e krye racist e shpifës është kërkesa jonë për hetim të plotë për të gjitha problemet që shtrohen në këtë raport nga EULEX dhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Theksoj edhe një herë se qeveria shqiptare i ka bërë ftesë zyrtare EULEX dhe Gjykatës Ndërkombëtare që të rinisin hetimet e këtyre pretendimeve të senatorit Marty, i cili nuk sjell asgjë të re, veçse rreshton akuza të hedhura poshtë në mënyrë të përsëritur nga hetime të mëparshme, por, pasi tani që vijnë në një institucion, e bën të domosdoshëm edhe një herë, mendoj unë, një hetim të plotë. Qeveria shqiptare do të krijojë të gjitha lehtësirat e nevojshme për hetimin e problematikave që ai ngre. Ne nuk pengojmë, por ne e dëshirojmë këtë hetim, ndonëse ne shprehim të gjithë keqardhjen që raporte të tilla raciste lexohen në Këshillin e Europës.

Dua të sqaroj këtu se nuk e vlerësoj racist Dick Martyn për akuzat që bën. Akuzat, ai i ka mbledhur nga analet e Beogradit, nga lobet ruse e të tjerë me radhë, por Dick Marty dëshmohet e del lakuriq para botës me racizmin e tij në përshkrimin që i bën shoqërisë shqiptare. Ai i ka lejuar vetes të përdorë shabllone të doktrinës raciste serbe ndaj shqiptarëve dhe t’i transkriptojë ato në një raport për Këshillin e Europës. Shoqëria shqiptare nuk është ajo që përshkruan as Dick Marty, as Çubrilloviçi në shkrimin e tij. Shoqëria shqiptare, natyrisht, është një shoqëri që ka historinë e saj urbane mijëravjeçare, ka edhe historinë e saj të zonave periferike me elementet e tyre. Po ta vini re, Dick Marty shkulës të veshkave ka zgjedhur shqiptarët dhe marrës të veshkave ka zgjedhur hebrenjtë. Nuk mund të ishte ndonjë rus apo ndonjë tjetër për të marr veshka të trafikuara, por duhet të ishte hebre, për të dalë akoma më lakuriq në racizmin tij.

Edhe një herë dua të them se kërkesa jonë është e prerë, për hetim. Ne jemi vende të lira dhe absolutisht të vendosur të dënojmë çdo lloj krimi lufte apo njerëzimi, cilido qoftë ai. Ndaj cilitdo, ligji ndërkombëtar të veprojë me forcën më të madhe, sepse lufta çlirimtare e Kosovës përbën faqen më të ndritur të historisë kombëtare të shqiptarëve, përbën një nga luftërat, të cilat i dhanë fund kolonisë së fundit në Europë, përbën përpjekjen shqiptare, e cila çështjen e lirisë së tyre e pruri në çështje të lirisë së botës së lirë. Ata, të cilët i lëndon liria e shqiptarëve, mbetet vetëm t’u themi: Zoti ju çliroftë shpirtrat nga urrejtja e racizmi ndaj shqiptarëve. Shqiptarët janë një komb që frymëzohet nga virtyti i miqësisë dhe që nuk kanë varrë në territorin, në tokat e asnjë kombi tjetër. Të tjerë kanë lënë hordhia e eshtra në tokat e shqiptarëve, shqiptarët askund. Dy mijë vjet rezistencë, kjo është historia e tyre. Lufta çlirimtare e Kosovës i dha fund një lufte 130 vjeçare që zhvillohej në një tokë të pushtuar. Shqiptarët janë të vendosur të shohin para në të ardhmen e tyre të përbashkët, të vendosur të shkruajnë një kapitull të ri me fqinjët e tyre, kapitullin e integrimit europian.

Më pas fjalën e mori u.d. i presidentit të Kosovës Jaku Krasniqi i cili tha se sa herë që vij në Shqipëri ndjehem tamam si në Kosovë. Kisha kënaqësi të veçantë të bisedoj me Kryeministrin e Shqipërisë, zotin Berisha, për zhvillimet politike në Kosovë me theks të veçantë dhe duke qenë përfaqësues të dy vendeve, natyrisht, biseduam edhe për një bashkëpunim më të thellë midis Shqipërisë e Kosovës, si në planin e politikave të brendshme, zhvillimit ekonomik, ashtu edhe në planin e diplomacisë së jashtme.

Në mënyrë të veçantë u ndalëm tek raporti i raportuesit të Këshillit të Europës, zotit Dick Marty, i cili në raport akuzon jo vetëm Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por të gjithë shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri.

Kjo akuzë e ngritur, jo e re por e ripërsëritur, na obligon që dy vendet tona, dy politikat e diplomacitë e vendeve tona t’i koordinojnë punët për ta kundërshtuar këtë raport që është vlerësuar edhe si një pamflet politik. Ne kemi gatishmërinë që institucionet profesionale ndërkombëtare të bëjnë një hetim të gjithanshëm profesional, për gjitha akuzat që i bëhen luftës së drejtë të popullit të Kosovës për liri e çlirim. Ne jemi të bindur se në gjithë programin politik të lëvizjes kombëtare për çlirim në Kosovë, në asnjë fazë të tij nuk ka pasur qëllim e synim tjetër përveç luftë për liri e çlirim dhe nëse në faza të caktuara ka mund të trajtohet si mëkat apo ka mund nga qarqe të caktuara të trajtohet si mëkat ka qenë lufta për çlirim e bashkim kombëtar, por nuk ka shkuar përmes asnjë forme të krimit të organizuar ndaj një grupi etnik apo populli tjetër për rrëmbim, për shfarosje, për zhdukje apo për të trafikuar organet e as secilit njeri për qëllime kriminale.

Në këtë rast, konsideroj se edhe Kosova, edhe Shqipëria jemi në të drejtën tonë, jemi në bindjen tonë se lufta jonë ka qenë e drejtë, ka luftë për dinjitet dhe duke qenë e tillë, ajo ka pasur mbështetjen edhe të BE-së, edhe të SHBA-ve, edhe të NATO-s.

Më pas ata iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve të pranishëm.

Pyetje: Z. Krasniqi a mendoni se këto akuza po e dëmtojnë imazhin e Kosovës dhe a do të kenë ndikim në bisedimet e pritshme mes Kosovës dhe Serbisë ?

Presidenti në detyrë Jakup Krasniqi:

Sigurisht që raporti i reporterit të Këshillit të Evropës e ka dëmtuar, sepse vetë mashtrimi që i është bërë atij raporti, ka pasur për qëllim realisht dëmtimin politik të Kosovës. Por a do të ndikojë ky raport në bisedimet që pritet të zhvillohen mes Kosovës dhe Serbisë, unë them se nuk do të mund ti pengojë, ndoshta mund ti vonojë.

Kosova në asnjëherë që nga konferenca e Rambujesë dhe këtej, gjithnjë e ka pasur dhe e ka gatishmërinë për të biseduar për gjithçka që është në interes të Republikës së Kosovës të qytetasve të saj, por dhe në interes të Republikës së Serbisë dhe qytetarëve të saj. Kur them qytetarëve të Serbisë dhe qytetarëve të Kosovës, e kam fjalën edhe për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Republikën e Serbisë dhe për qytetarët serb që jetojnë në Kosovë. Gjithçka që shkon në drejtimin e përmirësimit dhe të ngritjes së kualitetit tjetër se këtyre qytetarëve të dy vendeve tona ne jemi të gatshëm të bisedojmë.

Pyetje: Z. Kryeministër që nga 22 dhjetori ju i keni bërë ftesën EULEX-it dhe Gjykatës së Hagës për të hetuar, a ka një përgjigje prej tyre, cili do të jetë reagimi i Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe si vend anëtar çfarë do të kërkohet konkretisht?

Kryeministri Berisha:

Së pari, vetëm një shtesë dua të bëj për pyetjen e parë . Një histeri raciste anti-shqiptare, nuk mund ti intimidojë shqiptarët në kursin e tyre, përpjekjen e tyre për paqen stabilitetin dhe integrimin. Pavarësisht se është e tille, jemi të hapur tërësisht për hetim serioz ndërkombëtar dhe në besim të plotë për të kontribuar në çdo të vërtetë që do të dalë .

Së dyti, delegacioni ynë shkon ne Asamblenë Parlamentare, me porosinë dhe vendimin që të kërkojë hetim në rezolutën që do të votohet të kësaj çështje nga institucionet ndërkombëtare, EULEX dhe Gjykata Ndërkombëtare dhe amendimi i delegacionit që do të jetë në rezolutë, ti kërkojë Dik Marty, që të gjitha të dhënat që ka t’ia dorëzojë EULEX ose Gjykatës Ndërkombëtare.

Ky është një detyrim madhor, ligjor dhe moral i Këshillit të Evropës. Ne do të votojmë rezolutën, natyrisht edhe njëherë kemi përçimin tonë për racizmin e Dik Marty në raport. Por racizmi nuk i bën nder askujt, përkundrazi është një atavizëm nga i cili njerëzit e qytetëruar duhet të luftojnë, të çlirohen dhe të gëzojnë dhe ata vlerat, sepse pengojnë shumë.

Ky do të jetë qëndrimi ynë , i delegacionit tonë. Ftesa ime për të qenë atje ka ardhur muaj përpara nga Kryetari i Asamblesë Parlamentare z. Çaushoglu, kam shumë kënaqësi ti adresohem asamblesë. Ne do të kërkojmë një amendim ku Dik Marty, ti dorësojë EULEX të gjitha provat dëshmitë që ai pretendon se i ka mbledhur , në interesin më të mirë për zbardhjen e së vërtetës.

Pyetje:Pavarësisht se ne nuk mund ti paragjykojmë ndikimet që mund të ketë rezoluta e Këshillit të Evropës, doja t’ju pyesja në kuadër të angazhimeve tuaja, për të shkruar një kapitull të ri të shoqërisë shqiptare. Prishtina dhe Tirana, kanë mundësi dhe kapacitete që me logon e dy shteteve tona të ndihmojnë hartimin e një projekti apo raporti, që do ti kundërvihej shkencërisht të verifikueshme, historikisht të drejtë dhe politikisht të ligjshëm , gjithë atyre që i referohet Dik Marty. Cilat janë mundësitë që të dilet me një dokument të tillë?

Kryeministri Berisha:

Studiuesit mund të bëjnë punën e tyre, autoritetet qeveritare do ti përgjigjen duke ndihmuar, lehtësuar, kërkuar, hetim të plotë ndërkombëtarë të akuzave të raportit të Dik Marty. Por që te harxhojmë ne si qeveri dhe të merremi me arkivat e racizmit kundër shqiptarëve jo. Ne do të merremi me të ardhmen. Studiuesit le të bëjnë punën e tyre, ne do të merremi me ndërtimin e së ardhmes me kombet që na rrethojnë me vendet fqinj.

Presidenti në detyrë Jakup Krasniqi:

Jam dakord me këtë që tha kryeministri Berisha, do të thotë që politika në Kosovë dhe Shqipëri, ka si obligim ta zhvillojnë vendin ti njohin perspektivat për qytetarët e dy vendeve tona dhe pas qershorit të vitit 1999 Kosova dhe Shqipëria kanë filluar një periudhe të re të bashkëjetesës, e cila ka mundësi të zhvillohet në shumë fusha. Ndoshta gjatë këtyre pak viteve kemi arritur ti thellojmë marrëdhëniet e bashkëpunimit në të gjitha fushat e mundshme, por pres që edhe Shqipëria dhe Kosova të bëjnë programe për zhvillimin ekonomik të vendeve të tyre dhe për unifikimin e gjithë asaj që mund të unifikohet mes dy vendeve tona , të një populli që ka një kulture dhe një histori.

Pyetje:A ka zhvillime të reja për formimin e qeverisë së re në Kosovë?

Presidenti në detyrë Jakup Krasniqi:

Ju e dini tani më që në Kosovë me 12 dhjetor 2010 kemi pasus një proces zgjedhor, një proces i cili është ende në vazhdim, me 23 janar 2011 kemi zgjedhje të përsëritura në Mitrovicë dhe ne presim mbylljen e këtij rezultati dhe pastaj formimin e qeverisë dhe institucioneve që do të dalin nga këto zgjedhje. Ne jemi duke pritur dhe besojmë që institucionet e pavarura zgjedhore do ta korrigjojnë këtë proces dhe do të formojnë institucionet e reja.

Pyetje: Z. Kryeministër a keni një koment për videon ku shfaqet zëvendëskryeministri Meta?

Kryeministri Berisha:

Së pari dhe njëherë dua të shpreh vlerësimin tim, për vendimin e zëvendëskryeministrit Meta, për të mos i njohur vetes asnjë imunitet dhe kërkesën e tij për hetim të plotë dhe të gjithanshëm të problemit.

Së dyti dua të përgëzoj prokurorinë e vendit, e cila vendosi me përgjegjësinë më të madhe, shpejtësinë më të madhe hapjen e hetimit për këtë çështje dhe dua ta garantoj se do të ketë çdo lehtësi jo vetëm për këtë, por për çdo hetim që do të ketë nevojë ndaj çdo zyrtari të këtij vendi. Ne jemi të vendosur të respektojmë plotësisht dhe tërësisht institucionet e pavarura të vendit, sistemin tonë juridik dhe e them këtë me besim të plotë.

Së treti më duhet të falënderoj , jo pa sinqeritet Edvin Kristaq Ramën, e them haptas për nderin që më bëri. Me montimin dhe trupimin e videos Edvin Kristaq Rama, dëshmoi se është i biri i të atit, se është aq i pa skrupull dhe amoral, saqë për të luftuar kundërshtarin mund të bëjë çdo falsifikim. Por unë ju them qytetarëve shqiptare, imagjinoni ju se çfarë mund të bëjë ky njeri me ju, po të ketë pushtet, kur ndaj kryeministrit nuk përmbahet dot dhe monton, trukon video dhe dokumente.

Në këtë aspekt nuk mund të mos jem i hapur këtu, se dalja e tij lakuriq jo me lëkurë por me moral është vendim i tij jo i imi. Kultura e bunkerit është ajo çka unë nuk do të resht së demonstruari shqiptarëve se çfarë përfaqëson. Një qëndrim të tillë e mbajnë vetëm larvat e bunkerit të bllokut, neo-bllokmenët. Të cilët janë të aftë të sajojnë çdo gjë, të montojnë gjithçka pa asnjë lloj skrupulli, sepse mendojnë se në këtë mënyrë i afrohen pushtetit .

Tenxhere dhe kapak. Është bashkuar i biri i Kiços me të birin e Kristaqit dhe merren me çimkat, etërit do tua kishin lakmi, ndërsa ky ati shpirtëror do tu jepte një dekoratë. Unë jam kryeministri i vendit, në rast se çuni i Kiços vuri orën dhe regjistroi bisedën time, çuni i Kristaqit urdhëroi fatkeqin e Top Channel të montojë videon. Nuk ka këtu asgjë tjetër vetëm demonstrim të moralit të etërve të tyre. Po flas dhe është fat i madh, që këto janë në duar të prokurorisë dhe prokuroria do i zbardhë që të gjitha. Por unë them këtu se as çuni i Kiços dhe as çuni i Kristaqit, as i i Xhelilit, as i ndonjë tjetri, nuk do të munden kurrë , që as me çimka as me truqe të vijnë në pushtet. Kështu vetëm largohen drejt bunkerit të etërve të tyre .

Në rast se merr përsipër të falsifikosh dhe të montosh ndaj kryeministrit të vendit, merret me mend se çfarë i pret qytetarët e tu nesër kur të jetë në pushtet. Ajo video ka ardhur tek ju, sepse kam dashur unë. Është e vërtetë që Dritan Prifti më ka ofruar videon, por i kam thënë çojë ku të duash , është shumë e vërtetë. Është e vërtetë, që janë bërë shumë oferta të tjera deri tek piramida ku jetoni që të mos prishet , por kryeministri i këtij vendi as nuk blen dhe as nuk shet. I përmbahet një morali dhe disa parimeve. Ju videon e morët, sepse nuk e mora unë , po ta merrja unë ju nuk e merrnit, por kjo nuk mund të ndodhte, sepse nuk është morali im. Ndaj dhe ajo që mund të them edhe njëherë është se e falënderoj të birin e Kristaqit, që dubloi në këtë rast të birin e Kiços, në çimkëzimin. Çimka ishin ata në bunker çimka mbetën dhe në liri. Zoti u çliroftë shpirtrat e tyre.

Pyetje:Ku ndryshon vidio e z.Pango nga vidio e z.Meta, pse me zotin Pango reaguat aq shpejt dhe e shkarkuat për katër minuat ?

Kryeministri Berisha:

Një material i trukuar në mënyrë diletanteske, që kapërcen nga sekonda e 43 në ne sekonde e 4 të minutës nuk mbetet gjë tjetër, veçse të hetohet nga prokuroria në mënyrë të plotë. Pse e kanë trukuar shpirti i tyre e di, pse e kanë falsifikuar morali i tyre e di, shkoni pyetni ata. Një gjë është e sigurt, po të doja unë vidio nuk vinte tek ju . Sikundër unë ju besoj shumë lirive dhe të drejtave njerëzore dhe këto janë probleme të tjera, por vidio erdhi tek unë dhe unë nuk e pengova. Ata që tentuan të nxjerrin favore me vidio tek unë ata dështuan, u dëshmuan falsifikatorë ordiner, manipulues të pa skrupull u dëshmuan ashtu siç janë zogj bunkeri, nga i cili nuk kanë për të dalë kurrë.

SHPËRNDAJE