Belgzim Kamberi në sytë e një gazete të njohur shqiptare SHEKULLI

 

Nga Ardit RADA

Gazetari dhe aktivisti shqiptar që la Perëndimin e qetë për Ballkanin e trazuar. U rrit në Belgjikë, vendosi të mbartet në Preshevë. Kritik i ashpër me Tiranën dhe Prishtinën. Belgzim Kamberi ka lindur më 06 tetor 1975 në Namur të Belgjikës, ku ka jetuar derisa u bind që vendi i tij nuk ishte Perëndimi i qetë por Ballkani i trazuar.

Sot, 37-vjeçari e ka lënë Belgjikën dhe jeton në Preshevë ku drejton Këshillin për të Drejtat e Njeriut për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Është gazetar dhe redaktor përgjegjës për botën shqiptare në portalin frankofon « Le Courrier des Balkans ». Më parë ka punuar edhe në Kosovë e Maqedoni, për mediat e ndryshme të huaja dhe rajonale.

 

Kauza politike, mbi familjen

Veshje përherë sportive, mjekër treditore, syze që i lëviz shpesh me duar, gjeste të vendosura ndërsa flet… Mund të thuhet se tashmë është aty ku duhet, dmth aty ku zemra, por edhe formimi i tij ia dikton. Belgzim Kamberi ka magjistruar në Universitetin e Parisit VIII (në Fakultetin e Shkencave Politike) në degën e Sociologjisë Politike.

Sot është një nga aktivistët e të drejtave të njeriut, më të njohur në rajon. Dhe 37- vjeçari që i ka dhënë kauzës politike edhe jetën e tij private është shumë kritik me Tiranën dhe Prishtinën lidhur me të drejtat e shqiptarëve të Luginës.

“Tirana dhe Prishtina duhet të politizohen përtej politikave të tyre të brendshme. Duhet të dalin nga provincializmi politik dhe të marrin përgjegjësitë e tyre për t’u treguar shtete serioze dhe për të mbrojtur interesat e bashkëkombasëve të tyre brenda dhe jashtë territorit shtetëror, sikurse veprojnë të gjitha shtetet serioze në botë, – mendon Blegzimi.

 

 

Tirana e Prishtina sipas Belgzimit

Por çfarë kanë mundësi të bëjnë Tirana dhe Prishtina në këndvështrimin e tij?

“Perspektiva politike dhe ekonomike për shqiptarët jashtë territorit të tyre! – thotë i vendosur aktivisti 37-vjeçar dhe shton:

“Në disa raste, Prishtina dhe Tirana i bashkohen pavetëdijshëm diskriminimit të Beogradit, Shkupi dhe Podgoricës. Zyrtarët e Prishtinës dhe Tiranës nuk kanë shqyrtuar deri më tani as çështjet më simbolike që do të duhej të ishin ngritur që më së paku dhjetë vite nga ta, siç është për shembull krijimi i një fondi të përbashkët për shqiptarët që jetojnë jashtë territorit të tyre administrativ. Për fat të keq, veprimet politike të Tiranës dhe Prishtinës ndaj Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës të kujtojnë veprimin e dikurshëm të Serbisë me serbët e Kroacisë, të cilat u braktisën, në momentin që nuk i duheshin më pushtetit serb në Beograd…”.

Një shpirt i trazuar politik

Dita e Belgzimit tashmë është e gjitha e dominuar nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Luginën e Preshevës. Kjo organizatë është themeluar gjatë viteve të Jugosllavisë së Millosheviçit, si degë e Këshillit për Mbrojtjen dhe Liritë e të Drejtave të Njeriut me seli në Prishtinë, që drejtohej atëkohë nga Adem Demaçi.

“Ideja ishte që të evidentohen, promovohen dhe mbrohen të drejtat e njeriut në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të cilat shkeleshin jo më pak, se ato të shqiptarëve të Kosovës. Me realitetin e ri të krijuar në Kosovë, më vitin 1999, KDNJ u detyrua të pavarësohej dhe që prej asaj kohe veprojmë si OJQ- tregon Belgzimi për Shekullin.

“Shqiptarët në Serbi janë sot pengu kryesor i marrëdhënieve të tanishme shqiptaro-serbe dhe i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Shqiptarët në Serbi paguajnë sot faturën e hakmarrjes politike së Serbisë, duke ngelur të diskriminuar në fushën politike, ekonomike, sociale e kulturore” – thotë Belgzimi.

Ai është qartazi një përfaqësues model i shqiptarit të sotëm të pjesës shqiptare në Serbi për të cilën ende nuk është ngritur zëri mjaftueshëm. Një shpirt i trazuar politik. Shqiptarët e kësaj treve ndjejnë presion të heshtur. Atë presion, që mund të duket simbolik, por që në thelb është politik. Ashtu siç thotë vetë Blegzimi: Presion nuk janë vetëm pasojat e dhunës politike së djeshme, por edhe mungesa e perspektivave të nesërme…

JETA

Emri: Belgzim

Mbiemri: Kamberi

Datëlindja: 6 tetor 1985

Vendlindja: Namur, Belgjikë

Venbanimi: Preshevë

Profesioni: Gazetar dhe redaktor për botën shqiptare në “Le Courrier des Balkans”.

Arsimimi: Magjistrat në Universitetin Paris VII, Francë

Dega: Shkenca Politike

Gjuhët e huaja: Anglisht, frëngjisht, serbisht

SHPËRNDAJE