Ekzistojnë dy modele të bashkëpunimit dhe shkëmbimit kulturor në mes vendeve të ndryshme, ai institucional dhe ai i formës private, individual apo mes organizatave joqeveritare.

http://www.botasot.info/img/galeria-e-arteve.jpgPor në rastin e Kosovës dhe Serbisë, ky bashkëpunim ka nisur të funksionojë vetëm sipas modelit të dytë, vlerësojnë pjesëtarët e komunitetit të artistëve të të dyja vendeve.

Jeton Neziraj, dramaturg nga Kosova thotë se gjasat janë krejtësisht të pakta që bashkëpunimi kulturor institucional ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të fillojë në një të ardhme të afërt, sepse është peng i zhvillimeve politike.

Por, siç thekson ai, tashmë ekzistojnë shkëndijat e komunikimit ndërmjet artistëve të Kosovës dhe Serbisë, të cilët madje kanë arritur t’i realizojnë disa projekte të përbashkëta.

“Artistët, individualisht, disa herë, jo në ndonjë nivel të kënaqshëm, por së paku, kanë bërë përpjekje që ta thyejnë atë murin që e ka ndarë artin dhe komunikimin në mes Kosovës dhe Serbisë dhe kështu kanë arritur që të realizojnë disa projekte interesante. Kanë arritur që ta fillojnë atë lloj procesi të bashkëpunimit, i cili, them se dikur ka për të ndodhur edhe në nivelin institucional”, shprehet Neziraj.

Në vitet e fundit, në Kosovën janë dhënë disa shfaqje teatrore me aktorë nga Serbia.

Në teatrin Oda, në kuadër të festivalit Skena UP ka qenë edhe grupi teatror “Dah”, pastaj, një shfaqje me aktoren serbe Mirjana Karanoviq, e cila është luajtur në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, disa ekspozita të përbashkëta, mbrëmje poetike në festivalin “Polip” që është mbajtur vitin e kaluar në Prishtinë, si dhe botimi i antologjisë së letërsisë së re serbe “Nga Beogradi me dashuri”.

Afërsisht ngjashëm qëndron situata edhe me prezantimin e kulturës kosovare në Serbi.

Së fundmi në Beograd është botuar edhe antologjia e letërsisë së re të Kosovës “Nga Prishtina me dashuri”, ku janë përfshirë poetë, prozatorë dhe dramaturgë nga Kosova.

Ndërkaq, më 3 tetor të këtij viti, në teatrin “Bitef” në Beograd u dha premiera e shfaqjes teatrore “Hipermaketi patriotik”e bashkë-autorëve Jeton Neziraj dhe Milena Bogavac, në të cilën luajtën artistët shqiptarë dhe serbë.

Milena Bogavac, dramaturge nga Serbia, vlerëson se kultura dhe arti e kanë rolin e tyre në tejkalimin e barrierave politike në mes popujve, sidomos kur mungon komunikimi në mes tyre.

“Fundja, ndoshta interesi im që të bashkëpunoj me artistët nga Kosova është edhe për shkak se kam bindjen se për Kosovën flitet mjaft, por gjithmonë në një diskurs tërësisht politik. Thjeshtë, mendoj se çdo individ që merret me diçka dhe që mendon për shoqërinë dhe merret me të, do të duhej që ta merr përgjegjësinë mbi vete dhe të provojë që të krijojë vlerësimin personal. Thjeshtë, të mos dëgjoni atë që ju flitet në televizion, por të shihni se cilët njerëz janë atje, me çfarë merren dhe në cilën mënyrë mund të bashkëpunosh me ta”, tha Bogavac.

Ajo theksoi se e ka vizituar Prishtinën dhe se sipas saj, Kosova është krejtësisht ndryshe nga ajo që e mendojnë shumë serbë, si një mit të tyre .

Në shfaqje “Hipermarketi patriotik”, mori pjesë edhe aktori shqiptar nga Kosova Kushtrim Hoxha, i cili flet për përvojën e tij.

“Është një fjalë klishe që thuhet ‘arti nuk njeh kufi’. Nganjëherë edhe i njeh. Në raste të vështira edhe i njeh kufijtë, sepse është shumë e pamundur për të depërtuar deri atje, nëse je i Kosovës. Mirëpo, besoj që është një lëvizje e cila po ndodhë momentalisht”.

“Është pozitive, ma merr mendja. Unë kam marrë pjesë në një projekt, ku kam marrë pjesë në Beograd dhe ka qenë interesante me i pa idetë e tyre dhe mendimet e tyre për artistët e Kosovës. Shfaqja është pritur tepër mirë edhe pse kemi pasur telashe. Është dashur të na ruaj policia, sepse prapë se prapë nuk ka qenë e lehtë të marrësh pjesë në atë projekt. Mirëpo, në fund të fundit, gjithçka ka qenë në frymën pozitive dhe kjo ka qenë mirë”, thekson Hoxha.

Ndërkaq, edhe artistët nga Serbia e vlerësojnë bashkëpunimin dhe shkëmbimin kulturor si mjaft sporadik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sasha Iliq, redaktor i antologjisë së letërsisë së re serbe dhe romancier i gjeneratës së re, thotë se shkëmbimi i deritashëm kulturor kryesisht është varur nga takimet e rastësishme ndërmjet artistëve, vullnetit të tyre dhe, siç thotë ai, sakrificës për të bërë diçka pozitive.

“Më duket se të gjitha gjërat tjera kalojnë më lehtë, do të thotë, edhe kriminaliteti edhe qarkullimi mallit dhe të tjerat, ndërkaq kultura është krejtësisht në fund dhe më së vështiri është që të komunikohet për kulturën. Unë e Jetoni (Neziraj) kemi tentuar të bëjmë diçka”.

“Pastaj, ekzistojnë disa bashkëpunime ndërmjet teatrove, siç është tash së fundmi edhe vënia në skenë e shfaqjes ‘Hipermarketi patriotik’. Të gjitha këto janë gjëra interesante, por përderisa nuk arrihet deri te një ambient tjetër politik, unë mendoj se nuk mund të arrihet deri te një qarkullim normal i përmbajtjeve kulturore ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, shprehet Iliq.

Edhe ai tregon se e kishte vizituar Prishtinën nga ku është larguar me shumë përshtypje të mira, të cilat, siç tha ai, as që i kishte paramenduar.

Ndryshe, pavarësisht se nuk ekziston ndonjë komunikim institucional për kulturën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Neziraj vlerëson se artistët e të dyja vendeve kanë arritur që megjithatë t’i krijojnë urat e para, ndonëse sipas tij, ato mund të konsiderohen ende vetëm si shkëndija të një komunikimi të drejtë kulturor në mes dy vendeve.

“Në njëfarë mënyre, artistët kanë arritur që ta gjejnë gjuhën normale të komunikimit. Por fatkeqësisht, institucionet të cilat janë në vartësi të shteteve, akoma nuk kanë forcë që t’i thyejnë këto barriera politike që ekzistojnë, për të filluar atë lloj procesi, për të cilin unë besoj se është i domosdoshëm, sepse, natyrisht jemi fqinjë. Unë mendoj se teatri apo përgjithësisht arti dhe kultura e kanë atë lloj force për t’i tejkaluar problemet dhe t’i relaksojnë marrëdhëniet, që po supozoj ose i konsideroj të tendosura në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thekson Neziraj.(rel)

SHPËRNDAJE