B.Fildishtë, armët bjelloruse “tërbojnë” OKB-në

Bjellorusia ka shkelur embargon ndërkombëtare të armëve të vendosur ndaj Bregut të Fildishtë, lajmëroi sot shefi i OKB-së, Ban Ki-moon.

Sipas raportimeve të sigurta të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ish-republika sovjetike ka furnizuar forcat e drejtuara nga presidenti i paligjshëm Laurent Gbagbo me të paktën tre helikoptera dhe tonelata me armë të lehta.

Vendi i ndodhur në Afrikën Perëndimore është përfshirë në një krizë të thellë politike që prej nëntorit, pasi presidenti Gbagbo refuzon të lëshojë pushtetin, edhe pse humbi në zgjedhjet presidenciale.

Me qindra persona kanë mbetur viktima e trazirave që po ndodhin në vend, ndërsa çeta rebelësh, në mbështetje të fituesit të ligjshëm Ouattara, kanë nisur të sulmojnë prej disa javësh qytetet e kontrolluara nga trupat qeveritare.

Ministri i Jashtëm i Bjellorusisë, Andrei Savinykh, i cilësoi akuzimet si të “pabazuara”. Një embargo armësh i është vendosur ndaj Bregut të Fildishtë që prej vitit 2004, si rrjedhojë e një konflikti civil që ndodhi në vitin 2002 dhe që përçau veriun me jugun e vendit.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni