Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov zhvilloi sot në Shkup takime joformale me homologun e tij shqiptar, Bamir Topi dhe atë malazez, Filip Vujanovic.

Presidenti Ivanov i falënderoi kolegët e tij për pjesëmarrjen në hapjen e qendrës përkujtimore të Holokaustit, kushtuar hebrenjve të Maqedonisë.

Por ai ka nënvizuar se në rajonin e Evropës Juglindore akoma janë të gjalla kujtimet e pushtetit shkatërrues dhe të urrejtjes etnike.

Për këtë arsye, Ivanov shprehu vlerësimin e tij se, me pjesëmarrjen e tyre Topi dhe Vujanovic po tregojnë se po ndërtohet një Ballkan i ri, në të cilin popujt e ndryshëm mund të jetojnë në harmoni dhe respekt të ndërsjelltë.

Në takim, tre presidentët patën mundësi të analizonin situatën politike në rajon. Vlerësimi i tyre i përbashkët ishte se vazhdimi dhe kompletimi i integrimeve euro-atlantike është kusht për mbajtjen e prosperitetit të të gjitha vendeve të Ballkanit.

Ata theksuan nevojën e thellimit të marrëdhënieve mes vendeve të rajonit në të gjitha sferat e mundshme.

Temë e bisedimeve ishte edhe mbledhja e tretë e radhës e presidentëve të Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, e cila këtë vit do të mbahet në fillim të muajit korrik dhe pritëse do të jetë Republika e Maqedonisë.

SHPËRNDAJE