Nga:  Ef.Nexhmedin ADEMI
     Secili popull shënon datat e rëndësishme në historinë e vet. Ngjarjet historike shënohen sepse disa prej tyre kanë ndryshuar rrjedhat e historisë. Ato mundësojnë që të përfundon një epokë e historisë, e të lindë një tjetër e re. Kur’ani fisnik na tregon se Musa a. s. në ballafaqim me faraonin Ramsisin e dytë i cili supozohet të ketë jetuar 1200 vite para erës sonë, doli fitues duke i dhënë fund një nga dinastive më të forta që njeh historia e qytetërimi njerëzor. Beteja e Kadisijes ishte vendimtare e cila u zhvillua në mes myslimanëve dhe persianëve. Ajo, shënoi rënien Perandorisë Persiane me traditë dymijë vjeçare. Çlirimi i Stambollit shënon fundin e historisë së mesjetës së vonshme dhe lindjen e periudhës së re bashkëkohore. Ndërsa, në kohën tonë, rënia e Murit të Berlinit, dhe sulmet e 11 Shtatorit të 2001 – shit, si dhe lufta kundër terrorizmit global, kanë ndikuar që të ridefinohet qëndrueshmëria teorike e të drejtës ndërkombëtare e përkufizuar në periudhën e Luftës së Ftohtë.

Beteja e Bedrit e cila ka ndodhur ne natën 17 të muajit të bekuar të Ramazanit, viti i dytë sipas hixhretit, korrespondon me 13, janarin e vitit 624 sipas kalendarit miladi. Kjo betejë ka një vend të veçantë në historinë e kulturës dhe qytetërimit islam. Të arriturat e mëvonshme të Islamit në arenën ndërkombëtare pa dyshim se i dedikohen suksesit që korrën myslimanët në betejën e Bedrit. Muhamedi a.s. ishte i vetëdijshëm për rëndësinë që ka kjo luftë në përhapjen e mesazhit islam. Sikur myslimanët mos ta fitonin këtë ballafaqim me idhujtarët, për pasoj mund të rrezikohej ekzistenca biologjike e gjeneratës së parë të myslimanëve që ishin bartësit më të mirë të promovimit të vlerave të islamit burimorë, duke u bërë shembull për gjeneratat e më vonshme. Duke u nisur nga kjo, na është e kuptueshme lutja e Muhamedit a.s. një natë para kësaj ngjarje drejtuar All – llahut të Lartësuar, për ta ndihmuar këtë grusht njerëzish në mënyrë që të mbijetoj Islami.

Muhamedi a.s. nuk dëshironte që përmes luftës të zgjidheshin çështjet kontestuese. Ai kujdesej që të evitoj luftën duke i evituar mendimet për luftën. Kështu, dërgoi Omerin r. a. që të dialogoj me idhujtarët mekas në mënyrë që të kthehen në shtëpi dhe të ndalet gjakderdhja. Një propozim i tillë nuk u pranua, edhe pse të gjitha hulumtimet e rrethanave shoqëroro historike që ndërlidhen me këtë betejë në çdo aspekt i japin të drejt myslimanëve për të luftuar. Ata ishin të dëbuarit nga vendlindja e tyre, pasuria e tyre ishte uzurpuar në Mekke, madje edhe karvani tregtarë i drejtuar nga Ebu Sufjani që u bë shkak për këtë luftë, ishte përgatitur për tregti nga pasuria e myslimanëve që kishin lënë Meken me rastin e hixhretit në Medine. Ata pak besimtarë që kishin mbetur në Meke torturoheshin nga idhujtarët Mekas. Siç u pa më vonë, idhujtarët mekas nuk u ndalën nga qëllimi i mbrapsht për t’i zhdukur myslimanët nga faqja e dheut, edhe pse mësuan para fillimit të betejës, se fati i karvanit tregtarë ishte i sigurt. Betejën e Bedrit, Kurani Fisnik e quan edhe “jevmul – furkan”, ditë kur përfundimisht triumfoi e vërteta (haku), që për burim ka drejtësinë Hyjnore që buronte nga botëkuptimi i monoteizmit të pastër Islam, kundër të pavërtetës (batilit), e cila buronte nga pikëpamja politeiste që e përmbanin idhujtarët mekas.

Vlerat qytetëruese të dala nga beteja e Bedrit, meritojnë një trajtim në vete, sepse sinjalizojnë për një arritje të re qytetëruese në historinë njerëzore. Në këtë luftë Muhamedi a. s. nuk e vendosi fitoren me çdo çmim të mundur. Ai refuzoi ndihmën e ofruar nga disa idhujtarë që të luftojnë kundër idhujtarëve, sepse nuk dëshironte që të përzihet qëllimi i pastër, e që ishte fitorja e besimit – imanit ndaj pabesimit – kufrit, vuri në praktik parimin e konsultimit (parlamentarizmit), ndaloi marrjen e informacionit përmes torturës, respektoi mendimin e ushtarëve, dialogoi para betejës për ta evituar konfliktin, u tregua mirënjohës ndaj idhujtarëve që nuk kishin torturuar myslimanët sa ishin në Meke, mbajti e besën e premtuar, dha garanci për mos torturimin e robërve etj. Këto vlera, bota e qytetëruar e identifikuar me perëndimoren, edhe pse disa shekuj prapa myslimanëve, tenton t’i paraqes si arritje të veta, në emër të një bote progresive dhe përparimtare. Mirëpo, Abu Garibi në Irak, Guantanamo në Amerikë, Srebrenica në Bosnje, internimi i shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së fundit për në vendet e treta, tolerimi i terrorit dhe masakrimit të popullit Sirian, seriozisht e kanë vendosur në diskutim moralin njerëzorë të njeriut modern i liruar nga “robëria e religjionit”, që për burim ka dijen humane.

Pranvera arabe në skenën politike ka sjellë forca të reja që promovojnë një orientim të ri kulturor e politik. Këto forca gjenden para një sfide të madhe: konsolidimin e demokracisë në dobi të mirëqenies socialkulturore të qytetarit dhe përhapjen e vlerave të Betejës së Bedrit që reflektojnë mesazhe me përmasa planetare. Për të parë se a do të realizohen këto ideale me botëkuptime universale na mbetet të presim ditëve në vijim.

SHPËRNDAJE