Seanca plenare e Kuvendi ka nisur me debate për kalendarin 3 javor të punimeve, miratuar në Konferencën e Kryetarëve. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi ka deklaruar se në Konferencën e Kryetareve ka paraqitur propozimet në emër të grupit për dy projektligje për integrimin. “Për to ju nuk patët konsensus që dy projektligje të futen në komision të ligjeve dhe dy në komisionin e integrimit” theksoi Ruçi.

Ndërsa në seancë ka mbajtur fjalën edhe deputeti Taulant Balla i cili ka dhënë shpjegimet e tij në lidhje me kërkesën e prokurorisë për t`i hequr imunitetin. Ai ka theksuar se ndihet krenar për atë që ka bërë në 21 janar dhe do të dilte sërish në protest me qytetarët.

“Ndihem mire që përfshihem në këtë listë të pjesshme për hetimet e 21 janarit dhe sot e mot do të kem krenarinë politike, morale e qytetarë të them se isha në bulevard, përballë zyrës së kryeministrit në përmbushje të detyrës për të denoncuar qeverisjen e tij tribale, të korruptuar rrënjë e degë. Isha në bulevard një nga qindra mijëra që meritojnë një jetë ndryshe në një vend normal, ndihem keq se edhe pasi kemi kapërcyer dy dekada komunizëm stili komunist i fabrikimit të fajit e mëkatit është gjallë, si vetë stili i komunistit Sali që vdes por nuk harron të thitë se nuk dorëzohet, që protestat e konsideron rrethim, që vrasësit i bën heronj”- theksoi Balla.

“Vota ime dhe vota e grupit është një. Do të votoj për heqjen e imunitetit tim dhe të kolegëve, jam i hapur për të qënë në hetim, për të bashkëpunuar me organin e akuzës. Edhe 1 mijë herë të dalin qytetarët do të jem aty duke bërë atë çfarë bëra në 21 janar, me të vetmin ndryshim, nuk do të isha më pranë me Hekuranin, Faikun, Ziverin e Aleksin” ka shtuar më tej Balla.

Ai gjithashtu e akuzoi kryeministrin si urdhërues i vrasjeve të 21 janarit, duke nënvizuar se asnjë nga ata që urdhëruan vrasjet nuk do t`i shpëtojnë drejtësisë.

“Ne nuk jemi si matrioshkat e tua politike dhe nuk u përngjajmë atyre që u mbulojnë figurat atyre që vjedhin miliona. Nuk do të ketë pullë politike që do të shpëtojë ata që urdhëruan ekzekutimet në 21 janar. Njerëzit e lirë i mbron liria. Merre këtë copë imunitet se nuk na duhet “, u shpreh Balla duke lënë në vendin e kryministrit në Kuvend, atë të cilën ai e cilësoi si armën që mbanin protestuesit në 21 janar, një çadër të vogël.

Më tej ka qënë deputeti tjetër i PS-së Tom Doshi i cili ka mbajtur fjalën në foltoren e Kuvendit ku ka dhënë edhe të gjithë versionin e tij për ngjarjet e 21 janarit. “Kurrë nuk kam folur në dhunë në 21 janar. Protestuesit kanë pasur vetëm çadra, parrulla dhe mllef për Sali Berishën” ka theksuar Doshi.

“Pa imunitet jam më i qetë, biznesi im ka qënë gjithmonë me ilaçe por ilaçi më i mirë në këtë botë është drejtësia dhe shpresoj që shqiptarët të shërohen nga ky ilaç” ka vijuar më tej Doshi. Ai ka theksuar se kryeministri Berisha po e sulmon për arsye personale pasi ka fituar dy herë mandatin e deputetit në qarkun e Shkodrës.

Deputeti i tretë që ka marrë fjalën në seancën plenare ka qënë Besnik Bare i cili ka deklaruar se organizatorët e dhunës së 21 janarit gjenden në kryeministri. “Po u afrova pranë kryeministrisë por për të qetësuar protestuesit” ka vijuar Bare ndërsa ka shtuar se qytetarët më 21 janar u qëlluan pabesisht pasi sipas tij ata nuk mbanin me vete as gurë, as çadra, as thika dhe as pistoleta.

Ai e akuzoi kryeministrin Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha se urdhëruan që protesta të mbyllej pa nisur ende duke përdorur edhe dhunën ndaj deputetëve.“Stili komunist i fabrikimit të armiqve është ende gjallë”, theksoi Bare.

SHPËRNDAJE