Arvizu: SHBA është në mbështetje të Kosovës e Shqipërisë

Ambasadori amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu vizitoi qytetin e Kukësit, ku u përshëndet miqësisht nga banorë që ndodheshin në sheshin qendror të qytetit.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, në lidhje me zgjedhjet lokale që do të mbahen më 8 maj, në Kukës, ambasadori Arvizu tha se “është shumë e rëndësishme organizimi i zgjedhjeve, që zgjedhësit të kenë vetë mundësi të zgjedhin.

Janë zgjedhje lokale dhe njerëzit e dinë se për kë do të votojnë. Shumë e rëndësishme është që të dyja partitë kryesore të punojnë bashkë me KQZ-në. Mosmarrëveshje do të ketë, por ka edhe mekanizma për zgjidhjen e tyre”.

Ai theksoi se “po ashtu zgjedhjet kanë të bëjnë me çështje në interes të komunitetit. Ndaj kandidatët të jenë të përgatitur të flasin për probleme e çështje që shqetësojnë komunitetin. Po ashtu prej tyre duhet të ketë edhe debate televizive që në Amerikë janë të shpeshta”.

Në lidhje me standardet e zgjedhjeve, ambasadori u shpreh se “shumë prej nesh janë zhgënjyer që mes dy partive kryesore mungon dialogu”.

Në lidhje me ndihmën në të ardhmen ndaj rajonit të Kukësit, ambasadori amerikan pohoi se, do të vazhdojmë të jemi të pranishëm e të ndihmojmë me aq sa kemi mundësi. “Kjo pasi tashmë është e njohur se buxheti amerikan ka çështje serioze. Në vende të tjera ka trazira që kërkojnë vëmendje. Por edhe këtu do të jemi të pranishëm aq sa kemi mundësi”, u shpreh Arvizu.

Kryetari i Bashkisë, Hasan Halilaj, e njohu ambasadorin me punën që po bëhet në bashkinë e Kukësit për zgjidhjen e problemeve e shqetësimeve që kanë qytetarët.

Po ashtu, ambasadori amerikan u njoh me veprimtarinë që po kryhet në qendrën amerikane të Kukësit, e cila disponon mbi 800 tituj librash e rreth 100 filma, të gjitha në gjuhën angleze. Ambasadori amerikan u shpreh se “kemi 3 qendra të tilla, në Tiranë, në Vlorë dhe në Kukës. Më kanë thënë se frekuentohen shumë nga të rinjtë”, tha Arvizu.

Ai shtoi se “Kukësi shërben edhe si urë lidhëse me Kosovën e cila nuk është larg”. Ai u shpreh se njeh qëndrimin e kuksianëve gjatë krizës kosovare.

“E di se keni hapur dyert për kosovarët, ndaj të jeni krenarë për këtë. SHBA është në mbështetje të Kosovës e Shqipërisë”, theksoi Arvizu.

Kryetari i bashkisë i dhuroi ambasadorit amerikan një fotografi të qytetit të Kukësit dhe një libër me gatime karakteristike kuksiane, ndërsa ambasadori amerikan një libër me artin amerikan.

Një takim të përzemërt ambasadori amerikan zhvilloi edhe me prefektin e qarkut të Kukësit, Elez Maci.

Duke iu referuar ardhjes në Kukës përmes autostradës ambasadori amerikan tha se, “rruga e re është shumë impresionuese dhe mendoj se është një rrugë lidhëse me Kosovën”.

“Është rruga e kombit që po ndihmon në zhvillimin ekonomik, që ka dhënë një impakt pozitiv të menjëhershëm. Jemi më pranë Tiranës”, u shpreh Maci.

Prefekti e njohu ambasadorin amerikan se, kur PD-ja kishte pushtetin qendror , në Kukës ka fituar PS-ja, ndërsa kur pushtetin qendror e kishte PS-ja, bashkinë e Kukësit e fitoi PD-ja.

Nisur nga ky pohim ambasadori amerikan ia kthehu me shaka se, “kështu do të thotë se këtë radhë Kukësin do ta fitojë PS-ja”.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni