Basha: Problemet e qytetarëve, problemi im

Balli Kombëtar Demokrat hapi sot fushatën elektorale në Tiranë. Kryetari i kësaj partie Artur Roshi, duke ofruar mbështetje për kandidatin Lulzim Basha, shprehu bindjen se sikurse realizoi projektet më të mëdha të kombit shqiptar, do të ndryshojë edhe Tiranën. Sipas Roshit, komunat dhe bashkitë janë agjensi shërbimi dhe jo siç i konsiderojnë socialistët, pushtet për kryetarin. “Ju ftoj të votoni për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Ai është një administrator me kontribut të qenësishëm në sukseset e qeverisë së djathtë, që ka arritur vendi ynë në këto vite. Ambicja e tij është e barabartë me aftësinë e tij”, tha kreu i kësaj partie, Artur Roshi.

Kandidati për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha duke shpalosur programin, nënvizoi se punësimi dhe mirëqenia e qytetarëve të Tiranës është prioriteti i tij kryesor. Basha e ka konsideruar çdo problem të qytetarëve të Tiranës si problem të tijin. “Pa patur dashuri në shpirt, nuk mund të hedhësh asnjë hap përpara në rrugën e gjatë dhe të vështirë të cilën ne do të nisim së bashku në datën 8 Maj. Sepse ky qytet ka nevojë për një Kryebashkiak të llojit të ri, ka nevojë për një Bashki të re, një Bashki me veshë për të dëgjuar qytetarët, një Bashki me sy për të parë hallet e tyre, një Bashki me zemër e cila do të konsiderojë çdo problem të qytetarëve si një problem të vetin. Unë ju siguroj se vlerë mbi vlerat, program mbi programet, zotim mbi zotimet e Kryebashkiakut tuaj të ardhshëm, është të konsiderojë çdo problem të qytetarit e qytetit si problemin tim personal”, tha Basha.

 

Politikani i njohur Sabri Godo shprehu bindjen në fitoren e Lulzim Bashës, pasi siç tha ai, Basha po u çel shpresën banorëve të Tiranës. Sipas Godos, çdo ditë shtohet mbështetja për Lulzim Bashën dhe programin e tij. “Gjithnjë e më tepër binden qytetarët e Tiranës se duhet të zgjedhin Lulzim Bashën, nëse duan të heqin nga vetja e tyre një barrë të madhe që mbajnë në këtë katrahurë që quhet sot Tirana. Unë i dashur Lul, jam me zemër të ngrohtë, megjithatë ti vijoi takimet me qytetarët, thuaje fjalën tënde sepse njerëzit janë duke dëgjuar dhe je duke u çelur shpresën”, tha Godo.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni