Pas trazirave të vitit 1997 ku humbën jetën 3 mijë persona, Shqipëria vijon të numërojë viktima si pasojë e konflikteve nga armët.

Sipas shifrave të publikuara në media dhe raportit të policisë, vetëm gjatë katër mujorit të parë të këtij viti kanë humbur jetën nga armët rreth 56 persona, ndërsa në vitin 2010, numri i viktimave si pasojë e aksidenteve me armë shkoi në 143 vetë.

Referuar shifrave që raporton policia, përfaqësues të shoqatës së viktimave ndaj armëve dhe municioneve deklaruan se aksidentet nga armët në shqipëri zënë vendin e dytë pas atyre aksidenteve rrugore duke e krahasuar vendin tonë me vende në konflikt si Iraku apo Afganistani.

Sipas drejtorit të shoqatës ALB-AID, Jonuz Kola, bazuar në raportin e organizatës ndërkombëtare “the gun policy”, në shqipëri, në cdo 100 persona, 6 deri në 9 prej tyre mbajnë armë zjarri në shtëpi.

Sipas Kolës, që nga viti 1997, në duart e shqiptarëve janë 600 mijë armë të cilat përbëjnë rrezik për sigurinë e jetës në shoqëri.

Kryesisht konfliktet e pronësissë por dhe ato për motive të dobëta numërojnë numrin më të lartë të viktimave gjatë këtyre katër viteve.

Për të reduktuar numrin e viktimave nga armët, shoqëria civile i ka bërë thirrje qeverisë të ndërhyjë menjëherë për parandalimin e këtij fenomeni.

Sipas tyre, ka ardhur koha që të hartohet një strategji për të frenuar rritjen e numrit të viktimave nga armët.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të javës ndërkombëtare të sensibilizimit ndaj dhunës nga armët.

Rreth 102 shtete organizojnë sot aktivitete të ndryshme për të eliminuar vdekjet si pasojë e armëve.

Objektivi i javës globale kundër dhunës nga armët është të ndalojë përhapjen dhe keqpërdorimin e armëve të vogla dhe të lehta në mbarë botën.

Cdi vit regjistrohen rreth 740 mijë persona të vrarë në mbarë botën nga armët dhe për cdo person të vrarëm 10 persona të tjera janë plagosur.

SHPËRNDAJE