Berisha do vizitojë Maqedoninë

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha në fund të muajit tetor do të vizitojë Maqedoninë me ftesë të kolegut të tij maqedonas Nikolla Gruevski.

Këtë e ka bërë të ditur ambasadori shqiptar në Shkup, Arben Cejku, pas një takimi që realizoi në Tetovë, me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti.

“Njëkohësisht e njoftova Ahmetin me vizitën e ardhshme të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha në Maqedoni në përgjigje të ftesës që kryeministri Gruevski i ka bërë atij”, deklaroi Arben Çejku, Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni.

Kjo vizitë ishte paraparë të realizohej në maj të vitit të kaluar, por u anulua nga pala shqiptar për shkak të, siç u tha zyrtarisht, angazhimeve të kryeministrit Berisha dhe thellimit të krizës politike në Shqipëri mes pozitës dhe opozitës.

Me këtë vizitë, mësohet se Berisha dëshiron t’i japë një shtytje procesit për lëvizjen e qytetarëve të Shqipërisë dhe Maqedonisë vetëm me letërnjoftime.

Temë diskutimit në takimin mes Berishës dhe Gruevskit do të jenë edhe zhvillimet e fundit në Maqedoni, raportet ndëretnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve, implementimin i Marrëveshjes së Ohrit dhe perspektivat euro-atlantike të Maqedonisë.

Gjatë qëndrimit në Shkup kryeministri shqiptar do të takojë edhe krerët e partive shqiptare në Maqedoni.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni