Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sonte ka festuar ditëlindjen e dhjetë të saj që nga dalja në skenë për herë të parë në Maqedoni më 5 qershor të vitit 2002. Kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti para anëtarëve të partisë së tij kishte deklaruar se me angazhimin e kësaj elite politike u arrit të ndryshohet kushtetuta e Maqedonisë.

“5 qershor 2002 paraqet një ditë të madhe jo vetëm për anëtarët dhe përkrahësit e BDI-së por edhe për të gjithë qytetart e Maqedonisë. Angazhimi jonë arriti të ndryshojë Kushtetutën dhe preambulën, duke ndryshuar në këtë mënyrë edhe konceptin e shtetformësimit dhe karakterin politik të Maqedonisë”, tha mes tjerash Ahmeti.

Ai theksoi se Marrëveshja e Ohrit e cila bazohet në konceptet e decentralizimit, mosdiskriminimit, përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, procedurat e veçanta parlamentare, arsimi, përdorimi i gjuhës, si dhe shprehja e identitetit kombëtar, u bënë pjesë e Kushtetutës.

“Në këtë mënyrë parimi i demokracisë konensuale u realizua nëpërmjet parimit të dyfishtë në parlament për të gjitha ligjet që prekin interesat e komuniteteve në Maqedoni”, tha Ahmeti.

Në këtë solemnitet ishin të pranishëm të gjithë ministrat dhe funksionarët e BDI-së, anëtarë dhe simpatizantë të partisë. Ndërkaq më 12 qershor, BDI do të organizojë një mbrëmje tjetër në të cilën do të jenë të ftuar edhe partitë tjera politike në Maqedoni dhe në rajon, kori diplomatik etj.

SHPËRNDAJE