Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) do të marrë pjesë në takimin e liderëve, të cilin për sonte e thirri presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, sepse mendon se kjo është mundësi që të gjenden zgjidhje adekuate për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që prijnë, vendosi Kryesia qendrore e partisë, në takimin e mbrëmshëm në selinë e partisë në Reçicë të Vogël.

“Me qëllim që të jemi pjesë e zgjidhjes së problemit, BDI e pranoi ftesën e presidentit Ivanov dhe do të marrë pjesë në takimin e liderëve, kur duhet të gjenden zgjidhje për përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Qëndrimi i BDI-së është të ketë zgjedhje sa më parë, sepse, në të kundërtën, nëse zgjedhjet do të prolongoheshin, kjo nuk do të ishte mirë për shtetin”, deklaroi pas takimit kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Duke u përgjigjur në pyetjen gazetareske rreth situatave në koalicionin qeveritar, Ahmeti tha se marrëdhëniet ndërmjet partnerëve qeveritar janë korrekte.

“Ne çdo ditë bisedojmë, koordinohemi dhe bashkëpunojmë. Ka momente kur për probleme të caktuara nuk kemi qëndrime të njëjta, por me bisedime mund të gjenden zgjidhje dalëse. Nuk është hera e parë të kemi situata të këtilla, por problemet nuk janë të tilla në mënyrë që të mos mund të menaxhohen dhe tejkalohen”, tha Ahmeti.

Sipas tij, menaxhimi i keq i procesit me zgjedhjen e guvernatorit të ri të Bankës popullore ka kontribuuar që deputetët e tyre të mos marrin pjesë në mbledhjen e Kuvendit kur Dimitar Bogov u zgjodh në atë funksion.

I pyetur nëse deputetët e kësaj partie do të marrin pjesë në mbledhjen e së premtes kur duhet të votohet për kryetar të ri të KSHZ-së, Ahmeti tha se BDI nuk e bojkoton Parlamentin e Maqedonisë.

Ai sqaroi se edhe takimet me disa ambasadorë që i ka pasur gjatë ditës së djeshme, nuk kanë qenë për shkak të ngjarjeve aktuale politike në vend, por se kanë qenë të karakterit të rregullt dhe të caktuara paraprakisht.

SHPËRNDAJE