Intervistë me Galip Beqirin, kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës, dhënë agjencisë informative kombëtare  “Presheva Jone”
Bujanoc, 8 nëntor – Në një intervistë dhënë, të hënën, për “Presheva Jone”, kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës, Galip Beqiri, flet për historikun e themelimit të Këshillit Nacional, për gjendjen aktuale dhe politike në Luginë, me problemet me të cilat po përballen shqiptarët e Luginës, veçanërisht në fushën e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimin të lirë të gjuhës dhe simboleve kombëtare, lidhur me pengesat apo vështirësitë me të cilat është përballur dhe po përballet KN-ja etj.
 “Presheva Jone”: Fillimisht na thoni diç lidhur me për historikun e themelimit të Këshillit Nacional, çfarë paraqet  dhe cilat janë fushat e veprimtarisë, si dhe çfarë janë kompetencat e tij?
Beqiri: Miratimi i Ligjit më vitin 2009, për formimin e Këshillave Kombëtare të Pakicave Kombëtare që jetojnë në Serbi, në Parlamentin e Republikës së Serbisë, i`a ka mundësuar edhe shqiptarëve që ta themelojnë këtë institucion të rëndësisë së veçantë.
Në bazë të Ligjit, iniciativa për themelimin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, është përkrahur me grumbullimin e 3 mijë e 100 nënshkrimeve të verifikuara në Gjykatat përkatëse komunale.
Ndërkohë, më pas ka pësuar me formulimin e listës zgjedhore të firmosur nga 26 mijë e 927 votues shqiptarë, numër ky i definuar në proporcion me numrin e përgjithshëm të shqiptarëve që jetojnë në Serbi.
 Këshilli Kombëtar Shqiptar numëron 29 ulëse në Asamblenë e përgjithshme, ndërkaq është zgjedhë me mbi 17, 000 vota të shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe gjetiu në Republikën e Serbisë, ndërkaq Këshilli Kombëtar Shqiptar është konstituuar më 3 korrik 2010.
Ligji për formimin e Këshillave Kombëtare të Pakicave Kombëtare është i bazuar në Konventën e Këshillit të Evropës për të Drejtat Kolektive të Pakicave Kombëtare, në të cilën parashihen kompetencat në lëmin e arsimit, kulturës, informimit, përdorimit zyrtar të gjuhës dhe simboleve kombëtare.
Deri më tani ky institucion ka përpiluar Strategjinë e Përgjithshme dhe ka hapur proceset me rëndësi jetike për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe gjetiu në Republikën e Serbisë përmes Komisioneve përkatëse.  Gjithashtu, Këshilli Kombëtar Shqiptar ka mandatin për zgjedhjen e gjitha çështjeve që janë me interes nacional të shqiptarëve në Serbi.
“Presheva Jone”: Qytetarët e Luginës po përballen me shumë probleme, veçanërisht në fushat të cilat ju i përmendët, në fushën e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimin të lirë të gjuhës dhe simboleve kombëtare. Cilat janë angazhimet tuaja në këtë drejtim?
 
Beqiri: Kemi aprovuar Strategjinë e KKSH-së për vitin 2012/2016 e cila ka një kohë të gjatë që është duke u punuar në të dhe krahas këtij dokumenti do të zhvillojmë edhe veprimtarinë. Por, jemi të vendosur që në përpikëri të aplikojmë kompetencat që ka siguruar Ligji mbi të cilin është themeluar KKSH dhe për këtë nuk ka kompromis. Ku gjithashtu jemi të pakompromis në raport me prioritetet tona, Librat shkollorë në gjuhën shqipe, edukimi universitar dhe pasuniversitar, ruajtje e substancës kombëtare, ruajtja dhe mbrojtja e identiteti kulturor, përdorimi i simboleve kombëtare dhe përdorimi zyrtar i gjuhës dhe shkrimit shqip në të gjitha institucione,t inkurajimi kreativiteteve të reja kulturor, krijimi i një hapësire informative objektive dhe të pavarur.
Hapja e Fakultetit Ekonomik në Bujanoc i paraprin një procesi që ne po besojmë në krijimin e institucioneve universitare në gjuhën shqipe, përkatësisht, realizim e të drejtës së shqiptarëve për arsim të lartë në gjuhën amtare. Zyrtarizimi i më se 70 titujve të librave shkollorë i paraprinë një procesi të tillë, si dhe angazhimi i pakompromis në realizimin e të drejtave dhe interesave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, mbetet edhe më tej frymëzim për të ardhmen.
 
“Presheva Jone”: A mund të na thoni cilat janë pengesat apo vështirësitë me të cilat është përballur dhe po përballet KN-ja?
 
 
 
Beqiri: Vështirësitë rreth funksionit dhe pozicionimit të KKSH-së tashmë janë tejkaluar. Ndërkaq, në raport me Ministritë e Republikës së Serbisë, si Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Kulturës etj. jemi në kontinuitet duke u angazhuar dhe për t`i përballë faktet dhe argumentet rreth zgjidhjeve të problemeve vitale. Paradoksale është të quhen pengesa në raport me pushtet lokale të cilat edhe kanë konfirmuar qëndrimet e tyre në raport me KKSH-në. Është e mjerë të krijohet një mentalitet tek shqiptarët që “shqiptari për shqiptarin të bëhet më qen se qeni për qenin”. Jemi të hapur rreth inkurajimit të të gjitha mekanizmave që mund t`i mbrojnë dhe inkurajojnë interesat e shqiptarëve kudo.
 
 “Presheva Jone”: Cili është bashkëpunimi juaj me pushtetet lokale? A keni vendosur kontakte bashkëpunimi me udhëheqësit komunalë, nëse jo si i komentoni qëndrimet e tyre ndaj KN-së?
Beqiri: Më lejoni që të ritheksojë se KKSH-ja është e hapur ndaj të gjitha subjekteve institucionale lokale dhe me ngulm kërkon bashkëpunim, nga se prioritet janë zgjidhja e problemeve jetike, gjegjësisht, problemeve praktike me të cilat ballafaqohet sot një shqiptar në këtë trevë. Në mbrojtjen, ruajtjen, kultivimin e identitetit kombëtar, përkatësisht duke siguruar mekanizma institucionalë – administrativ. Të palëkundur jemi në zbatimin e të gjitha konventave të ratifikuara ndërkombëtare  nga Republika e Serbisë, ku edhe kemi gjetur mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Më duhet të them, se qëndrimet e ambasadave kyçe, si Ambasadës së Shqipërisë, SHBA-së, Britanisë së Madhe, OSBE-së dhe përfaqësuesve të OKB-së, kanë qenë vendimtare në ndërmarrjen e veprimeve të KKSH-së.
Pra, ky është kursi që do të mbaj KKSH, zbatimin e konventave përkatëse në bashkërendim me faktorin ndërkombëtar duke realizuar mbrojtjen, ruajtjen, kultivimin e identitetit kombëtar përmes fushave të veprimit që janë siguruar me ligj – në arsim, kulturë, informim, përdorim zyrtarë të gjuhës dhe shkrimit, si dhe çështjeve tjera me interes për shqiptarët.
 
“Presheva Jone”: Na thoni, si e shihni gjendjen aktuale politike në Luginë ose kah po shkon Lugina sipas mendimit tuaj? 
 
Beqiri: Varësisht cilët indikatorë komperativë i merrni mund të vlerësoni situatën aktuale në Preshevë, Bujanoc apo Medvegjë. Megjithatë, ne kemi ditur si të ruajmë substancën kombëtare shqiptare në këto treva gjatë 90-tave. Por, ajo që mbetet më shqetësuesja është migracioni i heshtur, përkatësisht zvogëlimi numerik i shqiptarëve. Në këtë drejtim në vazhdimësi po kërkojmë ndihmë nga Shqipëria dhe Kosova dhe nuk guxojmë të lejojmë që rasti i Medvegjës, ku në mënyrë drastike janë dëbuar dhe shpërngulë shqiptarët nga ky rajon, të përsëritet në Bujanoc e Preshevë.
Ne kemi indikatorët e parë ku në të gjitha shkollat, përkatësisht regjistrimi i nxënësve në klasën e parë ka rënë në nivele shqetësuese. Gjithsesi, ne po marrim të gjitha masat e mundshme në bashkëpunim me të gjitha subjektet e interesuara për ta ndalë këtë trend dhe për të inkurajuar kthimin përmes realizimit të drejtave në arsim, kulturë, informim përdorim zyrtarë të gjuhës dhe shkrimit shqip. Kjo gjithsesi, nënkupton edhe krijimit të hapësirës socio-ekonomike për zhvillim të përshpejtuar ekonomik.
KKSH mbështet platformën politike të 14 janarit 2006 të miratuar nga të gjitha subjektet politike shqiptare e në veçanti dispozitën përfundimtare ku thuhet duke rikonfirmuar vullnetin e popullatës të shprehur ne Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, për definimin e Luginës së Preshevës si rajon të posaçëm politik, territorial dhe kushtetues, në përkrahje të parimeve të Grupit të Kontaktit, lidhur me statusin e Kosovës, obligohen që, në rast të mosrespektimit të këtyre parimeve dhe ndryshimit eventual të kufijve të saj, do të angazhohen për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën. KKSH do të mbetet brenda këtyre kornizave.
 
“Presheva Jone”: Cili është bashkëpunimi i KN-së me biznesmenët e Luginës? Keni mbajtur ndonjë takim me këtë komunitet, nëse po cili është rezultati, nëse jo a planifikoni të vendosni kontakte bashkëpunimi?
Beqiri: Fatkeqësisht fusha e ekonomisë nuk është njëra nga kompetencat që siguron ligji.
Por, megjithatë kur vije puna në inkurajimin e biznesit shqiptar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë dhe të ndihmojmë në këtë drejtim. Kemi zhvilluar konsultime, jo vetëm me biznesmenët që zhvillojnë ndërmarrjet në këto tri komuna, por edhe me biznesmenë nga këto tri komuna, e që zhvillojnë biznese gjetiu nëpër Evropë. Jemi në konsultim e sipër në gjetjen e moduleve të bashkëpunimit ku duam të kyçim diasporën në rrjedhat ekonomike në këto komuna.

Metali Krasniqi

SHPËRNDAJE