(AIK-Presheva Jone)

 

Banka Evropiane për Investim (BEI) i akordoi 130.000.000 euro Republikës së Maqedonisë për ndërtim të një pjese të autostradës së Korridorit 10, respektivisht aksit rrugor Demir – Kapi – Smokvicë.

Siç komunikoi Ministria e Financave, paratë janë akorduar nën kushte jashtëzakonisht të volitshme, me shkallë interesi, e cila momentalisht arrin 1,3 për qind, me afat për pagesë prej 15 vjetëve me pesë vjet të kyçura grejs periudhë.

Vlera e gjithë projektit arrin rreth 245 milionë euro. Krahas BEI, në financim do të marrin pjesë edhe Bashkimi Evropian me grant prej 45.000.000 përmes IPA-programit dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim me hua prej 107.000.000 euro, nga të cilat 90.000.000 euro dedikohen për ndërtim të autostradës, ndërsa pjesa tjetër për modernizim të sistemit për pagesë të taksës rrugore dhe stacioneve për pagesë përgjatë autostradës së Korridorit 10. Republika e Maqedonisë merr pjesë në projektin me rreth 6.000.000 euro të siguruara nga buxheti i shtetit.

“Ndërtimi dhe zhvillimi i korridoreve pan-evropiane kryesore, të cilët kalojnë nëpër vendin tonë janë prioritet i lartë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë”, thuhet në kumtesë.

Me zgjidhjen e autostradës së Korridorit 10 do të ndërtohet pjesë moderne e rrugës në pajtueshmëri me standardet evropiane. Ajo do të kontribuojë për zvogëlimin e shpenzimeve rrugore, si dhe për kursimin e kohës, përmes lehtësimit të qarkullimit të automjeteve. Me ndërtimin e këtij aksi me gjatësi prej 28 kilometrave, do të sigurohet ndërlidhje e qendrave kryesore urbane, industriale dhe tregtare përgjatë Korridorit 10 në kuadër të rajonit dhe më gjerë në Evropë, që do të ndikojë në rritjen e transitit të automjeteve nëpër vend dhe shkëmbimin tregtar.

SHPËRNDAJE