Media shqiptare ka rritur kureshtjen e saj ndaj një takimi mes kryetarit të Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu, dhe kryetarit të nderit të partisë së çamëve, PDIU, Tahir Muhedini. Takimi, i cili është mbajtur në Hotel Rogner, ka qenë i fokusuar tek bashkëpunimi mes Aleancës KuqeZi dhe komunitetit çam si dhe mundësinë e përfaqësimit të çështjes çame nga Aleanca KuqeZi.

Aleanca KuqeZi duket se po shkon drejt një përfaqësimi gjeografik të gjithë shqiptarëve në kryesi të saj. Pas Kuvendit të tyre një javë më parë, kuqezinjtë po shikojnë mundësinë e përfaqësimit në krye të partisë me përfaqësues nga Kosova, Maqedonia, diaspora dhe Çamëria. Ajo ka rreth 30 përfaqësues nga trojet shqiptare në krye të saj.

Nuk dihet se do të vazhdojë bashkëpunimi i Aleancës KuqeZi me partinë e çamëve në Tiranë, por një aleancë e mundshme e tyre mund t’i jepte më shumë kredibilitet çështjes çame, e cila duket se është degraduar nga niveli i përfaqësimit banal në pushtetin e Berishës.

Të dy partitë njihen për nuancat e tyre nacionaliste, ndonëse PDIU-ja është në koalicion me Partinë Demokratike dhe Aleanca KuqeZi kritike e mazhorancës. Por takimi me sa duket ka shërbyer për të thyer disi akullin dhe ndoshta për të hedhur urat e ndonjë bashkëpunimi politik në të ardhmen e afërt.

Një marrëveshje mes Aleancës KuqeZi dhe PDIU, apo drejtuesve të kësaj të fundit mund të forcojë jo pak koalicionin e mundshëm të tyre dhe mund të rrisë mundësitë për sa më shumë vota në disa zona të caktuara zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2013. Vetë Kreshnik Spahiu dha të kuptohet se kontaktet dhe takimet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, pa dhënë komente apo sqarime të tjera.

SHPËRNDAJE