Dorëheqja e trajnerit Fabio Capello nga drejtimi i përfaqësueses angleze e ka befasuar jo pak David Beckham. Ish-kapiteni i Tre Luanëve në një komunikatë për shtyp deklaroi se nuk e priste largimin e teknikut italian pikërisht pak muaj përpara Kampionatit Evropian të futbollit.

‘U befasova kur dëgjova për dorëheqjen e Fabio Capello-s si trajner i Anglisë në një kohë kur po afron Euro 2012-lexohet në komunikatën e Beckham, – është për të aedhur keq pasi ndodhi në një moment kritik për ekipin përfaqësues. Sigurisht Capello kishte arsyet e tij që ndërmori këtë hap dhe unë e respektoj shumë atë”

Fabio Capello dha dorëheqjen si trajner i Anglisë në 9 shkurt për shkak të polemikave të shumta në lidhje me vendimin e Federatës së Futbollit për heqjen e shiritit të kapitenit John Terry-t. Në këtë cështje Beckham mbështeti Capello-n duke deklaruar se i takon trajnerit të vendosë se cili futbollist do të jetë kapiten i skuadrës.

Ndërkaq, Federata Angleze e Futbollit ka zgjedhur si trajner të përkohshëm të Anglisë, Stuart Pearce, ndërkohë që kandidati kryesor për të marrë këtë rol për një afat më të gjatë kohe është Herry Rednap.

SHPËRNDAJE