Ish sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright tha se politika e jashtme e presidentit Barack Obama ndryshon shumë nga ai i Partisë Republikane, sepse ai e kupton se zgjidhja e çështjeve ndërkombëtare kërkon bashkëpunim. Në intervistën për Zërin e Amerikës, Allbrigt tha gjithashtu se bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të largohet nga Afganistani, pas tërheqjes së trupave të huaja.

Jemi këtu në Konventën Kombëtare Demokratike. Republikanët zhvilluan konventën e tyre në javën e kaluar. Pyetja thelbësore është: A mund të bëni ndonjë dallim në mes të politikave të jashtme të të dyja partive?

ALLBRIGHT: Unë besoj se ekziston një dallim i madh. Presidenti Obama, mendoj, se e sheh botën si është, dhe si duhet të jetë, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe partneriteteve mes vendeve.

Presidenti Obama e njeh fuqinë e SHBA-së, por, e kupton se fuqia jonë vjen nga bashkëpunimi me të tjerët në çështjet që kërkojnë bashkëpunim, sepse asnjë shtet nuk mund t’i bëjë gjërat tërësisht vetë, qoftë nëse kemi të bëjmë me luftën ndaj terrorizmit, apo me përhapjen e armëve bërthamore ose energjinë dhe çështjet ambientale apo hendekun mes të pasurve dhe të varfërve e krizën ndërkombëtare financiare.

Prandaj, mendoj se ai e kupton rëndësinë e partneritetit.

Kam qenë pak e befasuar, thënë sinqerisht, për ekstremet që thanë republikanët. Guvernatori Romney nuk foli shumë për politikën e jashtme, por bëri një kthim të papritur prapa te një lloj statusi të Luftës së Ftohtë me rusët, që nuk më duket i dobishëm. Dhe pastaj, për fuqinë amerikane…unë mendoj se çdokush respekton fuqinë amerikane. Ajo që njerëzit në botë duan të shohin- është partneriteti amerikan.

Sa është përmirësuar ose përkeqësuar imazhi i Amerikës nën administratën e Obamës?

ALLBRIGHT: Unë, gjithashtu nuk e di, nëse njerëzve iu intereson, a është imazhi i Amerikës më i mirë tash, apo para 3 vjetëve e gjysmë. Mendoj, se njerëzit e dinë se çfarë ka bërë administrata e Bushit sa i përket dy luftërave, që ende po vazhdojnë.. apo rezultateve të tyre në Irak dhe luftës në Afganistan.

Kur është koha e përshtatshme për të përdorur forcën kundër një shteti tjetër?

ALLBRIGHT: Nëse shihni administratën e Obamës, mendoj, se ka marrë disa vendime shumë të llogaritura mirë në lidhje me përdorimin e forcës në Libi. Ka qenë e menduar me kujdes; është në bashkëpunim me aleatët e NATO-s; dhe ata e dinin saktësisht se deri në ç’masë do të shkojnë dhe çfarë do të bëjnë.

Tash janë duke u marrë me Sirinë dhe e shihni… është krejtësisht një tjetër shtet… me çështje shumë të ndryshme dhe ata po merren me një numër krejtësisht tjetër sa i përket ndihmës humanitare dhe të furnizimit me mjete jo-vdekjeprurëse, me ndihmën në komunikim, po punojnë për një variacion gjërash që kanë të bëjnë me refugjatët, dhe asnjëherë nuk po e heqin ndonjë opsion nga tryeza.

Si do të ndryshojë politika amerikane kundrejt Afganistanit, kur të kthehen trupat?

ALLBRIGHT: Mendoj se ajo për çka duhet të mendojmë është se kur do të përfundojë përfshirja jonë ushtarake në Afganistan… Presidenti Obama i ka caktuar disa afate kohore, data, dhe ka folur për faktin se aspekti ushtarak ka marrë fund, po, ai gjithashtu ka thënë se ne nuk po largohemi…se ka një numër të aktiviteteve civile dhe se organizatat joqeveritare në aspekte të ndryshme të përfshirjes ndërkombëtare në Afganistan do të vazhdojnë të mbesin.

Nuk është situatë e lehtë. Unë e kam mbështetur plotësisht presidentin Bush për kundërpërgjigjen në Afganistan pas sulmeve të 11 shtatorit. Por, pastaj administrata e Bushit largoi vëmendjen nga atje, dhe vendosi të përfshihej në Irak, ndërkohë që Afganistani komplikohej më tepër. Prandaj, mendoj se është një situatë shumë e vështirë.

Më ka trazuar ajo, që ka ndodhur në ditët e fundit, kur kemi sulme të “të gjelbërve- ndaj të kaltërve”(forcat afgane kundër ushtarëve të huaj) dhe disa pezullime të trajnimeve amerikane për forcat e sigurisë. Njerëzit e kuptojnë se sa e vështirë është situata, por nuk mendoj se komuniteti ndërkombëtar duhet të largohet nga Afganistani.

SHPËRNDAJE