Seattle, SHBA, 26 korrik – Personi i vetëm që besohet të jetë kuruar plotësisht nga infektimi me virusin HIV nëpërmjet transplantimit të palcës kockore thotë të ndihet mrekullueshëm dhe po e hap një fondacion për të stimuluar kërkimet për gjetjen e një kure të përhershme.

Timothy Ray Brown (47), një amerikan nga Seattle, Washington, fitoi famë si i ashtuquajturi “pacienti Berlin”, pasi mjekët provuan mbi të teknikën unike të përdorimit transplantimit të qelizave bazë të një donatori rezistues ndaj HIV-it për t’ia kuruar leukeminë.

Që nga viti 2007, ai ka pasur dy transplantime tejet të rrezikshme të palcës dhe vazhdon të testohet negativisht për HIV, duke i lënë pa fjalë hulumtuesit dhe duke ofruar një shteg të ri kërkimi për atë se si terapia e gjeneve mund të çojë drejt një afrimi dukshëm më të pranueshëm.

“Unë jam dëshmi e gjallë se mund të ketë shërim për AIDS-in”, thotë Brown. “Është një gjë e mrekullueshme të shërohesh nga HIV-i”.

Ai dukej i gëzuar derisa fliste për gazetarët në Washington, ku mbahej konferenca e 19-të ndërkombëtare për AIDS-in. Transplantimi i palcës së cilës ai iu nënshtrua ngërthen shkallë të lartë rreziku dhe mund të jetë fatale për çdo të pestin pacient. Mirëpo ai thotë se e vetmja ankesë që ka këtyre ditëve janë kokëdhembjet e herëpashershme. Ai thotë po ashtu se është i vetëdijshëm se gjendja e tij ka gjeneruar kundërthënie, mirëpo i kontestoi pretendimet e disa shkencëtarë që besojnë se ai ka ende gjurmë të HIV-it në gjak dhe mund t’i infektojë të tjerët.

“Po, jam i shëruar”, tha ai. “Jam HIV negativ”. Ai thotë se është i gatshëm të inkurajojë mjekët për të bërë kërkime të mëtutjeshme dhe thotë se Evropa dhe Kina kanë shpenzuar shumë më tepër për kërkimet e kurës sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Aty ka me mijëra hulumtues shumë të aftë, të cilët nuk mund të sigurojnë fonde për kërkime, prandaj unë dua që kjo gjë të ndryshohet. Ka po ashtu edhe shumë hulumtues që janë të gatshëm të punojnë për të gjetur një kurë për HIV-in”.

Brown ishte student në Berlin të Gjermanisë kur ishte testuar pozitiv për HIV në vitin 1995 dhe i është thënë se kishte mbase edhe rreth dy vjet jetë. Mirëpo kombinimi i një terapie antiretrovirale u shfaq në tregjet globale një vit më vonë dhe në fund e transformoi HIV-in nga një dënim me vdekje në një gjendje të menaxhueshme për miliona njerëz në mbarë botën. Ai e përballoi mirë ilaçin, por si masë preventive vizitoi edhe një mjek më 2006, dhe aty u diagnostikua me leukemi. Iu nënshtrua kimioterapisë, e cila i shkaktoi pneumoni dhe sepse për ta çuar shumë afër vdekjes.

Mjeku i tij Gero Huetter e kishte ndërmend ta provonte transplantimin e palcës duke e përdorur një pacient me mutacion të receptorit CCR5. Persona të tillë mund të jenë rezistues ndaj HIV-it, për shkak se u mungon porta nëpërmjet të cilës virusi mund të futet deri te qelizat. Pas trajtimit për leukemi, ai rezultoi pa ndonjë gjurmë të dallueshme të HIV-it në sistemin e tij. Mirëpo leukemia iu kthye dhe ai iu nënshtrua një transplantimi të dytë të palcës më 2008, me të përdorur qelizat bazë të të njëjtit donator.

Brown thotë se rimëkëmbja e tij nga operacioni i dytë ishte më i komplikuar dhe i la disa probleme neurologjike, por ai tani e vazhdon jetën i kuruar nga leukemia dhe HIV-i.

SHPËRNDAJE