Policia e Kosovës e liron, EULEX-i e arreston Elvis Kelmendin

Prishtinë, 26 shtator – Një prokuror i EULEX-it ka hapur hetime kundër djalit të Naser Kelmendit, Elvis Kelmendi, për vrasje të rëndë në tentativë. Për këtë arsye e ka arrestuar të hënën në mbrëmje posa e ka liruar Policia e Kosovës.

Kelmendi, kundër të cilit ka urdhërarrest në Interpol të lëshuar nga Bosnja dhe Hercegovina, është arrestuar të premten në Pejë nga Policia e Kosovës bazuar në urdhrin e Interpolit. Në konsultim me një prokuror të Qarkut të Pejës i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh. Pas kalimit të këtij afati dhe në mungesë të një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Bosnjë Hercegovinë për bashkëpunim juridik ndërkombëtar është liruar. Me të dalë nga qendra e paraburgimit në Prishtinë i janë vënë prangat me urdhër të prokurorit të EULEX-it, Pascal Persoons, i cili ka hapur rast për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë të boshnjakut Elvis Hoxhiq. Misioni i BE-së EULEX ka thënë se Kelmendi është duke u hetuar për këtë vepër penale që besohet se është kryer në vitin 2010 në Sarajevë.

“Personi i arrestuar mbrëmë dyshohet për vrasje të rëndë të Elvis Hoxhiq të kryer në vitin 2010 në Bosnje dhe Hercegovinë. Rasti është duke u hetuar nga një ekip i përbërë nga një prokuror i EULEX-it dhe një prokuror vendor”, ka thënë Blerim Krasniqi, zëdhënës i EULEX-it.

Ndërkohë avokati i Kelmendit, Florin Vërtopi, ka paraqitur ankesë të martën paradite në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë për shkelje procedurale që pretendon se janë kryer. Ai pretendon se kurrkush nuk mund të mbahet në paraburgim më shumë se 48 orë pa vendim të Gjykatës.

Prokurori ka paraqitur në Gjykatë kërkesën për caktimin e paraburgimit. Në kërkesë ka përshkruar veprimin e Elvis Kelmendit në një bar në Sarajevë kur pretendohet se ka provuar ta vrasë me thikë Elvis Hoxhiqin. Ai ka thënë në kërkesë së është i domosdoshëm paraburgimi prej 30 ditësh për shkak se Kelmendi është treguar mizor dhe ka provuar të dëmtojë edhe dëshmitarë okular.

Avokati Vërtopi ka konfirmuar se prokurori ka lëshuar vendim për ndalimin e Elvis Kelmendit, i cili sipas tij në bazë të Kodit të Procedurës Penale dhe në bazë të Kushtetutës ka qenë e mundur të mbahet në paraburgim deri më 24 shtator në orën 21: 00 kur ka skaduar afati prej 48 orësh.

“Baza e dyshimit në të dyja vendimet është i njëjtë, vrasje e rëndë në tentativë. Në rastin konkret nuk ka bazë për dyshime tjera përveç asaj tentim vrasje. Sipas prokurorit ky e ka kryer një tentim vrasje në Sarajevë në vitin 2010”, ka thënë Kelmendi.

Me këto dy vendime, sipas tij, është shkelur komplet norma e procedurës ligjore, përkatësisht neni 112 dhe Kushtetuta e Kosovës.

“Nuk kam pasur qasje në asnjë dokument, nuk kam kërkesë për ekstradim në Bosnjë. Kam dy vendime dhe për vendimin e dytë kam bërë ankesë, ia kam dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake të EULEX-it dhe të njëjtën prokurorit”, ka thënë ai dhe ka kërkuar që me këtë rast të merret vetëm EULEX-i.

Vërtopi ka përjashtuar mundësinë që provat e mbledhura në Bosnje të mund të përdoren në Kosovë si prova. Këtë e ka bazuar në faktin se Bosnja nuk e ka njohur Kosovën.

“Është edhe një çështje tjetër, Bosnja nuk e ka pranuar shtetin e Kosovës dhe çdo provë që vjen prej atje duhet me ardhë konform ligjit për bashkëpunim juridiko-ndërkombëtar në çështjet penale. Shteti i Bosnjës nuk e ka këtë mundësi, sepse nuk na ka pranuar si shtet”, ka thënë Vërtopi

Elvis Kelmendi do të dërgohet të mërkurën para një gjyqtari të procedurës paraprake, i cili do të shqyrtojë kërkesën e prokurorit për caktimin e paraburgimit.

E i ati i tij, Naser Kelmendi, 55-vjeçar, ndodhet në arrati. Edhe kundër tij është lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar nga shteti boshnjak nën dyshimin se është i përfshirë në trafikim narkotikësh. Ai gjendet në listë krah liderit të kartelës meksikane të drogës, Hoze Antonio Sota Gastemula, dhe të tregtarit afgan, Sajed Vazir Shah. Amerikanët e kanë konsideruar si njeriun më të rrezikshëm në Evropë për interesat e tyre.

Banka Federale e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar ngrirjen e të gjitha aseteve të tij në Mal të Zi. Kërkesa është dërguar përmes Interpolit, ndërsa vendimin formal për fillimin e ngrirjes do ta sjellë komisioni i Bashkimit Evropian.

Kelmendi dyshohet se ka udhëhequr njërën nga familjet më të forta kriminale shqiptare në Ballkan. Ka kohë që ai është i dyshuar për drejtimin e një organizate të madhe që merret me trafikimin e heroinës, kokainës dhe anhidridit acetik, një lëndë e parë që përdoret në prodhimin e heroinës, dhe në Evropë transportohet nëpërmjet Ballkanit. Naser Kelmendi, djemtë e tij Elvisi, Liridoni dhe Besniku, si dhe vëllai i tij Beqiri, thuhet se zotërojnë një numër të bizneseve në Bosnjë, Mal të Zi, Serbi dhe Kosovë, duke përfshirë hotele dhe një kompani kamionësh.

 

Arrestohet djali i Naser Kelmendit

Elvis Kelmendi, djali i Naser Kelmendit i cili është pjesë e listës së zezë të SHBA-së për trafikim droge, është arresutar pak me parë nga Policia e Kosovës. Gjatë arrestimit policia nuk ka hasur në ndonjë rezistencë, raporton Klan Kosova. Mesohet se Elvis Kelmendi do të qëndroj në paraburgim derisa prokurori të marrë ndonjë vendim në lidhje me rastin.
Ndryshe,

Indeksonline gjatë dites ka raportuar se as Kosova e as Interpoli nuk e ndjekin biznesmenin kosovar, i cili ka disa javë që ka “pushtuar” mediat në vend.

Emri dhe fotografia e Naser Kelmendit sot gjendet në shumicën prej medieve kosovare, por jo edhe në ueb faqen e Interpolit, si person në kërkim.

Në këtë ueb faqe të policisë ndërkombëtare, figuron vetëm një person me mbiemrin Kelmendi, e ai quhet Elvis dhe mendohet të jetë i biri i Naserit.

Dje u raportua që kinse Policia e Kosovës ka arrestuar Naserin, por menjëherë këtë lajm e përgënjeshtroi për Indeksonline, zëdhënësi i policisë kapiten Baki Kelani.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni