Kryetari i Këshillit  Kombëtar Shqiptar, Galip Beqiri, u takua sot në selinë e KKSH-së në Bujanoc me ambasadorin e Shqipërisë në Beograd, z. Shpëtim Çaushi dhe me përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, njofton agjen cia informative komvetare “Presheva Jone”

 

Bujanoc, 23 gusht

Fillimisht ambasadori Çaushi përgëzoi KKSH-në për zyrat e reja, duke i uruar punë të mbarë në të ardhmen. Më pas në takimin me kryetarin Galip Beqiri ambasadori shqiptar bisedoi rreth teksteve shkollore në gjuhën shqipe, si dhe për punën e Fakultetit Ekonomik në Bujanoc, duke i shprehur mbështetje të fuqishme këtij institucioni të arsimit të lartë.

“Ambasada dhe qeveria e Shqipërisë kanë mbështetur dhe do të mbështesin fuqishëm edhe në të ardhmen Këshillin Kombëtar Shqiptar në kompetencat që ka ky organ”, u shpreh pas takimit ambasadori i Shqipërisë, Shpëtim Çaushi.

 

Në takimin me z. Pol Jukiq, këshilltar politik pranë ambasadës amerikane në Beograd u bisedua rreth situatës aktuale politike në Luginën e Preshevës. Kryetari Beqiri i njoftoi mysafirët nga ambasada e SHBA-ve rreth punës dhe aktiviteteve të KKSH-së.

Gjithashtu edhe përfaqësuesit e ambasadës amerikane përgëzuan Këshillin Kombëtar për zyrat e reja.

“ Vizita e sotme tregon një përkrahje të ambasadës amerikane për KKSH-në, të cilën do ta vazhdojmë edhe në të ardhmen”, u shpreh pas takimit këshilltari Pol Jukiq.

“Me përfaqësuesit e ambasadës amerikane biseduam rreth Fakultetit Ekonomik, por edhe për çështjet tjera të arsimit në gjuhën shqipe, siç janë tekstet shkollore. Gjithashtu biseduam edhe rreth fushave tjera, ku është kompetent KKSH, ndërsa përfaqësuesit e ambasadës amerikane u interesuan edhe për bashkëpunimin në mes të KKSH-së dhe pushtetit lokal në Bujanoc pas ndryshimeve që janë bërë”, tha kryetari i KKSH-së, Galip Beqiri.

SHPËRNDAJE