Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ishte sot në Manzë të Durrësit, ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” për kryetar të Bashkisë së Manzës, Bujar Huqi, i cili rikandidon sërish për këtë post.

Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e tij për kontributin dhe punën e Huqit dhe siguroi se në këtë bashki qeveria do të investojë së paku 4 herë më shumë se në katër vitet që shkuan.

“Katër vitet që shkuan, me zotin Bujar, për të ndryshuar për mirë jetën tuaj, ne kemi investuar në 19 projekte, me një vlerë prej mbi 420 milionë lekë”, tha Kryeministri Berisha.

Në katër vitet që vijnë, tha Kryeministri Berisha, qeveria do të mbështesë çdo projekt, do të ndërtojë e rindërtojë çdo rrugë e rrugicë të kësaj qyteze dhe fshatrave të kësaj bashkie, do ndërtohet e rindërtohet çdo shkollë e këtij territori, do të garantohet ujë 24 orë për të gjitha fshatrat dhe bashkinë e Manzës, do të financohet projekti i fushës së sportit, etj

Në katër vitet që vijnë, theksoi Kryeministri, kjo bashki, Durrësi e mbarë Shqipëria do të kalojnë në fazën përfundimtare të një qyteti e të një vendi të zhvilluar.

“Së pari, dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen time ju, qytetarëve të kësaj bashkie për mbështetjen e madhe që i keni dhënë dhe i jepni Partisë Demokratike, qeverisë së saj. Së dyti, kam ardhur këtu për t’ju paraqitur rikandidimin për kryetar bashkie të zotit Bujar Huqi dhe për t’u zotuar para jush se gjatë katër viteve që vijnë, në këtë bashki, në territorin e saj, do të investojmë së paku 4 herë më shumë se në katër vitet që shkuan.

Katër vitet që shkuan, me zotin Bujar, për të ndryshuar për mirë jetën tuaj, ne kemi investuar në 19 projekte, me një vlerë prej mbi 420 milionë lekë. Ne kemi investuar në fermat, i kemi mbështetur ato dhe faktikisht sot në këtë bashki janë trefishuar rrënjët të ullirit. Unë ju garantoj se në katër vitet që vijnë ne do të mbështesim çdo projekt, do të ndërtojmë e rindërtojmë çdo rrugë e rrugicë të kësaj qyteze, çdo rrugë e rrugicë të fshatrave të kësaj bashkie. Në katër vitet që vijnë do ndërtojmë e rindërtojmë çdo shkollë të këtij territori, do të garantojmë ujë 24 orë për të gjitha fshatrat dhe bashkinë e Manzës. Do të financojmë projektin e fushës së sportit dhe çdo projekt tjetër që, me këshilltarët dhe kryetarin tuaj të bashkisë, do ta gjykoni se është i domosdoshëm për jetën tuaj më të mirë.

Në katër vitet që vijnë, kjo bashki, Durrësi e mbarë Shqipëria do të kalojnë në fazën përfundimtare të një qyteti e të një vendi të zhvilluar.

Rruga jonë është rruga e përpjekjeve të mëdha, rruga e mundit dhe e djersës, rruga e sakrificave dhe përkushtimit. Por sot, për çdo shqiptar që i thotë Shqipërisë Shqipëri, për çdo shqiptar që ka besim të vendi i tij, është e qartë si drita e diellit se ne jemi njerëzit e suksesit, se ne bashkërisht, me mund, djersë e sakrificë, ia kemi dalë këto vitet e fundit të shndërrojmë në realitet një nga ëndrrat më të bukura kombëtare: Shqipëria, anëtare e NATO-s. Këto vite, me mund, djersë e sakrificë, ne i kemi dalë që si njerëz të suksesit të shndërrojmë në realitet një nga ëndrrat më të bukura të rilindësve tanë, të të gjithë gjeneratave, të të gjithë shqiptarëve, lëvizjen e lirë në Evropë.

Para se të ngjitesha në këtë tribunë, Bujari me informoi se të dielën e kaluar, me 400 burra, gra, të moshuar të kësaj zone, bëri një ekskursion në rrugën e Kombit. Ne jemi krenarë sot me njëri-tjetrin, sepse në një afat kohor në më pak se 3 vjet, ne ndërtuam një prej kryeveprave të punëve publike, jo në Shqipëri por në mbarë rajonin, korridorin e Kombit, rrugë e cila ka pasur si vëllim punimesh në 3 vjet, së paku 6 herë më shumë se e gjithë kaskada e Drinit.

Ne jemi njerëz të suksesit sepse ne, në një hark kohor të shkurtër, prej 5 vitesh, kemi ndërtuar e rindërtuar në këtë vend 8 mijë kilometra rrugë në mbarë Shqipërinë dhe unë erdha sot tek ju ne një kohë shumë më të shkurtër se sa më duhet për të shkuar në Durrës. Kjo është e vërteta.

Ne jemi njerëzit e suksesit, ju jeni njerëzit e suksesit, sepse ne së bashku këto vite ia dolëm të dyfishojmë pensionet e ulëta, pensionet në fshat e në mbarë Shqipërinë. Ne jemi njerëzit e suksesit, sepse në këto vite ne ia dolëm të jemi i vetmi vend të Evropë të dyfishojmë rrogat. Ne jemi njerëzit e suksesit sepse Manzën, Durrësin, Shqipërinë tërësisht të harruar në hartën e turizmit botërorë, e shndërruam këtë vit në të bukurën e dheut, në destinacionin kryesor turistik të botës.

Pra, është e qartë si drita e diellit se alternativa jonë është alternativa e suksesit,alternativa e integrimit, alternativa me të cilën secili qytetar shqiptar , me mundin, djersën, përkushtimin, mendjen e tij, ndërton të sotmen dhe të ardhmen.

Krahas kësaj alternative, në Shqipëri po endet alternativa e rrugës së vetmisë. Nuk kam ndërmend të harxhoj qoftë edhe 30 sekonda me kundërshtarët e mi, me disfatat e tyre dhe alternativën e tyre. Por këtu nga Manza, do t’i them kryetarit të Partisë Socialiste: shoku Edi, vrapo sa të mundësh në rrugën tënde të vetme, shtëpia e të shkuarës po të pret dhe ka hapur dyert për ty. Ec me vrap drejt të shkuarës tënde. Ne së bashku do ecim në alternativën e qytetarit, në koalicionin e qytetarit, në besimin ndaj qytetarit, në besimin ndaj jush. Ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, komuniteti juaj është i pari, Manza është e para, Durrësi është i pari, Shqipëria është e para. Rrofshi ju, rroftë Manza, rroftë Shqipëria”.

SHPËRNDAJE