Në luftën kundër krizës së borxheve Komisioni Evropian ka kërkuar nga Portugalia përpjekje të mëtejshme, edhe pse vendi ka shënuar ndërkohë përparime konkrete.
Si shembuj eksperti i Komisionit të BE, Peter Weiss, përmendi disiplinën e rreptë buxhetore, privatizimet dhe liberalizimin e sektorit të shërbimeve. “Rreziqet e mëdha” vazhdojnë të ekzistojnë, u tha në raportin e komisionit të BE për programin rregullues për Portugalinë. Kështu rritja e mëtejshme e papunësisë mund të vërë në pikëpyetje pikësynimet për buxhetin. Ndoshta qeveria duhet të ndërmarrë edhe reforma të mëtejshme në tregun e punës. Qeveria në Lisbonë do ta ulë deficitin e ri strukturor të vitit të kaluar dhe të këtij viti gjithsej me 7,5 përqind të produktit të brendshëm bruto (PBB).

BE: Paketa e dytë e ndihmës nuk është e nevojshme

“Kjo është gjë e madhe, shumë ambicioze”, vlerësoi Weiss. Borxhi i përgjithshëm pas nivelit maksimal prej 115 për qind të produktit të brendshëm bruto vitin e ardhshëm, do të bjerë deri në vitin 2030 në 80%. Në bazë të situatës së tanishme nuk është e nevojshme një paketë e dytë kredie për Portugalinë, shtoi përfaqësuesi i BE-së. Portugalia mund të vetëfinancohet përsëri në tregjet e kapitalit që nga fundi i vitit të ardhshëm, në qoftë se respekton me rigorozitet kursin e kursimit dhe të reformave.
Rënia e premieve për rrezikun e obligacioneve shtetërore të Portugalisë në dy muajt e fundit është një shenjë e mirë. Normat e interesit janë reduktuar në 12 për qind, ndërsa në janar ata arrinin në 17 për qind. Parashikimet për Portugalinë ishin pozitive, por është ende çështje e hapur, nëse rezultatet mund të bindin dhe të kënaqin tregun.
Rrezik paraqet situata e keqe në vendet e tjera të eurozonës, kryesisht në Spanjë, në fqinjin më të afërt të Portugalisë. Për këtë vend testi i parë do të jetë në shtator 2013, kur duhet të refinancohen obligacionet afatgjata qeveritare në shumën prej dhjetë miliardë euro.

Deficiti buxhetor është përgjysmuar

Lajme të mira vijnë nga Portugalia edhe në lidhje me deficitin.Gjithsej treshja e përbërë nga BE, Banka Qëndrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka dhënë Portugalisë një notë shumë më të mirë se Greqisë për zbatimin e programit të hartuar së bashku me donatorët ndërkombëtarë. Në sajë të të ardhurave të posaçme nga fondi i pensioneve, Portugalia ka përgjysmuar deficitin e saj buxhetor. Deficiti në buxhetin e shtetit tani arrin në 4,2 për qind për vitin 2011, ndërsa një vit më parë ai ishte 9,8 për qind. Kështu Portugalia ka përmbushur kërkesat e donatorëve ndërkombëtarë. Pa të ardhurat shtesë nga fondet e pensioneve të bankave deficiti do të arrinte në 7.5 për qind. Treshja kërkon që synimi i ardhshëm duhet të arrihet pa të ardhura shtesë. Portugalia ndodhet aktualisht në recesion më të madhe që nga viti 1970.

Përgjigje e dobët ndaj grevës së fundit

Dhjetë ditë më parë në Portugali u zhvillua një grevë të përgjithshme në shenjë proteste kundër masave shtrënguese të qeverisë. Edhe pse prej saj u bllokua kryeqyteti i Portugalisë, përgjigja ndaj grevës nuk ishte e madhe. Thirrjen për grevë e bënë sindikatat komuniste CGTP, por jo sindikatat më të fuqishme UGT të afërta me socialdemokratët. Rezonancën më të dobët krahasuar me grevat e mëparshme sindikatat e shpjegojnë ndër të tjera me frikën e punëtorëve dhe të punonjësve për vendin e punës. Në grevën e fundit të madhe në nëntor 2011 në Portugali morën pjesë thuajse tre milionë njerëz. Në përleshje me policinë në grevën e fundit me 22 mars pati edhe disa plagosur lehtë.Sindikatat portugeze akuzojnë qeverinë në Lisbonë, se gjendet nën diktatin e Bashkimit Evropian dhe FMN-së dhe po e çon vendin drejt shkatërrimit. Niveli i të papunëve të përhershëm në Portugali është aktualisht 14,5 për qind.DW

SHPËRNDAJE