Gjykimet e Mlladiqit dhe Karaxhiqit ofrojnë një mundësi që të ndalojnë rrëshqitjen e rajonit përsëri në gjakderdhje. Bismarku dikur ka thënë: “Ballkani nuk i vlen as eshtrat e një grenadieri pomeranez”.

Shekulli i fundit dëshmoi se, që nga fushëbetejat e Luftës së Parë Botërore e deri te varrezat masive në Srebrenicë dhe Kosovë, Ballkani mund t’iu kushtojë evropianëve shumë më tepër se këto eshtra.

Ballkani Perëndimor nuk është më territor që zgjerohet përtej kufijve të Evropës, por është një ishull i paqëndrueshmërisë dhe eksportit potencial të krimit. Sjellja e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nuk është më zgjerim përtej kufijve tanë aktualë – është proces i përfundimit të unifikimit të BE-së.

Ekzistojnë disa arsye të forta përse është në interesin tonë ta bëjmë këtë. Së pari, është mënyra e vetme për t’u siguruar se nuk po rrezikohemi nga ky destabilitet në mesin tonë.

Së dyti, rajoni është vendi i vetëm në Evropë me popullatë të vjetër myslimane, që është e përkushtuar për standardet evropiane po aq sa në besimin islam. Dhe, siç ka thënë lideri i myslimanëve të Bosnjës, Alija Izetbegoviq, nuk ka kundërthënie në mes të këtyre dyjave.

Njëmbëdhjetë Shtatori, 7 Korriku, e më pas ka qenë dështimi i Perëndimit në Bosnjë ai që i mundësoi Al Kaidës rekrutimin e rreshterëve më efektivë.

Në dialogun e ri dhe më shpresëdhënës mes Evropës dhe botës islamike, myslimanët evropianë të Ballkanit janë një aset jetik, si urë dhe kanal i mirëkuptimit për të dyja palët.

Për t’u siguruar se ata do të bëhen pjesë e integruar e BE-së, e jo një enklavë e ndarë brenda saj, duhet rikonfirmuar se Evropa jonë është një hapësirë vërtet multikulturore dhe multireligjioze.

Lënia e tyre jashtë do të dëmtonte vizionin dhe kapacitetin tonë për një dialog konstruktiv me botën islamike – mu në momentin kur “pranvera arabe” premton më tepër sesa që do të mendonim ndonjëherë.

Së fundi, ky është një rajon i pasur edhe me resurse natyrore dhe me kapacitete humane. Ata janë njerëz të aftë, me intelekt të lartë dhe me histori kulturore, kontributi i të cilëve do ta pasuronte BE-në, ndërsa përjashtimi do ta varfëronte.

Por, natyrisht, këtu ekziston një problem. Mbase përmblidhet në dy biseda që kam pasur gjatë ditëve të errëta të luftës së Bosnjës.

E para ka qenë në gusht të 1993-shit, kur kam takuar Ratko Mlladiqin gjatë bombardimit në shkallë të gjerë të Sarajevës nga ana e tij.

“Mund ta marr qytetin kur të dua”, qe mburrur ai. “Atëherë, pse nuk po e merr?”, e pata pyetur.

“…sepse jam stërvitur me parimet ruse. Nëse ke rastin ta vrasësh një armik apo ta plagosësh, plagose. Një njeri i vdekur mund të varroset për 20 minuta nga dy njerëz. Ndërsa, për një të plagosur duhet të kujdesen 10 persona për shumë javë. Përderisa Sarajeva po vdes për bukë, komuniteti ndërkombëtar do t’i bëjë të gjitha përpjekjet për ta mbajtur gjallë dhe nuk do të ndalet për të më penguar mua nga ajo që dua të bëj”, pati thënë Mlladiq.

Biseda e dytë ishte kur u ktheva nga Sarajeva në po atë vit dhe bëra thirrje për intervenim urgjent, me qëllim që të ndaloheshin vrasjet.

Një zyrtar i lartë i Qeverisë britanike m’u përgjigj:

“Oh jo, Pedi. Në Ballkan, gjithnjë kanë luftuar me njëri-tjetrin. Dhe do ta bëjnë gjithmonë. Përgjigjja më e mirë është t’i lëmë të digjen vetë”.

Ia kujtova atij se nëse ka pasur një rajon, që gjithnjë ka luftuar mes vete, për mijëra vjet, me një kosto të pallogaritshme, me gjak e mizëri – nuk ka qenë Ballkani, por ne, evropianët perëndimorë. Ne në BE gjetëm shpëtimin nga historia jonë. Si mund t’ua mohojmë atyre?

Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq tani do të ndjekin rrugën e 14 kriminelëve të tjerë të luftës, që tashmë janë përballur me drejtësinë në Tribunalin e Hagës. Këta nuk janë të vetmit njerëz që kanë torturuar dhe vrarë. Ka edhe shumë të tjerë dhe ata i përkasin – mos të harrojmë – të gjitha palëve në luftë.

Por, ata që tash janë në Hagë, kanë qenë arkitektët e tmerreve të Ballkanit.

Gjykimi i tyre i ofron rajonit një shans unik që të mos strehohet më në të kaluarën dhe të përqendrohet në ndërtimin e së ardhmes së vetme që ofron paqe dhe prosperitet – anëtarësimi i plotë në BE dhe në NATO.

Por, që kjo të ndodhë, edhe BE-ja duhet ta luajë lojën e saj. Brukseli duhet të ndalet së besuari se sjellja e këtij rajoni në BE, do të jetë e njëjtë me sjelljen e Hungarisë e Polonisë dhe të demokracive të reja të Evropës së vjetër lindore.

Ky është një rajon që ka dalë nga konflikti dhe politika duhet të reflektojë mbi këtë.

Në Ballkan, nuk ka rëndësi ajo që ndodh, por lidhjet mes gjërave që ndodhin.

Bashkimi Evropian do të arrijë më shumë kur në vend të politikave individuale për shtetet, të adoptojë një politikë të koordinuar rajonale me qëllim që edhe ta ndjekë atë.

Në qendër të kësaj politike është mirëkuptimi për Bosnjën, që shumë më tepër se Kosova, është çelësi i paqes në Ballkan. Kështu ka qenë në mesin e viteve ’90; kështu mbetet edhe sot.

Bosnja sot po rrëshqet rrezikshëm kah shpërbërja. Dhe, sikurse edhe më herët, kjo nuk ka gjasë të ndodhë pa gjak. BE-ja duhet të tregojë se do t’i përdorë të gjitha mjetet për të penguar ndarjen e Bosnjës dhe të përgatitet që të veprojë kundër atyre që kanë lejuar për kaq kohë të gjatë dobësimin e shtetit dhe shpërbërjen e tij.

Ajo që Karaxhiqi dhe Mlladiqi bënë në përpjekjet e tyre për të ndarë Bosnjën, më në fund i çoi ata në Tribunal.

Do të ishte ironi e tmerrshme, ndërsa ata qëndrojnë në gjyq për krimet e tyre, që për shkak të mosgatishmërisë së Brukselit për të vepruar me vendosmëri, të tjerët të kenë sukses në atë që Mlladiqi e Karaxhiqi dështuan.

Kam kaluar katër vjet duke ndjekur Mlladiqin në Bosnjë. Mendoj për nënat e pikëlluara në Bosnjë dhe gëzimin e tyre kur ai më në fund është në gjyq. Por, potencialet e këtij momenti do të jenë tretur, po qe se këtë nuk e festojmë vetëm si një akt drejtësie, por edhe si një mundësi politike.

SHPËRNDAJE