Bujanoc, 20 prill 2012 – “Pjesëmarrja forcon të drejtat e qytetarëve” ishte tema e debatit të sotëm të zhvilluar në Bujanoc  për qëllim përkrahjen e shqiptarëve të Luginës për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale edhe ato parlamentare që do të mbahen më 6 maj.

 

Në këtë debat i  cili u prit me interesim të madh merrnin pjesë ambasadorët e shteteve më me ndikim si ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai i  Bashkimit Evropian dhe ambasadori i Misionit të Organizatës për Sigurim dhe Bashkëpunim Evropian në Serbi.

Duke folur për rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare

Ambasadorja e SHBA-ve në Serbi, zonja Mary Burce Warlick, tha se “Pjesëmarrja në zgjedhje është obligim për qytetarët, sepse përmes votimit zgjidhen ata të cilët do t’i përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e qytetarëve. Ne jemi këtu që të japim përkrahjen tonë të pakontestueshme drejt realizimit të drejtave të tyre”

 

Ndërkohë Dimitrios Kypreos, ambasadori i OSBE-së në Serbi pjesëmarrjen në zgjedhje e vlerësoi si frymë të demokracisë, “Institucionet demokratike mund të funksionojnë mirë vetëm atëherë kur ka pjesëmarrje të mirë të të gjithë qytetarëve në zgjedhjen e tyre. Dhe kjo pjesëmarrje  është pikërisht fryma e demokracisë, duke përfshirë natyrisht edhe pakicat aktive e sidomos pakicat historike siç është pakica shqiptare në jug të Serbisë.”

 

Ndërkaq për ambasadorin e Bashkimit Evropian në Serbi, Vincent Degert,  përmes pjesëmarrjes aktive në zgjedhje do të përmirësohet  jeta e qytetarëve.

“Mendoj se nuk duhet harruar se është e rëndësishme për Evropën , që të gjitha shtetet a Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, sepse në këtë mënyrë do të do të sigurojmë një zhvillim të përgjithshëm. Prandaj pjesëmarrja në zgjedhje është obligim për çdo qytetarë dh ne jemi këtu që të japim përkrahje të fortë drejt realizimit të të drejtave të pakicave.”

 

Zgjedhjet lokale dhe parlamentare në Serbi do të mbahen më 6 maj. Shumica e subjekteve politike shqiptare  të Luginës së Preshevës, përkundër divergjencave kanë arrit të formojnë Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare. Ndërkohë që ka parti të tilla që publikisht i kundërshtojnë këto zgjedhje. (PreshevaNEWS)

SHPËRNDAJE