Bankat komerciale në Kosovë kanë shprehur interesim të marrin pjesë në ankandin e letrave me vlerë të shpallur nga Qeveria e Kosovës.
Fillimisht Qeveria ka emetuar letra me vlerë prej 10 milionë eurosh, por deri në fund të vitit, në këtë mënyrë synon të sigurojë 74 milionë euro për buxhetin e Kosovës.

Fillimi i lëshimit të letrave me vlerë është mirëpritur nga bankat komerciale që operojnë në Kosovë. Disa sish të kontaktuara nga Radio Kosova pohuan se do të marrin pjesë në secilin ankand që pritet të shpallet nga Qeveria. Zyrtarja për informim në bankën Raifaisen, Iliriana Tahiri, thekson se i plotësojnë kriteret për një gjë të tillë.

“Banka Raifaisen e mirëpret vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për lëshimin e letrave me vlerë dhe konfirmon se do të marrë pjesë në çdo ankand të letrave me vlerë. Banka Raifaisen ka mjetet e nevojshme për të blerë letrat me vlerë, të cilat më pas mund të përdoren për mbështetjen e zhvillimit të projekteve të ndryshme në Kosovë”, theksoi Tahiri.

Drejtoresha e Shoqatës së Bankave të Kosovës, Diturie Hoxha, thotë se të gjitha bankat janë të gatshme dhe i përmbushin kriteret që të marrin pjesë në ankand.

“Rregullorja e letrave me vlerë ka qenë në diskutim me shoqatën për një kohë të gjatë, bankat janë të interesuara të marrin pjesë, kanë likuiditet dhe i plotësojnë kushtet për të marrë pjesë në këto ankande”, thotë Hoxha.

Qeveria e Kosovës, në fillim të kësaj jave, zyrtarisht ka filluar emetimin e letrave me vlerë. Fillimisht janë shpallur letra me vlerë prej 10 milionë eurosh. Këshilltari politik i Ministrit të Financave, Menderes Ibra, thotë se Ministria e Financave, në kuadër të projeksioneve të buxhetit të këtij viti, ka paraparë të hyrat nga emetimi i letrave me vlerë, deri në 74 milionë euro, që do të hyjnë në rrjedhat e buxhetit.

“Me faktin se ky projekt po fillon të zbatohet për herë të parë në Kosovë, ne vlerësojmë si hap të rëndësishëm në drejtim të fillimit të zhvillimit të tregjeve të kapitalit”, tha Ibra.

Në bazë të kushteve të përcaktuara, vetëm bankat mund t’i blejnë këto letra me vlerë, pasi ato klasifikohen si tregtues primarë të bonove të thesarit.

Kjo është e rregulluar me rregulloren për tregtimin e bonove të thesarit, sipas së cilës, këto institucione financiare kualifikohen në bazë të kapitalit që kanë, likuiditetit, nivelit të depozitave dhe përqindjes së pjesëmarrjes në treg.

Ndryshe, data e ankandit është më 17 janar, lëshimi i tyre bëhet një ditë më vonë, kurse data e maturimit është më 18 prill.

SHPËRNDAJE