Aktorja Kosovare Arta Dobroshi provon sërish një festival të rëndësishëm. Ajo do të jetë pjesë e “Sundance Film Festival” për interpretimin në filmin e shkurtër “Baby” me regji të Daniel Mulloy. Realizimi prej 25 minutash është në konkurrim bashkë me katërmbëdhjetë filma të shkurtër nga vende të ndryshme të botës. “E çmoj shumë që filmi ka arritur të pranohet në ‘Sundance’. Jam gëzuar sikur të kisha fituar, sepse në njëfarë mënyre është çmim edhe pranimi”, ka thënë Dobroshi. Në filmin “Baby”, Dobroshi interpreton Sarën, një femër që jeton vetëm me nënën dhe niset në një udhëtim në Londër. Gjatë udhëtimit, në përpjekje për të ndaluar një plaçkitje, njëri nga huliganët fillon të interesohet më shumë për të dhe nis ta përcjellë në çdo hap.

Gjatë këtij viti, “Baby” është vlerësuar si filmi më i mirë i kategorisë së filmave të shkurtër në edicionin e 55 të Festivalit të Filmit “Corona Cork Film Festival” në Irlandë. Në Festivalin e Filmit në Edinburg ka marrë çmimin kryesor në kategorinë e filmave të shkurtër.

SHPËRNDAJE