AMSERA, KJO MREKULLIA E PERENDISË !  Amsera Reka, 5 vjeçe, po luante me kukulla të dielën pasdite, në një dhomë të Spitalit të Prizrenit. Një natë më parë, ajo u nxor nga gërmadhat teksa ishte strukur në gjoksin e nënës së saj të vdekur. Deri më tash, Amsera është e mbijetuara e vetme e Tragjedisë së Restelicës, ku nëntë persona vdiqën si pasojë e një orteku bore, derisa një 20 vjeçar dyshohet se vazhdon të jetë nën gërmadha.

Jetonin afër njëri tjetrit. Por nuk janë më. Nëntë pjesëtarë të familjes Reka vdiqën për një ditë. Ata i zuri brenda shtëpive një ortek i borës i ardhur nga bjeshka sipër shtëpive. Nën rrënoja dyshohet se gjendet edhe një djalë i ri.

Resmin Reka ende nuk është gjetur pavarësisht kërkimeve të shumta nën ortek dhe nën rrënojat e shtëpisë ku jetonte. Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës punuan tërë ditën e diel por nuk mund ta gjenin trupin e tij që mendohet se ka vdekur. Dy shtëpi të vëllezërve Fehim dhe Rexhep Reka u rrafshuan me tokë. Atyre tashmë nuk u dihen as themelet. U kanë mbetur vetëm rrënojat. Gjatë së dielës pjesëtarët e FSK-së nxorën nga rrënojat edhe dy trupa të pajetë të anëtarëve të familjes Reka.

Vetëm një natë më parë ata kanë arritur ta nxjerrin të gjallë një vazjë pesë vjeq. Amsera është vajza e Avdullah(30) dhe Garka(29) Rekës të cilët kanë vdekur. Bashkë me ta ka humbur jetën edhe Amari djali i tyre dy vjeqar. Përveq këtyre në këtë tragjedi kanë vdekur Fehim(57) Zekia(54), Rexhep(58), Fatima(58) Seldin(17) dhe Resmina,(20) binjake me djalin që supozohet se gjendet nën rrënoja. Përveq shtëpive të vëllezërve Reka kanë pësuar edhe gati njëzet shtëpi që gjenden në lagjen me të skajshme të fshatit, mirëpo në to nuk banonte askush.

Banorët e Restelicës janë të tmerruar nga ajo që kanë parë të shtunën në mëngjes. Përveç dhimbjes që kanë për fqinjët e tyre ata me të gjitha forcat kanë ndihmuar forcat e FSK-së, policisë dhe KFOR-it që të nxjerrin nga rrënojat nën ortek trupat e të vdekurve. Shaban Haxhi përfaqësues i fshatit Restelicë dhe imam në këtë fshat tregon për Express se ajo që ka ndodhur mëngjesin e së shtunës i ka tronditur. Ky banor tregon edhe nxjerrjen e vajzës së vogël, të cilën sipas tij e shpëtoi mrekullia e Zotit.

“E kam dëgjuar një të qarë nëpërmes një gypi dhe shpejt e kemi hjekë borën. Vajzën e kemi gjetë të gjallë në duar të nënës së saj”, tregon imami i emocionuar.

Tash Amsera gjendet e shtrirë në spitalin e Prizrenit dhe mjekët tregojnë se është në gjendje shumë të mirë shëndetësore. Sipas mjekëve kur e kanë dërguar në spital vetëm ishte pak e ftohur, përndryshe analizat që ia kanë bërë i kanë dalë shumë mirë. E rrethuar nga dajët dhe të afërmit tjerë vogëlushja nuk e ka idenë se qka është duke ndodhur. Sipas një personi i cili prezantohet si daja i saj Amsera nuk i përmendë as prindërit as vëllain e saj.

“Shoqet” e vetme që atë e shoqërojnë në spital janë dhjetëra kukulla që i ka renditur në shtrat. Megjithatë mendjen e ka të kthellët. Di të tregojë për emrin dhe vjetët. Amserën në spital po e vizitojnë shumë njerëz. Të dielën nga Italia i erdhën edhe axhallarët, të vetmit familjarë të afërt që i kanë mbetur. Por këtë vogëlushe të dielën e vizitoi edhe një grua.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi në spitalin rajonal të Prizrenit, Asmira Rekën, të mbijetuarën e vetme të tragjedisë së shkaktuar nga moti i keq.

“Gjatë vizitës, Presidentja Jahjaga, e shoqëruar nga kryetari u komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, u njoftua me gjendjen e Asmirës, dhe njëkohësisht falënderoi mjekët dhe personelin e këtij spitali për mobilizimin dhe përkujdesjen që ata po ofrojnë për qytetarët e Restelicës, por edhe për të gjithë banorët e fshatrave të tjera të rrezikuar nga bora e rënë ditëve të fundit në mbarë Kosovën”, thuhet në një komunikatë të Presidencës. “Presidentja Jahjaga e ngushëlloi familjen Reka dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë humbje tragjike dhe trishtuese të jetëve të njerëzve.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve që në këto kushte të vështira atmosferike nëpër të cilat po kalon vendi ynë, të solidarizohen dhe t’i dalin në ndihmë njëri-tjetrit, duke premtuar se ndihma e institucioneve të Kosovës nuk do të mungojë” Presidentja Jahjaga posaçërisht veçoi punën e palodhshme të Forcave të Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe qytetarëve vullnetarë për përpjekjet e tyre të pandërprera për të hapur rrugën dhe për t’u ardhur në ndihmë të të ngujuarve në Restelicë. Me këtë rast, Presidentja Jahjaga ndau dhjetë mijë euro nga fondi i Zyrës së Presidentes për të ndihmuar adresimin e nevojave emergjente për familjet e goditura të fshatit Restelicë.

Kërkimet në fshat për të dielën kanë përfunduar në orën 16 pasdite për të vazhduar të hënën në kërkim të trupit të djaloshit. Ekspertë të KFOR-it austriak u kanë sugjeruar që të ndalojnë kërkimet për shkak se ekziston rreziku nga shembja e ndonjë orteku tjetër për shkak të motit të ligë.

Në këtë operacion janë të angazhuar qindra pjesëtarë të FSK-së, Policisë, KFOR-it dhe shumë banorë të fshatrave të Dragashit.

Në Restelicë edhe kryeministri

Fshatin e thellë të Dragashit i cili këto ditë është bërë kryelajm jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë të dielën e vizitoi edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili shprehu mbështetjen e institucioneve për banorët e prekur nga kjo fatkeqësi.Të parit të ekzekutivit iu desh të ecte në këmbë me shumë se dy kilometra për të arritur në vendin ku orteku i borës ka mbuluar disa shtëpi dhe ka dëmtuar shumë të tjera. Në këtë rast, kryeministri Thaçi falënderoi të gjithë ata që u angazhuan për tejkalimin e katastrofës, ndërsa shfaqi gatishmërinë e institucioneve për mbështetjen e banorëve të Restelicës. Ai premtoi që do të bëjnë çmos për gjetjen e personit të fundit. “Sot dhimbje ka gjithë Kosova, shteti i Kosovës, gjithë qytetarët e Kosovës. andaj propozoj që dita e nesërme të jetë ditë zie për qytetarët e Kosovës, në shenjë nderimi për shkak të ndodhjes së kësaj tragjedie që i ka ndodhur këtyre familjeve. Do të jemi me gjithë potencialin tonë pranë këtij fshati, pranë këtyre familjeve, fillimisht në strehim pastaj natyrisht edhe me mjete materiale”, ka thënë kryeministri Thaçi.

E hëna Ditë zie

Dita e hënë është ditë zie shtetërore, në nderim të anëtarëve të familjeve Reka, që pësuan në fatkeqësinë natyrore në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit.

Sipas vendimit të Presidentes, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të Republikës së Kosovës, flamuri i Kosovës ulet në gjysmë shtize. Gjithashtu, të gjitha veprimtaritë artistike, kulturore dhe sportive, të planifikuara për këtë ditë, pezullohen dhe shtyhen për një datë të mëvonshme.(EXPRESS)

SHPËRNDAJE