Artistët korçarë protestojnë ndaj Simpoziumit të Skulpturës

Artistët korçarë kërkojnë që të jenë më të pranishëm në Simpoziumin Ndërkombëtar të Skulpturës që organizohet në Korçë. Sivjet shënohet edicioni i katërt i këtij simpoziumi, i futur në listën e aktiviteteve që gjallërojnë qytetin gjatë sezonit turistik. Sipas tyre, edhe në tri edicionet e shkuara, artistët e këtij qyteti, por edhe artistët shqiptarë në përgjithësi, kanë qenë të paktë. Pjesëmarrja në këtë aktivitet ndërkombëtar ka qenë me artistë të ardhur më së shumti nga vende të tjera, të cilët, gjatë qëndrimit dhe punës së tyre krijuese në Korçë, kanë lënë vepra që mbeten pjesë e trashëgimisë kulturore. Edhe këtë vit, pjesëmarrja e më shumë se 10 artistëve të artit figurativ në Simpoziumin Ndërkombëtar të Skulpturës në Korçë, të cilët vijnë nga vende të ndryshme, ka ngjallur pakënaqësi te krijuesit e qytetit. Në këtë edicion merr pjesë vetëm një artist nga Shqipëria, me prejardhje nga qyteti i Korçës, e që jeton e punon në Greqi. Që nga dita e parë e çeljes së këtij aktiviteti në Korçë, reaguan skulptorët e këtij qyteti, Vasillaq Kolevica, dhe Llazi Tili. Sipas tyre, në të katër edicionet e Simpoziumit Ndërkombëtar të Skulpturës, kanë marrë pjesë vetëm katër artisë korçarë, dhe kjo është vënë re si mungesë e organizimit sa më dinjitoz të këtij aktiviteti. Sivjet, për organizimin e këtij aktiviteti është dhënë nga bashkia një fond prej 2 mijë eurosh. Siç është edhe rregulli i përcaktuar i këtij aktiviteti, artistët pjesëmarrës shpërblehen për punën e tyre, por veprat që ata krijojnë mbeten trashëgimi kulturore e qytetit. Skulpturat e krijuara prej tyre, gjatë tre viteve të mëparshme, janë vendosur në ambientet e parkut “Rinia”, që konsiderohet edhe si qendra më e vizitueshme jo vetëm prej banorëve të Korçës, por edhe nga vizitorë vendas e të huaj.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni