ldkkddAPOLOGJETËT NGA RADHËT E DEPUTETËVE TË LDK-së

 Shkruan: Shefqet DIBRANI

Përpjekja për të mbrojtur me çdo kusht dështimin e Isa Mustafës, duke i atribuuar atij merita të paqena është apologji, ndërsa ata që mbrojnë këtë mendim janë apologjet.

 

 

Apologjetët nga radhët e LDK-së i kemi deputet, zëvendësministra dhe tellall bezdisësh të cilët, sikur kryetari i LDK-së dhe kryeministri i vendit të kishte kulturë akademike dhe ta kishte ndërmend për ta reformuar LDK-në, nuk do t’i lejonte të flisnin kurrë më. E ata janë Bajram Gecaj, Armend Zemaj dhe Bardhyl Metaj të cilët janë bërë neveritës dhe të padurueshëm. Deklaratat e tyre janë të bezdisshme, nuk kanë sens politik andaj sillen me aq fodullëk.

Të kësaj kategorie janë edhe Arban Abrashi dhe Salih Morina, e deri diku edhe Anton Quni të cilët kanë pasur obligim moral dhe politik të mos e lënë të sharroj deri aty ku ka rënë kryetari i tyre dhe shefi i partisë i cili për fatin e keq të LDK-së është edhe kryeministër i cili si asnjë tjetër më parë ia mori fytyrën partisë e shoqërisë.

Në kulturën e vendeve me demokraci të konsoliduar nuk ndodh që kryetari i partisë dhe kryeministri i vendit domosdoshmërish të jetë personaliteti më i zgjuar. Zgjuarsia e tij matet me aftësinë për ta ndërtuar stafin dhe këshilltarët përreth tij, gjë që në këtë pikë Isa Mustafa është komplet i dështuar ashtu siç është duke dështuar si kryeministër i vendit. Si ka mundësi akad. Isa Mustafa t’i durojë tipin e Bajram Gecajt dhe të Armend Zemajt, të cilët kanë dështuar me qëndrimet e tyre të dyfishta, herë për, e herë kundër Isa Mustafës, por qëndrimi i tyre përkitazi me demarkacionin e fundos përfundimisht autoritetin e tyre, pasi tërë Rrafshi i Dukagjinit i ka pasur sytë të kthyer kah Bajrami dhe Armendi, të cilët për servilizmin e tyre ndaj Isa Mustafës, jo që japin, por as nuk iu ha palla për ata tetëmijë hektarë bjeshkë të regjionit të tyre që po ia falin Malit të Zi.

E, Bajram Gecaj, është bërë tellall me deklarata të shumta disa prej të cilave mediat në Kosovës ia kanë kundërshtuar duke i klasifikuar për “fashiste”, gjë që është dashur të tronditet vet Isa Mustafa, prandaj mendojmë se po të kishte dinjitet kryeministri i vendit do ta shkarkonte menjëherë, sikurse do të duhej të merrte masa ndëshkuese edhe ndaj ministrit Arban Abrashi, qoftë për skandalin që ia prodhuan shoferët e tij, ose për qëndrimet e dëmshme kundrejt diasporës, dhe kjo diasporë ka të bëjë vetëm me atë pjesën që është e lidhur shpirtërisht dhe emocionalisht me LDK-në, sepse partneri qeverisës (PDK-ja) i ka kryer në masë të madhe të gjitha obligimet për militantet e vet që i kanë mbetur në diasporë.

Në raport me diasporën është dashur të jetë aktiv Bardhyl Metaj, i cili me servilizmin e tij ndaj politikave të dështuara të Isa Mustafës, po luan rolin jo vetëm të apologjetit por të budallait thuaja Dega e LDK-së në Zvicër nuk e dinë se këtë Bardhyl Metajn, pikërisht Isa Mustafa e ka pas shkarkuar nga funksionet në Fondin Humanitar, përkatësisht në Fondin “3 përqindëshit”.

Po ashtu Bardhyl Metaj nuk ka mundësi ta dëshmojë qoftë edhe një kontribut të vogël që e ka bërë për LDK-në që nga viti 1994, kur ia pat kthyer shpinën tërë veprimtarisë së LDK-së, ndonëse në deklarata e tij publike vazhdimisht flet për angazhimin e tij në Degën e LDK-së në Zvicër. Së këndejmi janë të pasakta edhe deklarimet e tija për raporte të mira me dr. Ibrahim Rugovën dhe sidomos ato me prof. dr. Fehmi Aganin, të cilët pas vitit 1994, as që kanë dashur t’ia shohin sytë, prandaj për t’i mbuluar këto deficite Bardhyl Metaj, është dashur të jetë aktiv dhe të bëhet avokat i diasporës në të gjitha paraqitjet e tij publike si dhe të ushtronte servilizmin e tij tek Isa Mustafa, për t’i zgjidhur disa konteste të krijuara pa nevojë, në mes Isa Mustafës dhe Degës së LDK-së në Zvicër. Por Bardhyl Metaj si një apologjet i zellshëm, më lehtë i është nënshtruar pa kushte Isa Mustafës se sa ka marrë rolin për ta shpëtuar diasporën, përkatësisht kryetarin në raport me Degët në Perëndim. Për fat të keq ai do të merr rolin e prokurorit për t’i disiplinuar deklarimet publike të kryetarit të Degës së LDK-së në Zvicër dhe vazhdimisht sillet me fodullokë ndaj veprimtarëve të LDK-së në Zvicër të cilët ia njohin aftësitë dhe ia dinë fare mirë të gjitha prapështit që i ka bërë sa ishte në Zvicër.

Pavarësisht qëndrimeve servile ndaj Isa Mustafës, konsiderojmë se dëme të mëdha procesit zgjedhor në Degën e LDK-së në Zvicër i ka shkaktuar Salih Morina i cili është dashur të jetë më afrues e jo përjashtues siç ka bërë me rastin e Degës së LDK-së në Zvicër. Ndaj këtij rasti obligim moral dhe politik e ka pasur edhe Armend Zemaj, por jo siç ka vepruar duke shfryrë mllefin me arrogancën e tij duke kërcënuar dhe fyer kryetarin e degës i cili haptas mbron një qëndrim ndryshe nga apologjetët e LDK-së. Për fat të keq autoritetin e tij prej deputeti, anëtari të kryesisë dhe të ushtarakut nuk diti ta shfrytëzoj as Anton Quni, nga i cili një pjesë e madhe e elektoratit, sidomos ai që i ka bijtë dhe familjarët në Zvicër dhe Gjermani kanë pritur se Anton Quni, si komandant dhe ushtarak me ndikimin të pashmangshëm do të bëhej një Anton Çetta i vogël për t’i pajtuar hasmëritë brenda LDK-së dhe për të marrë namin e një njeriu që del nga lufta dhe dinë të ndërtojë paqe, pasi mendohej se ai ka kaluar nëpër sfida të mëdha. Siç bënë të tjerët edhe Antoni Quni erdhi në Zvicër dhe shkoi në Gjermani, dhe nuk shprehu gatishmëri për t’i takuar grupet e frustruara në inate. Për fat të keq edhe Antoni bëri takime selektive, me ç’rast pa apo me dashje ka rrëshqitur në apologjizëm të panevojshëm dhe pa pasur asnjë arsye.

Natyrisht apologjete dhe apologjetë në LDK, në qeveri dhe në Parlamentin e Kosovës, nga radhët e kësaj partie ka shumë, por për çështje të higjienës etike listën e apologjetëve të Isa Mustafës nuk e zgjeruam me emra të tjerë?! Sidomos kësaj radhe u treguam koprrac me gjininë tjetër, të paktën për tu dalluar nga Isa Mustafa, e në anën tjetër për ta mbajtur premtimin ndaj një veprimtareje të LDK-së e cila më ka qortuar, duke më thënë të bëhem më koprrac në këtë plan dhe më ka sugjeruar të jem më i matur dhe më i kujdesshëm me familjarët e personaliteteve të shquara të LDK-së dhe Kosovës, të cilat politika e ashpër dhe antirugovistë e Isa Mustafës po i eksploaton pamëshirshëm!

 

St. Gallen, 04 korrik 2016.

 

SHPËRNDAJE