Kandidati për kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha parashikon në programin e tij për arsimin, ndërtimin e 16 shkollave të reja 9-vjeçare dhe të mesme, të pajisura të gjitha me sistem modern në shërbim të nxënësve dhe mbi të gjitha të sigurta.

Basha tha se në programin e tij, parashikohen investime të mëdha për arsimin në mënyrë që të arrihet mësimdhënie e cilësisë së lartë. “Prioritet për mua është ndërtimi me shpejtësi i 12 shkollave 9 vjeçare dhe 4 gjimnazeve. Nuk do të kemi më klasa me mbi 30 nxënës në qytetin tonë. Pa përjashtim do të kenë ngroje qendrore funksionale, përkundër një kosto të ulët edhe dreka. Këto shkolla në vetvete do të kenë hapësira të bollshme për jetën sociale, kulturore dhe sportive për nxënësit tanë”, tha Basha.

Por Tirana turistike, është një tjetër angazhim i Lulzim Bashës. Në platformën e tij për këtë sektor, parashikohet lehtësim i barrës fiskale për të gjithë operatorët turistikë ndërsa si hap i parë do të hiqet taksa e fjetjes në hotele e cila aktualisht është 5 %. Këtë platformë, Basha e bëri publike në një takim me operatorët turistikë dhe gjatë vizitës në panair për turizmin. Sipas Bashës, do të investohet në vlerat turistike të Tiranës ndërsa në planin e ri rregullues do të marrë zgjidhje sinjalistika në funksion të turizmit, vendparkimet për automjetet turistike, etj.

“Sigurisht do të keni mbështetje të plotë se për mua turizmi është një aleat shumë i rëndësishëm për punësimin. Punësimin unë e kam shpallur numrin një në programin tim. Kam ndërmend të investoj në një panair lokal i cili do t’i shërbejë jo vetëm turizmit, por të gjithë industrive në këtë qytet”, tha Basha.

Po nga ana tjetër, arti dhe kultura zënë një hapësirë të veçantë në projektin e Lulzim Bashës për Tiranën si metropol evropian. Ndër të tjera, në platformën e tij Basha parashikon ngritjen e galerisë, filarmonisë e muzeut të qytetit si dhe mbështetje e veçantë do t’u jepet talenteve.

Këto pjesë të programit për zhvillimin e artit, Basha i bëri me dije në një takim me artistë të njohur të kryeqytetit. “Ne nuk duhet të harrojmë kurrë se investimi në art, përveç investimit në konstitucionit tonë shpirtëror, është një investim në punësim, është një investim në mirëqenie, është një investim në zhvillimin ekonomik”, tha Basha.

Në këtë takim ishin të pranishëm artistët më të zë të vendit si Kujtim Çashku, Muhallaq Luarasi, Edi Luarasi, Suela Konjari, Nik Xhelilaj etj.

Ashtu siç ka deklaruar publikisht, politikani i njohur Sabri Godo ka mirëpritur në lagjen e tij kandidatin për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha dhe e ka shoqëruar atë në takimet me banorët ku është njohur me problematikën e zonës. Ashtu si edhe në lagje të tjera të kryeqytetit infrastruktura, mungesa e hapësirave të gjelbra dhe ambienteve argëtuese kryesisht për fëmijët dhe të moshuarit, ishin problemet kryesore.

SHPËRNDAJE