Kryeministri Berisha i ka cilësuar si ziliqare dhe trillime deklaratat e opozitës se kur të vijë në pushtet nuk do të njohë asnjë koncesion të dhënë nga qeveria. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha ka theksuar se këto deklatata kërcënojnë investitorët.
“Këto deklarata ziliqare, keqdashëse, të cilat kërcënojnë investitorët se nuk do njohin këto marrëveshje, se po jepen ujëra me koncesione, janë shpifje dhe trillime të pandershme. Absurditeti i tyre nuk është përfilluar nga investitorët vendas dhe të huaj” tha Berisha.
Sipas tij, nuk ka shqiptar që mund të votojë ata që thonë do kthejmë kohën mbrapa, ata që duan të privojnë shqiptarët nga pasuritë e tyre dhe vetë pushimet i kalojnë në krociera.
“Sa më shpesh të dilni të nderuar zotërin largoheni me shpejtësi të rrufeshme nga vizioni i pushtetit” iu drejtua kryeministri opozitës. “Ata që duan ti privojnë shqiptarët dhe pushimet i kalojnë nëpër krocera dhe janë bërë virtual. Shqipërinë dixhitale nuk e nisëm për të krijuar opozitën virtuale. Rrjetet sociale nuk duhet të deformojnë qëllimin e tyre ato janë për të shumuar komunikimin mes njerëzve” shtoi Berisha.
Gjithashtu kryeministri Berisha i është referuar sërish sot energjisë së rinovueshme duke e cilësuar këtë një përparësi për qeverinë shqiptare. Ndërsa ka njoftuar edhe ndërtimin e 5 hidrocentraleve për të cilat është firmosur së fundmi, kryeministri shtoi se janë përfunduar 72 hidrocentrale me kapacitet prej 125 megavat.

Gjithashtu kryeministri i është referuar sërish sot sheshit “Skënderbej” duke theksuar se ish-kryetari i bashkisë Edi Rama Rama duhet t’`ju kërkojë ndjesë qytetarëve shqiptarë që e bllokoi për dy vjet.
“Bllokove sheshin për dy vjet, ndërsa qytetarët hoqën të zitë e ullirit në trafik. Sheshi sot ka marrë dimensione njerëzore, ai masiv betoni ishte lemeri. Nuk e di çfarë projekti tjetër do ketë për sheshin, por rëndësi ka që sot ka marrë përmasa njerëzore” tha Berisha.
Ai shtoi se pjesë e sheshit do të jetë edhe një obelisk përkujtimor në nder të viktimave të komunizmit ndërsa ka kërkuar nga ministria e kulturës që të përcaktohet edhe vendi ku do të vendoset.
“Do përcaktohet edhe vendi i obeliskut për viktimat e komunizmit. Duhet të zhvillohet një konkurs ndërkombëtar. Ky proces të përshpejtohet, të përcaktohet një vend dhe një përmendore, për ata që u ekzekutuan pa gjyqe, që u vranë për bindje politike, duhet ta ngremë në respekt të tyre dhe në emër të kujtesës kombëtare”, tha kryeministri.

SHPËRNDAJE