Nga Harry Bajraktari

Për “Pereheva Jone”

 

Tri ditë para bombardimeve të NATO-s, Holbrooke u ndodh sërish në Beograd për t’ i dhënë Millosheviqit urdhërin e prerë të bashkësisë ndërkombëtare që ta pranonte marrveshjen e Rambujes. Pas përfundimit të këtij takimi nga aeroporti i Beogradit, më telefonoi dhe me tha se Millosheviqi nuk kishte pranuar ultimatiumin. Në mënyrë decitive më përkujtoi: “Serbia do të bombardohet nga forcat e NATO-s. Për këtë mund t’ u tregosh shokëve në New York dhe popullit në Kosovë”.

 

M e keqardhje mora lajmin për vdekjen e Richard Holbrooke, njërit prej diplomatëve më të fuqishëm amerikan, i cili me aktivitetin e tij rezistues ndali gjakderdhjen në disa rajone të krizave në botë, duke përfshirë edhe  Ballkanin konfliktuoz, sidomos Bosnjë e Hercegovinë dhe, në vitin 1999, i dha ultimatium përfundimtar Sllobodan Millosheviqit se NATO-ja do ta bombardojë nëse ndaj Kosovës nuk do ta ndalte terrorin, përkatësisht nëse nuk do të nënshkruante Marrëveshjen e Rambujes.

 

Holbrooke ka qenë mik imi personal.  Kam pasur rastin ta njoh në vitin 1994-1995, në një kohë kur Kosova shtypej me të gjitha mjetet e dhunës nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Në këto vite ai ishte emëruar si kryenegociator i marrëveshjes së Dayton-it për vendosjen e paqjes në Bosnjë e Hercegovinë. Siç e di opinioni botëror, këto biseda të vështira ai i zhvilloi me udhëheqësit e tri shteteve në konflikt: Izetbegoviqin, Tugjmanin dhe Millosheviqin. Pas Deytonit ky u bë shumë i njohur edhe për zgjidhjen e konflikteve tjera në botë. Mu nga kjo kohë nëpërmjet mikut tim, kogresistit Eliot Engel kam filluar bashkëpunim e pandërprerë me këtë diplomat të spikatur  për çështjen e Kosovës. Duke ditur fuqinë e tij në State Departament, shumë njerëz të komunitetit tonë nisen të kenë takime, mbase të shpeshta me Holbrooke, ndër ta Dr. Sami Repishti, Xhim Xhema, Rrustem Gecaj, Ekrem Bardha, Bruno Selimaj, Rrustem Ibraj, Sabit Bitici, Ramadan Gashi e të tjerë.

 

Në vijën e këtij bashkëpunimi para luftës në Kosovë, në restorantin e bashkatdhetarit tonë Brono Selimajt, kemi pasur takime, ku kërkuam nga ai që të përkrahte më energjikisht çështjën e Kosovës, që ishte para një shpërthimi me Serbinë, duke ia bërë me dije se Beogradi po përdorë të gjitha mënyrat e terrorit ndaj popullatës civile shqiptare atje. Në të gjitjha këto biseda jemi mundur të gjenim një gjuhë të përbashkët veprimi për ta ndalë në Kosovë dhunën dhe, në anën tjetër, të gjendej një zgjidhje politike sipas vullnetit të lirë të popullit të Kosovës.  Për të gjitha këto bisedime të zhvilluara në këtë kohë, shpeshherë, nuk kemi pasur të njëjtin opcion për Kosovën- por  ajo çka është me rëndësi gjithnjë e kemi lënë derën hapur për të biseduar më tej. Ne, në fakt, jipnim  opinionin dhe porosinë e komunitetit tonë në Amerikë, ndërkaq ai paraqiste mendimin e State Departamentit dhe të Kombeve të Bashkuara. Me kalimin e kohës, e, në veçanti me fillimin e luftës në Kosovë, mendimet tona me të kanë qenë gjithnjë e më të afërta për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

 

Të gjithëve na kujtohet se në korrik të vitit 1998 Holbrooke shkoi në Kosovë dhe me atë rast në Junik takoi një grup pjestërësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai dëshironte që situatën ta vështronte nga vendi i ngjarjes dhe nga ajo që shihte të nxorrte përfundimet e tij. Pjesëtarët e UÇK-së i kishin thënë zotit Holbrooke se luftonin për lir dhe për të mbrojtur popullatën atektone shqiptare nga terrori dhe masakrat serbe. Pas këtyre bisedimeve ai e kishte një vizion më të afërt të tij për Kosovën, si diplomat i një shteti më të fuqishëm në botë.

 




Me zotin Holbrooke ishim takuar disa herë edhe gjatë luftës.

 

 

Në vjeshtën e vitit 1998 forcat serbe bën një masakër të madhe në fshatin Obri të Kosovës qendrore mbi civilët shqiptarë. Aty viktima, kryesisht ishin gratë dhe fëmijët. Bashkësia ndëkombëtare, veçmas SHBA shprehen indinjatë të thellë ndaj këtij terrori. Washingtoni zyrtar urgjentisht dërgoi në Beograd Holbrooke që t’ ia bënte me dije Millosheviqit se nuk do të lejonte një Bosnje të dytë në Kosovë. Në këtë takim me Millosheviqin ai arriti një marrëveshje që t’ i ndalte vrasjet ndaj popullatës civile.  Edhe përkundër kësaj, diplomati amerikan nuk kishte besë në Millosheviqin, i cili në Bosnjë e Hercegovinë kishte shkelur shumë marrëveshje armëpushimi. Dhe ashtu doli, pak muaj më vonë ndodhi Reçaku, ku u alarmua bota.

Ndërkaq, në mars të vitit 1999 ai udhëtoi nga ëshingtoni në Beograd për t’ i dhënë ultimatum  kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit, se NATO-ja do ta bombardonte nëse nuk e do ta ndalte agresionin ndaj Kosovës dhe nëse nuk do ta nënshkruante marrëveshjen e Rambujes. Mirëpo, Millosheviqi porosinë e Holbrookut  dhe të bashkësisë ndërkombëtare nuk e përfilli, as të parën as të dytën.

Tri ditë para bombardimeve të NATO-s, Holbrooke u ndodh sërish në Beograd për t’ i dhënë Millosheviqit urdhërin e prerë të bashkësisë ndërkombëtare që ta pranonte marrveshjen e Rambujes. Pas përfundimit të këtij takimi nga aeroporti i Beogradit, më telefonoi dhe me tha se Millosheviqi nuk kishte pranuar ultimatiumin. Në mënyrë decitive më përkujtoi: “Serbia do të bombardohet nga forcat e NATO-s. Për këtë mund t’ u tregosh shokëve në New York dhe popullit në Kosovë”.

Mbas përfundimit të luftës, përkatësisht pas vitit 2000 kemi punuar shumë afër për Pavarësinë e Kosovës. Jemi takuar në restorantin e Lume Hadrit dhe në shtëpinë e David Philips. Ka qenë mik i ngushtë i presitentit Atisari, Bill Clintonit dhe zonjes Hillary Clinton, tash Sekretare e Shtetit. Sëmundja e rëndë e goditi deri sa po punonte në Departamentin amerikan të shtetit.

 

Opinioni i tij ka qenë që Kosova duhej të bëhej shtet i pavarur. Në vitin  2005 deklaroi se pavavrësia e Kosovës nuk kishte alternativë tjetër dhe me këtë do të mbylleshin konfliktet e vjetra në Ballkanin e trazuar. Në të gjithha këto takime me Holbrooku-n ka qenë edhe Eliot Engel. Ishte këshilltar i senatorit John Kerry  për fushatën e tij për president të SHBA në vitin 2004. Komuniteti ynë e pat mbështetur senatorin Kerry, meqë vinte nga demokratët. Nëpërmjet Hollbrooke, gjithashtu, kemi zhvilluar disa takime me zotin Kerry, lidhur me çështjen e pavarësisë së Kosovës, po qe se ai do t’ i fitonte zgjedhjet. Ndërkaq, në vitin 2007 sërish kemi punuar shumë ngusht me të për të ndihmuar fushatën e zonjës Hillary Clinton për presidente të SHBA. Shumë pjestarë të komunitetit shqiptaro-amerikan kanë qenë aktivë në këtë fushatë, në shenjë respekti për atë që bëri për Kosovën Bill Clinton.

 

Dua të thekso j se Richard Holbroocke për 20 vjet  ka qenë njeri pozitiv dhe i rëndësishëm për Kosovën dhe pavarësinë e saj. Mu për këtë populli shqiptar i Kosovës duhet ta ketë në konsideratë  këtë diplomat për të cilin Barack Obama tha se ai ishte gjigant i vërtetë i politikës amerikane. Me vdekjen e tij shqiptarët humbën një mik të tyre, unë mikun personal, ndërsa Amerika diplomatin dhe strategun e zgjidhjeve të shumë konflikteve në botë, familja njeriun e dashur të tyre.

* Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro- amerikan

SHPËRNDAJE