E ndërsa po afron gara elektorale e 8 majit, ditë pas dite kureshtja për kandidatët bëhet edhe më e madhe.

Nga partia më e madhe në vend, prej kohësh po artikulohet vetëm një emër për të bërë realitet projektin e saj për Tiranën evropiane, ndërsa në kampin opozitar nuk përflitet ende asnjë kandidaturë e mundshme.

A do të jetë Lulëzim Basha kandidat për bashkinë e Tiranës?

Duket se përgjigjen e kësaj pyetje ia kanë dhënë strukturat e PD-së në kryeqytet, të cilat unanimisht kanë propozuar emrin e tij për këtë post.

Madje si strukturat ashtu edhe anëtarësia e partisë duket mjaft entuziaste për kandidaturën e Bashës.

Kjo nisur edhe nga performanca dhe suksesi i tij në drejtimin e disa ministrive.

Larg kamerave dhe kureshtjes së mediave të cilat kohët e fundit ka qenë tejet e vëmendshme për aktivitetin e tij, ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha ka nisur takimet me strukturat e PD-së në kryeqytet, njëri prej të cilëve është zhvilluar edhe në Laprakë.

Në fakt, Basha është një nga emrat më të përfolur për këtë qëllim.

Takimet e grup-seksioneve të PD, të cilat mbulojnë të 11 minibashkitë e kryeqytetit janë zhvilluar jashtë syrit të kamerave, por burime zyrtare bëjnë të ditur se Basha do të jetë propozimi i tyre i vetëm për garën për Tiranën.

Me afrimin e zgjedhjeve lokale të 8 Majit, në ndryshim nga inflacioni i emrave që ka ofruar mediatikisht kampi opozitar si kandidatë të mundshëm për bashkinë më të rëndësishme në vend, në PD z. Basha mbetet të jetë i vetmi kandidat i përfolur për këtë qëllim.

Forca më e madhe politike është treguar fanatike në shpalljen paraprake të kandidatit të saj për Tiranën, duke pritur për këtë çeljen zyrtare të fushatës.

Siç ndodh përherë, në prag procesesh zgjedhore, baza priret të jetë më e pakontrolluar në shprehjen hapur të opinionit të saj për njeriun që do të garojë për të qeverisur kryeqytetin në katër vitet e ardhshme.

SHPËRNDAJE