Prishtinë, 3 gusht – Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve Memli Krasniqi, të mërkurën në një takim miqësor ka pritur 12 punëtorë nga katër institucione të kulturës me rast u ka uruar atyre kontratat e rregullta të punës dhe marrjen e pagave me rritje. Në takimin me përfaqësues të punëtorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Filarmonisë së Kosovës, Baletit të Kosovës si dhe Ansamblit “Shota”, ministri ka premtuar se përkrahja për artistët dhe performuesit e kulturës do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Me këtë rast ministri Krasniqi, theksoi se një nga të arriturat kryesore në kulturë është rregullimi i statusit legal dhe financiar të krijuesve, performuesve dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore. Në anën tjetër artistët kanë falënderuar ministrin Krasniqi, për rritjen e pagave. “Sot kemi ardhur me një qëllim me falënderua ministrin i cili është i vetmi ministër që ka mbajt fjalën deri në fund për rritjen e pagave”, tha pas takimit me ministrin Krasniqi aktorja e shquar e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kumrije Hoxha. “Sot vetëm pata dëshirë që t’ju takoj e t’ju uroj, e po ashtu t’ju rikonfirmoj vullnetin tonë për të vazhduar bashkë në përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të punës, dhe të krijimtarisë sonë. Padyshim të gjithë e meritojnë respektin më të madh institucional por edhe respekt më të madh nga shoqëria, veçanërisht gjeneratat e vjetra që kanë dhënë me dekada të jetës së tyre për kulturën e vendit tonë.

Gjithsesi edhe gjeneratat e reja meritojnë një inkurajim më të madh për të vazhduar me punën e tyre dhe për të kultivuar talentet e tyre”, tha Krasniqi. Nga ana tjetër, aktorja e shquar e shumëvjeçare e Tetarit Kombëtar të Kosovës, Kumrije Hoxha, duke folur në emër të punëtorëve theksoi faktin se ministri Krasniqi ka qenë i vetmi që ka mbajtur fjalën, për dallim nga ministrat e kaluar. “Sot kemi ardhur me një qëllim me falënderua ministrin i cili është i vetmi ministër që ka mbajt fjalën deri në fund për rritjen e pagave, pasi na është kthyer dinjiteti dhe në një mënyrë tashmë jemi pjesë e kësaj shoqërie e jo më si përpara. E falënderoj për të gjitha përpjekjet që ka bërë në përgjithësi për artistët”, tha ajo. Të gjithë ata krijues, performues e punonjës të trashëgimisë kulturore që kanë nënshkruar kontratat siç e parasheh rregullorja rrogën e muajit korrik e kanë marrë me rritje, e cila në disa raste shkon deri në 150 për qind. Rregullorja e miratuar më herët e rregullon statusin e mbi 300 punonjësve të institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore.

SHPËRNDAJE