Basha takoi sot përfaqësues të elitës së sportit në Kryeqytet ku shpalli projektin e tij për ringjalljen e sportit në Tiranë. Shumë rrallë ndodh që një sportist të harrojë sportin, por kjo, jo në rastin e Lulzim Bashës. Ish-volejbollisti që sot kandidon për kryetar të Bashkisë së Tiranë, Lulzim Basha ka adresuar në mënyrë të detajuar në programin e tij problematikën e sportit – që nga terrenet sportive e deri tek mbështetja për sportistët. Basha ka planifikuar mbështetje jo vetëm për Tiranën, gjë që e ka për detyrë Bashkia, por edhe për 3 klubet e tjera, Partizanin, Dinamon dhe Studentin. Madje Basha është optimist edhe për rikthimin e emocioneve të derbit Tirana–Partizani.

“Jam i vendosur të siguroj të gjitha burimet e nevojshme për të rikthyer fuqishëm sportin si pjesë e përditshme, themelore e jetës së qytetarëve të Tiranës. Së pari, plani i ri urbanistik. Përveç ndalimit të cënimit qoftë edhe të një centimetër katror të hapësirave publike të gjelbërta dhe në veçanti ato sportive, ne do të fillojmë t’i rigjenerojmë këto hapësira dhe t’i rifitojmë aty ku ato mungojnë. Do të orientojmë të gjithë energjitë tona për sportin profesional. Unë do të propozoj që pallatin e sportit “Asllan Rusi” ta rimarrë dhe ta administrojë Bashkia e Tiranës. Kjo, në asnjë mënyrë nuk mund të pakësojë përgjegjësinë tonë, as vendosmërinë time për të ndërhyrë menjëherë me të gjitha mjetet, për të rindërtuar tërësisht dhe për të furnizuar me kapacitete europiane, dy njësi që tashmë Bashkia i ka në përgjegjësi – palestrën e sportit “ Farije Hoti” dhe stadiumin “Selman Stërmasi”. Unë kam një vështrim fare të qartë për menaxhimin e klubit të Tiranës. Pikësëpari duke i dhënë klubit sportiv Tirana gjithë mbështetjen e nevojshme financiare në të gjithë gamën e aktiviteteve që zhvillon, si përgjegjësi e drejtpërdrejtë, si simbol i qytetit të Tiranës, si detyrim ndaj qytetarëve të Tiranës. Ne nuk mund të mbyllim sytë para gjendjes aktuale të tre klubeve tjera, Partizanit, Dinamos dhe Studentit. Ne duhet të mendojmë të rikthejmë emocionet e forta të derbit Tirana – Partizani. Por unë do të investoj fort duke e nxitur garën sportive në çdo nivel”, u shpreh Basha.

Tirana mbart në gjirin e saj, elitën e sportit. Ata që bëjnë të ndihet krenar çdo shqiptar me performancën e tyre në kompeticione ndërkombëtare, janë lënë sot në harresë. Lulzim Basha parashikon për këtë kategori mbështetje financiare nga Bashkia e Tiranës.

“Jam i vendosur të ngre fondin bashkiak të ekselencës sportive dhe artistike të qytetit, në mënyrë që asnjë prej ikonave dhe idhujve sportivë të qytetit të Tiranës të mos e gjejë më veten në kushte të papranueshme financiare”, tha Basha.

Basha ka bërë të ditur në këtë takim me figura të shquara të sportit shqiptar se ata do të jenë bashkë-vendimarrës me Bashkinë në hartimin e projekteve dhe identifikimin e nevojave për sportin që nga ai komunitar dhe deri tek ai elitar.

SHPËRNDAJE