Në mbledhjen e parë zgjedhore të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti edhe zyrtarisht është shpallur kryetar pasi që më herët pa asnjë kundërkandidat është votuar nga anëtarët e 422 qendrave të Vetëvendosjes.

Në pjesën e parë të punës së Kuvendit janë prezantuar raportet dhe rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura në 422 pikat e Vetëvendosjes, në bazë të të cilave Albin Kurti ka marrë 5.682 vota për kryetar të kësaj lëvizjeje, 31 kanë qenë kundër dhe 62 të pavlefshme.

Për zgjedhjen e kryetarit, i cili do të ketë mandat trevjeçar, në zgjedhjet e mbajtura në pikat e Vetëvendosjes kanë marrë pjesë 60 për qind të anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i sapo zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti u ndal te fillimet e angazhimeve të Vetëvendosjes, duke përmendur një numër të madh të protestave dhe aksioneve të saja.

Lëvizja Vetëvendosje, sipas Kurtit, konsideron se populli i Kosovës duhet të bëhet i zot vetvetes në kuptimin politik të fjalës, por edhe në kuptimin ekonomik të Kosovës.

“Ne po bëhemi gati për atë që populli ynë duhet të jetë i gatshëm e kjo është vetëvendosja për popullin që është në mënyrë të pa shkëputshme me sovranitetin për shtetin”, ka thënë Kurti.

Mbi të gjitha, sipas tij, sovraniteti i Kosovës duhet të reflektohet në lirinë e institucioneve përfaqësues dhe kjo të kurorëzohet me një kushtetutë tjetër për Republikën e Kosovës.

“Unë si kryetar i porsazgjedhur dhe i zyrtarizuar në këtë mbledhje i Lëvizjes Vetëvendosje si synim të lëvizjes duhet ta kemi përgatitjen e Kushtetutës së re si propozim të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe të programit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje në përputhje me këtë kushtetutë të re”, ka thënë ai.

Programi politik i Vetëvendosjes, sipas Kurtit duhet të mishërohet në këto dy dokumente të reja ku nëpërmjet kushtetutës së re do të mundësohej bashkimi kombëtar.

“Kushtetuta e re e Republikës së Kosovës duhet të jetë ajo e cila do t’ia mundësonte Kosovës bashkimin me Shqipërinë si fazë drejt bashkimit kombëtar. Përderisa shqiptarët vazhdojnë të mbesin të ndarë në Ballkan në bazë të dokumenteve e konferencave që mbajtur nga të huajt në vende të huaja para një shekulli ne nuk mund të kemi as siguri e mbrojtje të duhur kombëtare, por as zhvillim ekonomik e mirëqenie sociale si qytetar”, ka thënë ai.

Sa i përket Serbisë, Kurti tha se për Lëvizjen Vetëvendosje është shtet armik për shkak se Serbia ka të kaluar, të tashme dhe të ardhme kriminale në Kosovë bazuar në projektet e saja anti-shqiptare.

Kurse, sa i përket Qeverisë së Kosovës Kurti tha se e konsiderojnë si kundërshtar, i cili me ose pa vetëdije po shërben me mirëmbajtjen e gjendjes aktuale në Kosovë e cila çon drejt bosnjizimit të vendit.

Duke folur rreth dialogut, kreu i Vetëvendosjes ka thënë se gjashtë marrëveshjet e paralajmëruara me Serbinë nga zëvendës kryeministrja Edita Tahirit nuk do të pranohen nga populli i Kosovës, pasi që këto bisedime po mbahen fshehtas dhe si të tilla janë jo transparente edhe ndaj vetë Kuvendit të Kosovës.

Kurti shprehu bindjen se fitorja e Lëvizës Vetëvendosje është e pa shmangshme dhe të gjitha vështirësitë dhe pengesat janë të tilla që mund të ia vonojnë fitoren, por nuk mund ta evitojnë për shkak të konceptit të tyre me të cilin bazohen e që është vetë liria e popullit.

“Nëse devijojmë prej konceptit nuk do të mund të fitojmë, nëse qëndrojmë drejt në rrugën tonë të drejt të konceptit tonë të drejtë, atëherë fitorja jonë është e pashmangshme”, ka thënë ai.

Në Kuvendin e parë zgjedhor po marrin pjesë 145 delegatë të Vetëvendosjes. Në pjesën e dytë të këtij Kuvendi do të miratohet statuti i lëvizjes, si dhe do të bëhet zgjedhja e 15 anëtarëve të Kryesisë, ku bëjnë pjesë kryetari, dy nënkryetarët, sekretari organizativ i marrëdhënieve me jashtë etj.

SHPËRNDAJE