”Ne si OVL e UÇPMB-së asnjë herë nuk do të pajtohemi me ndonjë zgjidhje tjetër, përpos çështjes kombëtare që i bashkon shqiptarët”, vlerëson OVL-UÇPMB-së, duke shtuar se “jemi kundër çfarëdo koalicioni shqiptaro-serb, qoftë koalicioni si ky tanishmi, qoftë edhe për atë që po flitet”

 

Bujanoc, 28 shtator – Paralajmërimet për shpërbërjen e pushtetit komunal të Bujanocit nga ana e opozitës, sot dështuan, ndonëse sipas tyre, zotimet dhe synimet e tyre s`do të ndalen deri më arritjen e qëllimit të tyre.

 

Ndonëse nën “Ethet e së premtes” në garën për luftën e pushtetit lokal, seanca e radhës e shumëpritur nga opozita e asamblesë komunale të Bujanocit, sot ka vazhduar punimet sipas orarit të paraparë. Në këtë seancë, morën pjesë 23 këshilltarë nga 41 sosh sa ka gjithsej asambleja komunale, çka do të thotë se morën pjesë edhe dy këshilltarë më shumë se sa kishte më parë koalicioni qeverisës i Nagip Arifit, ngase në këtë seancë morën pjesë edhe këshilltarët e Partisë Përparimtare Serbe, ndonëse ata nuk ishin pjesë e koalicionit.

 

Mirëpo, thellimi i divergjencave mes pozitës dhe opozitës shqiptare në komunën e Bujanocit, me ç`rast janë duke u përballë para sfidave të reja dhe katandisjeve politike, e veçmas pas involvimit të Beogradit zyrtar, në skenarët për krizë në pushtetin lokal të Bujanocit, mbase lidhur me këtë situatë të tensionuar ndërshqiptare të këtij rajoni, s`kishte qenë mirë që Prishtina zyrtare të vëzhgojë duarkryq, ngase është e domosdoshme për momentin të involvohet në këtë situatë për tejkalimin e mosmarrëveshjeve të liderëve politikë të Luginës.

 

Këtë “tërmet politik” e ka krijuar kryeministri serb, njëherësh dhe kryetar i SPS-së, Ivica Daçiq, përmes një këshilltari politik të tij, që ka në asamblenë komunale të Bujanocit, e që po e luan lojën e “xhokerit” politik, ngase deklarata e tij, dhënë javë më parë se partia e Riza Halimit, duhet të jetë pjesë e koalicionit qeverisës në Bujanoc, me ç`rast pati trazuar elektoratin e këtushëm, dhe pati luhatur koalicion shqiptaro-serb, në Bujanoc.

 

Edhe opozita shqiptare pati alarmuar opinionin se së shpejti qeverisja lokale në Buajnoc, do të shpartallohet, me ç`rast zëra të tillë patën ngritur shqetësimin edhe tek koalicioni qeverisës multi-etnik.

 

Në një takim mes partnerëve të koalicionit, pas kthimit të prefektit të Bujanocit, Nagip Arifit, me ç`rast pati ndërprerë vizitën zyrtare në Turqi, pati deklaruar se “përpjekjet e opozitës për ta prishur këtë qeverisje lokale janë vetëm një manovër politike, çka dhe deklarata e tij, rezultoi e drejtë edhe në mbledhjen e sotme të asamblesë komunale se koalicioni është stabil dhe i paluhatshëm, ndërsa përpjekjet e opozitës i pati vlerësuar të dështuara.

 

Mirëpo, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, njëherësh dhe deputet popullor, pret që së shpejti pushteti lokal në Bujanoc do të ndërrohet pas emërimit të Trupit të ri Koordinues për Luginë të Preshevës, ngase sipas tij, ndërrimi i pushtetit lokal në Bujanoc varet nga qeveria e Serbisë dhe e partive më të mëdha të koalicionit qeverisës.

 

Halimi, duke elaboruar lidhur me koalicionin aktual në Bujanoc, thekson se të jetë krijuar me pëlqimin e qeverisë së kaluar të Serbisë dhe të Trupit Koordinues në përbërje të kaluar, që ka mbështetur më tepër partitë shqiptare që kanë bojkotuar zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhjet e Këshillit Nacional të Shqiptarëve.

 

Halimi, theksoi edhe se pas zgjedhjeve lokale në Bujanoc është bërë koalicion i brishtë rreth Partisë Demokratike lider i së cilës është Nagip Arifi, që ka bojkotuar dhe ka tentuar t`i pamundësojë zgjedhjet parlamentare serbe dhe zgjedhjet për Këshillin Nacional të Shqiptarëve në Bujanoc, duke shtuar se “koalicioni i tillë nuk do të mund të zgjidhë problemet, e as të bashkëpunojë me qeverinë e re të Serbisë”.

 

Ndërkaq, OVL e UÇPMB-së i fton urgjentisht partitë politike shqiptare të Luginës, veçmas ato të Bujanocit, që në këto momente historike me të cilat po përballet populli shqiptar, t`i bashkojnë forcat e tyre politike mes vete dhe të hyjnë në asamblenë komunale të Bujanocit të bashkuar me 30 këshilltarë shqiptarë, sepse zgjidhja e vetme për popullin tonë është bashkimi mes shqiptarëve.

 

”Ne si OVL e UÇPMB-së asnjë herë nuk do të pajtohemi me ndonjë zgjidhje tjetër, përpos çështjes kombëtare që i bashkon shqiptarët”, vlerëson OVL-UÇPMB-së, duke shtuar se “jemi kundër çfarëdo koalicioni shqiptaro-serb, qoftë koalicioni si ky tanishmi, qoftë edhe për atë që po flitet”.

 

Do theksuar, se asambleja komunale e Bujanocit, ka gjithsej 41 këshilltarë, ndërsa koalicionin qeverisës të asamblesë komunale e përbëjnë Partia Demokratike e Nagip Arifit, me 12 këshilltarë dhe 9 këshilltarë të partive serbe, përfshirë kështu; Partinë Socialiste të Serbisë, Partisë Demokratike, Regjioneve të Bashkuara të Serbisë dhe grupit të qytetarëve. Në opozitë janë 18 këshilltarë shqiptarë; të Partisë për Veprim Demokratik, 9 këshilltarë, të Lëvizjes së Progresit Demokratik, 6, të Unionit Demokratik të Shqiptarëve, 3, dhe dy këshilltarë të Partisë Përparimtare serbe,

 

Mirëpo, si do që të jetë epilogu i këtyre mosmarrëveshjeve dhe thellimi i divergjencave mes pozitës dhe opozitës shqiptare në komunën e Bujanocit, tashmë gjendet para sfidave të reja dhe katandisjeve politike, e që “të zitë e ullirit” po i bartin qytetarët e Komunës së Bujanocit, që nga konstituimi i parlamentit lokal, e deri më sot, e që po përballen me ethet e zënkave të pozitës dhe opozitës për pushtet, duke lënë mënjanë problemet e tjera ekzistenciale, me të cilat po përballen për çdo ditë shqiptarët e këtij rajoni.

 

 

 

Metali Krasniqi

SHPËRNDAJE