Basha: Primare, rritja e vendeve të punës

Ristrukturim i administratës së Bashkisë së Tiranës, me qëllimin e përmirësimit të efiçencës ndaj qytetarëve, pa harruar asnjëherë faktin se rritja ekonomike dhe hapja e vendeve të punës, mbetet primare për këtë institucion.

http://www.botasot.info/img/Basha-ne-Bashki.jpgKy është vetëm njëra nga vendimet kryesore që do t’i paraqiten Këshillit Bashkiak të Tiranës, gjatë mbledhjes së tij të nesërme, komunikuar publikisht sot nga kryebashkiaku Lulzim Basha.

Nga ana tjetër, ai përmendi edhe premtimin e tij të bërë gjatë fushatës elektorale, atë të krijimit të Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, si institucion në varësi të Bashkisë së Tiranës.

Por në të njëjtën kohë, edhe atë ngritjes së një Agjencie Turizmi për kryeqytetin. “Jam i angazhuar për ta promovuar këtë degë të rëndësishme të ekonomisë sonë. Agjencia Turistike është një degë e rëndësishme e turizmit në Tiranë”, tha ai.

Duke vijuar më pas edhe me krijimin e Drejtorisë së Investimeve Strategjike; por edhe ndarjen e Drejtorisë së Rinisë, Kulturës dhe Sporteve.

“Do t’i ndajmë drejtoritë: një për artin dhe kulturën, e një për sportin dhe rininë. Do t’u kthej qytetarëve aktivitetin e munguar artistik”, tha Basha konkretisht lidhur me një fakt të tillë.

Duke shtuar se do të krijohen gjithashtu edhe dy zyra për përmirësimin e gjithëpërfshirjes së qytetarëve.

“Do të krijohen dy zyra: një për mbrojtjen e diskriminimin dhe një për barazinë gjinore”, sqaroi ai.

Më tej, kryebashkiaku Basha përmendi edhe projektin e tij për taksat vendore.

“Vendimet e mia kanë në qendër të vëmendjes qytetarin dhe rritjen ekonomike. Primare, rritja e vendeve të punës. I vetmi kriter vlerësimi në Bashki, është cilësia e shërbimit ndaj qytetarit. Qytetari dhe problemet e tij, mbeten primare për Bashkinë e Tiranës. Ajo do të jetë e hapur për biznesin vendas dhe atë të huaj”, theksoi në fjalën e tij kryebashkiaku Lulzim Basha.

Ndërsa në lidhje me projektin e Unazës së Madhe, ai nënvizoi se ai është një zgjidhje afatgjatë për rregullimin e trafikut në Tiranë.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni