Familjarë, kolegë, miq dhe qytetarë të shumtë janë mbledhur të shtunën, për të përkujtuar punën dhe veprën e gazetarit e publicistit të njohur Bardh Hamzaj, i cili ndërroi jetë dje pasdite nga një sulm në zemër. Me këtë rast të pranishmit vlerësuan lart kontributin e tij në ruajtjen, zhvillimin dhe edukimin e brezave të rinj në fushën e gazetarisë,raporton “Express”-i i Prishtinës

 

Ishte e vogël salla ku ishin mbledhur të gjithë për të ngushëlluar familjen Hamzaj, e cila humbi më të dashurin e saj. Kolegët dhe dashamirët e Bardhit të cilët kaluan një pjesë të jetës së tyre në shoqërimin e tij, bënë homazhe para fotografisë së Bardh Hamzajt, duke u përshëndetur kështu përgjithmonë me të.

Pas regjistrimit në librin e zisë, të gjithë të pranishmit ngushëllonin gruan dhe dy vajzat të cilat Bardhi i la përgjithmonë të pikëlluara.

Pos familjes, kolegët ishin ata që më së rëndi e përjetuan humbjen e Bardhit, pasi që një dekadë të plotë kishin rrugëtuar së bashku në shtigjet e gazetarisë.

Halil Matoshi, gazetar dhe publicist, ka shpalosur para të pranishmëve kujtimet më të bukura që kaloi me të gjatë punës shumëvjeçare në gazetari.

 

Matoshi: Shkoi njëri nga ne me të cilin u rritëm duke mësuar gazetarinë

“Lajmi për vdekjen e Bardhit na tronditi, sepse e pamë se ne po rrallohemi. Shkoi njëri nga ne me të cilin u rritëm duke mësuar gazetarinë, por jo vetëm gazetarinë, por duke mësuar si rezistohet, si protestohet, dhe na mësoi si ta kërkojmë lirinë dhe të mos dorëzohemi. Bardhin e kam pas kryeredaktorin e parë në fillimet e mia të gazetarisë në Botën e Re, në vitet e 80-ta. Që nga ato vite, ne pos që jemi mësuar të shkruajmë, është dashur edhe të mësohemi se si të mbesim njerëz, si mos të lakohemi. Bardhi ishte një djalë gjithmonë i buzëqeshur edhe kur ishim nervoz. Prandaj edhe sot e ndjejë buzëqeshjen e tij”, ka thënë ai.

Hiç më lehtë vdekjen e Bardhit nuk e përjetoi kolegu i tij, Baton Haxhiu, i cili i përlotur kujtojë çastet më të bukura që kishin kaluar së bashku.

“Dhimbja e tij dje ishte më e vogla, por do të jetë më e rënda për “plakën”, siç e quante ai bashkëshorten Fatimen që viteve të fundit na tregonte se si kalonte kilometra të tërë për të kaluar dhimbjet e punës së tij shumë vjeçare. Realisht unë s’dua të flasë sot për gazetarinë, por për pjesën më të lumtur të jetës së Bardhit që viteve të fundit e kishte kaluar me familjen e tij. Dhimbjen me profesionin e këputi në momentin kur na tha se dua ta lë gazetarinë, kur tha se nuk dua të punojë më dhe nuk dua të jetojë me dhimbje për të gjithë atë që po ndodh. Dua të jetojë i lumtur me familjen dhe në punë ku nuk më pengon askush”, ka thënë ai.

Kohët e fundit, Bardh Hamzaj ishte i angazhuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, mirëpo për një kohë të shkurtër ai kishte arritur të hynte në zemrat e secilit.

Enver Hasani, kryetar i Gjykatës Kushtetuese, e kishte të pamundur të mbante fjalimin që e kishte përgatit për kolegun e tij.

“Fjalët e tij do t’i përkujtojmë përjetë. Zbrastësirën që le pas vështirë që kush mund ta plotësojë. Ike shpejt pa pritur si të ishe meteor që bie nga qielli dhe shuhet. Nuk patëm fatin që edhe më gjatë të ngrohemi nga ngrohtësia e shpirtit tënd. Hapësirën që na e le prapa po e ndjejmë të gjithë ne. Nuk më besohet se më nuk do të jemi bashkë dhe të kalojmë net të bukura të Prishtinës, apo buzë liqenit të Batllavës, po ashtu edhe të Mitrovicës e Rugovës. Bardh i dashur, e kam vështirë t’i harrojë kujtimet me ty. Vuajtja dhe dhimbja për ty nuk do të shuhen kurrë, i dashuri Bardh miku im i shtrenjtë. I lehtë të qoftë dheu i Gllogjanit që e deshe aq shumë”, ka thënë ai.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet në orën 16 në fshatin e tij të lindjes, Gllogjan.

Bardh Hamzaj u lind në fshatin Gllogjan të Deçanit me 1960, shkollën fillore dhe të mesme i kishte kryer në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filologjik, Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Universitetin e Prishtinës.

Bardh Hamzaj ka qenë rreth 10 vjet kryeredaktor i gazetës “Zëri”. Vite të tëra ka punuar si gazetar dhe redaktor në revistën “Zëri”, ndërsa para se të fillojë punën profesionale në këtë revistë, Hamzaj ka punuar në gazetën studentore Bota e Re, ku për një kohë ishte edhe kryeredaktor i saj. Më vonë ka qenë kolumnist dhe analistë në disa media kosovare. Është autor i disa librave me tematikë nga lufta fundit dhe librave tjerë publicistikë. Hamzaj së fundmi ka punuar në Gjykatën Kushtetuese. Hamzaj vdiq dje në Durrës të Shqipërisë nga një sulm në zemër. (Kosovapress)

AGPK dhe institucionet ngushëllojnë familjen Hamzaj

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, institucionet dhe subjektet politikë po vazhdojnë të ngushëllojnë familjen e Hamzajt, për humbjen e të dashurit të tyre.

Publicisti dhe gazetari Bardh Hamzaj ka vdekur dje në Durrës, ai ka qenë i njohur për kolumnet e tij edhe në Gazetën Express.

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) me trishtim ka marrë lajmin për humbjen e jetës së kolegut Bardh Hamzaj. Me këtë rast AGPK-ja ka ngushëlluar familjen Hamzaj, të cilin e ka quajtur njëri të fjalës.

“I ndjeri gjatë gjithë jetës së tij është dëshmuar si gazetar, redaktor, publicist dhe njeri i fjalës së lirë”, thuhet në komunikatën e AGPK-së.

“AGPK i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit Hamzaj dhe gjithë komunitetit të gazetarëve në Kosovë”.

AGPK njofton se të shtunën, më datë 02.06.2012, duke filluar nga ora 11:00, në Amfiteatrin e Shkollës Amerikane në Prishtinë do të bëhen homazhe në nderim të kolegut Bardh Hamzaj.

Presidentja Atifete Jahjaga ka dërguar telegram ngushëllimi

Në telegramin e ngushëllimit të presidentes Atifete Jahjaga, thuhet se “me vdekjen e hershme të Bardhit ju keni mbetur pa njeriun më të dashur të familjes suaj, por e gjithë shoqëria kosovare ka mbetur pa një gazetar të shkëlqyeshëm, pa një analist të rrallë dhe pa një punëtor të zellshëm”.

Edhe kryeministri, Hashim Thaçi ka dërguar telegram ngushëllimi

“Vdekja e hershme e Bardhit është humbje për familjen tuaj, miqtë dhe gjithë kolegët e tij. Bardh Hamzaj ka dhënë kontribut të çmuar në gazetarinë e Kosovës, me punën e tij të palodhshme si gazetar, redaktor dhe autor librash me vlerë për të lartë publicistike. Vdekja e Bardhit është humbje e një pene të rryer dhe e një mendjeje analitike që do t’i mungojë gazetarisë kosovare”, thuhet në telegramin e kryeministrit Thaçi.

 

Telegram ngushëllimi ka dërguar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

“Në këto momente të rënda të pikëllimit, AAK ndan dhimbjen me familjen Hamzaj, miqtë dhe të afërmit e Bardhit, me kolegët e tij nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ku ishte duke punuar së fundmi dhe me të gjithë komunitetin e gazetarëve, si dhe me të gjithë ata që e njohën dhe që kanë bashkëpunuar me të”, thuhet në telegramin e AAK-së.

Publicisti i njohur Bardh Hamzaj, i cili në moshën 51 vjeçare, ndërroi jetë papritmas një ditë më parë, varroset sot në orën 16:00, në fshatin Gllogjan të Deçanit.

SHPËRNDAJE