Shkup/Tetovë, 5 qershor – Partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim vetëm 15 minuta pas mbylljes së vendvotimeve ka dalë në një konferencë për shtyp. Zëdhënësja e shtabit qendror të kësaj partie, Ermira Mehmeti-Devaja tha se dita e sotme ishte fitore e trefishtë, sepse, si tha ajo, fituan shqiptarët, fitoi demokracia dhe, padyshim, fitoi BDI-ja.
“Dita e 5 qershorit do të mbetet në histori si një ditë e fitores së demokracisë dhe një ditë e madhe për shqiptarët e Maqedonisë. Mbarëvajtja e procesit zgjedhor tregon qartë se kur duan partitë politike në pushtet, procesi zgjedhor mund të rrjedh në mënyrë të qetë dhe demokratike. Ne sot dëshmuam se BDI-ja di të organizojë zgjedhje të lira e demokratike sipas standardeve ndërkombëtare”, deklaroi ajo.  Sipas BDI-së, gjatë ditës së sotme nuk janë regjistruar incidente apo presione ndaj votuesve. Para saj, në konferencë për shtyp doli edhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike Shqiptare më seli në Tetovë. Një nga zyrtarët e saj akuzoi BDI-në se ka kërcënuar anëtarët e vendvotimeve, përmes militantëve të saj, në disa qendra votimi në Shkup dhe Kërçovë. 

Ky zyrtar tha se kërcënimet kishin cak anëtarët e komisioneve të PDSH-së

Duke përmendur numrat e vendvotimeve ku kjo parti pretendon se ka pasur parregullsi dhe emrat e atyre që janë përfshirë në këto incidente, PDSH sqaroi se me të gjitha këto shqetësime janë njoftuar edhe vëzhguesit e huaj. PDSH u bëri thirrje simpatizantëve të saj që të mos festojnë para se kjo parti të deklarojë rezultatet.Nënkryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Subhi Jakupi deklaroi se deri në orën 18, në zgjedhjet e shtata parlamentare në këtë republikë kanë votuar rreth 54 për qind e personave me të drejtë vote. Sipas Jakupit, kjo përqindje është më e lartë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.
Pritet që rezultatet e para preliminare të zgjedhjeve të sotme të publikohen të hënën në paradite. / KohaNet

SHPËRNDAJE