Shkruan: Michelle BAMA

 

        Të jem Zonja juaj e Parë është një nder dhe privilegj. Herën e parë që u takuam, para katër vjetësh isha pak në mëdyshje për rrugën që po merrnim. Besoja te vizioni i bashkëshortit tim për këtë vend, isha e sigurt se ai do të ishte një President i jashtëzakonshëm, por si çdo nënë shqetësohesha për faktin se ç’do të thoshte kjo për vajzat tona.

Shikoni, para se të transferoheshim në Uashington jeta jonë mbushej nga gëzime të vogla. E adhuroja jetën që kishim ndërtuar për vajzat tona, e doja marrëzisht njeriun me të cilin kisha ndërtuar shumë gjëra dhe nuk doja që kjo të ndryshonte. E doja Barack-un ashtu siç ishte. Unë dhe Barack-u jemi rritur në familje që për sa u përket parave ose të mirave materiale nuk kishim shumë, por që prindërit na dhanë diçka më të çmuar: dashurinë e pakushtëzuar, sakrificën, mundësinë për të arritur aty ku ato nuk e kishin imagjinuar kurrë.

Si shumë familje, as tonat nuk kishin pretendime të mëdha. Besonin thjesht në premtimin e madh amerikan sipas të cilit nëse punon fort dhe përmbush detyrën tënde, edhe pse nuk fiton shumë duhet të arrish të ndërtosh një jetesë dinjitoze për veten tënde dhe një jetë më të mirë për fëmijët e nipërit e tu.

Na kanë mësuar dinjitetin dhe të qenët i nderueshëm, se angazhimi me të cilin e merr punën vlen më shumë se ajo që fiton; se të ndihmosh të tjerët është më e rëndësishme sesa të shohësh punën tënde. Kemi mësuar ndershmërinë dhe pastërtinë, që e vërteta është e rëndësishme.

Katër vjet më parë dëshiroja që asgjë nga këto të mos ndryshonte. Sot, pas shumë betejash, triumfesh dhe provash që as nuk më shkonin ndërmend, pashë me sytë e mi se të qenët President nuk të ndryshon si njeri, jo absolutisht jo, përkundrazi, tregon se kush je në të vërtetë.

Kur bëhet fjalë për rindërtimin e ekonomisë sonë, Barack mendon për krenarinë që ndien pas një dite të vështirë pune. Në këtë mënyrë e tërhoqi edhe ekonominë nga buza e greminës duke hapur vende të reja pune, vende që ndihmojnë shumë familje nevojtare këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur bëhej fjalë për shëndetin e familjeve, Barack nuk i dëgjoi kurrë ata që i thoshin ta rikthente reformën e sistemit shëndetësor në një moment tjetër, për shembull kur të vinte në pushtet një President tjetër. Nuk i interesonte nëse ishte diçka e lehtë ose e vështirë për t’u bërë politikisht. I interesonte vetëm që të ishte gjëja e duhur.

Si përfundim, për Barack-un këto janë çështje personale, jo politike. Në fakt ai e di se çfarë do të thotë kur një familje e ka të vështirë të ecë para, kur dëshiron të bëjë diçka më shumë për fëmijët dhe nipërit e vet. Barack e njeh ëndrrën amerikane, sepse e ka jetuar. Prandaj kur njerëzit më pyesin nëse Shtëpia e Bardhë e ka ndryshuar bashkëshortin tim, mund të them me plot gojën dhe me pastërtinë më të madhe se Barack Obama është po ai burrë me të cilin jam dashuruar para shumë vitesh. Ky është njeriu që kam përballë në heshtjen e natës, i mbështetur mbi tavolinë duke lexuar me shumë kujdes letrat që i dërgojnë qytetarët. E shoh të shqetësuar dhe të vendosur kur më thotë: “Michelle, nuk do ta besoje se çfarë po përjetojnë këta njerëz. Nuk është e drejtë. Duhet të vazhdojmë të punojmë për të sistemuar gjërat. Kemi ende shumë për të bërë”.

Lërmani ta them: sot e dua akoma më shumë bashkëshortin tim. Ai më kujton se ndeshja që po luajmë është me kohë të gjatë, se ndryshimi është i vështirë dhe i ngadaltë, megjithatë do të arrijmë gjithmonë në fund. Fakti që emigrantët kanë braktisur gjithçka kanë nderuar për një jetë më të mirë në tokën tonë, apo që shumë gra janë burgosur vetëm se donin të votonin, që brezi i ri diti të mundte depresionin dhe të përcaktonte përgjithmonë atë që është e madhe, apo që një predikues i ri ka ditur të kacavirret me ëndrrën e tij deri në majën më të lartë të maleve, atëherë ne mund t’ia bëjmë të mundur çdo njeriu që ta jetojë ëndrrën amerikane.

Kur i them të gjitha këto nuk jam as në rolin e zonjës së parë dhe as në rolin e bashkëshortes. Roli im më i rëndësishëm është ai i mamasë përgjegjëse. Bijat e mia janë zemra dhe qendra e botës sime. Ndryshe nga katër vjet më parë sot nuk kam më dyshime. E di që dua një botë më të mirë për vajzat e mia dhe për të arritur këtë duhet të punojmë fort të gjithë bashkë. Duhet të kapemi fort edhe një herë pas njeriut që do të vazhdojë ta çoja para këtë vend, i cili është bashkëshorti im dhe Presidenti ynë, Barack Obama.

SHPËRNDAJE