Lideri i Partisë Përparimtare të Serbisë, që është edhe kandidat për kryeministër të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, nuk mund të hyjë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai gjendet në listën e zezë të personave që iu ndalohet hyrja, e ku janë 30 serbë.

Nikoliq nuk ka dashur të komentoj këto informata. “Nuk e di, nuk e kam asnjë informacion të tillë. Nuk kam kërkuar as vizë”, i ka thënë ai gazetës serbe “Alo”.

Burimi i kësaj gazete në Departamentin amerikan të Shtetit, thotë se Washingtoni zyrtar ka më shumë besim te zëvendësi i tij, Aleksandr Vuçiq, i cili në ndërkohë është përjashtuar nga kjo listë.

Përveç Nikoliqit, hyrja në Shtetet e Bashkuara nuk është e lejuar edhe biznesmenit Mirosllav Miskoviq, liderit të serbëve të Kosovës, Marko Jakshiq, kreut të Partisë Radikale të Serbisë, familjes së Millosheviqit etj.

Në listë gjenden edhe Nikolla Shainoviq dhe Vojisllav Sheshel, si dhe kreu ushtarak dhe policor serb i kohës së Millosheviqit. Të padëshiruar vazhdojnë të jenë edhe Radovan Karagjiq dhe Ratko Mlladiq, por edhe të afërmit e tyre.

“Çdo vit lista rishikohet, por ndodhë që disa emra, si ai i Legijes dhe Pavkoviqit, të mbesin ende. Në këtë moment, nga Serbia në SHBA nuk mund të futen 30 vetë. Zyrtarisht, Departamenti i Shtetit është përgjegjës për heqjen e të ashtuquajturës lista e zezë, por vetëm me vendimin e presidentit të SHBA-së, që mbanë shenjën 212 F. Se viza nuk nënkupton hyrjen në SHBA, flet rasti i Bogoljub Kariqit. Atij William Montgomery ia miratoi vizën, por nuk ka mundur të udhëtojë, sepse ishte në atë listë”, thotë burimi nga Washingtoni.

Për herë të parë, SHBA-ja më 1999 ia ndaloj hyrjen liderit serb Sllobodan Millosheviq, si dhe familjes së tij, krerëve të aparatit të tij shtetëror, atyre që e kanë financuar, si dhe pjesëtarëve të njësiteve paramilitare në Kosovë. 900 vetë ishin atëherë në atë listë. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE